Lotë gëzimi, buzëqeshje, këngë, valle, përqafime nëmes miqëve, mall, e përplot gjallëri, për pesë orë me radhë, në oborrin e shkollës në Tupallë të Medvegjës, mbretëroi dita e djeshme në takimet e vendlindjes. Kishin ardhur bashkatdhetarë medvegjas, e të trevave shqiptare, nga e gjitha diaspora, por edhe Kosova, Maqedonia e Presheva, Bujanoci, për të marrë pjesë në manifestimin tradicional «Takimet e vendlindjes» në Tupallë të Medvegjës, në këtë pjesë të Dardanisë Antike, të veprimtarëve Xhim Xhema, Akademikut Idriz Ajeti, veprimtarëve të tjerë, si Limon Selmani, Zenel Neziri, Limon Selmani , Fadil e Ismet Selmani, Zejnullah Namanit, Musë Neziri, e shumë e shumë veprimtarëve të tjerë, që janë sot në Medvegjë, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri e në gjithë diasporën shqiptare.
Për disa vite me radhë, po mbahet ky manifestim, për ti rikujtuar të gjithë atyre, që mendojnë, se medvegjasit e kanë harruar këtë tokë të bekuar të të parëve të tyre, se nuk e kanë harruar, tokat nuk i kanë shitur, shtëpitë dhe një ditë, do të kthehen në vendin e të parëve. Si asnjëherë më parë, ishin të bashkuar të gjithë medvegjasit në këtë manifestim, për ti dëshmuar edhe njëherë të gjithëve, se munden të jenë bashkë, e ti ecin proçeset e mbetura te para. Është kjo Medvegjë shqiptare, e cila, siç dihet është e boshatisur, e cila ka mbetur pa jetën e saj origjinale, ka mbetur pa zërin e fëmijëve nëpër rrugët e kësaj treve të pasur, ka mbetur pa intelektualët e saj, ka mbetur pa pleqtë e saj, të cilët bënin cigaret e tyre duke ecur me plisa në kokë. Kjo Medvegjë e Zenel Hajdinit, që dikur ishte përplot me shqiptarë, e tash, tek tuk sheh shtëpi me drita të dhezura, apo oxhak që tymon, aty kanë mbetur disa medvegjas, të cilët po mundohen me çdo kusht, me plot vështirësi, të mbajnë ende jetën medvegjase.
E medvegjasit e tjerë, që janë në trevat tjera shqiptare, por edhe në diasporë, jetojnë me shpirt në Medvegjë, e duke i thënë vetes, se do ti kthehemi një ditë kësaj toke stërgjyshore. Edhe varret kanë mbetur të shkreta na thotë një plak 75 vjeçarë, që dridhte një cigare kaçak dhe sytë e tij ishin me lot. E bacit ai na tha ndër të tjera: « E sheh, sa mirë përplot jetë sot në Tupallë e në gjithë Medvegjën. A shihni flamurin si po valon. E tash edhe nëse vdes nuk më dhimbset jeta. I pashë krejt bashkë, edhe këta, që janë në Medvegjë, por edhe ata në Kosovë e diasporë. Ai, më kuptoni, nuk po muj me fol më shumë. E sheh, sa mirë, të rinjtë po luajnë futboll, fëmijë të vegjël po qajnë, po shoh duke dalur të rinjtë në foto, por edhe këta politikanët tanë që janë këndej e andej. E nuk ka më mirë se të jemi bashkë. Për besë, nuk e kanë të lehtë edhe këta që janë në
Medvegjë, se të mos ishin edhe këta këndej, as shkollë shqipe nuk do të kishim, ishte e gjithë Medvegja e tjetërkujt. Duhet të jemi bashkë, se vetëm bashkë kemi me pas bereqet. Nuk kalohet as pleqëria këndej pa shokë. Përpara dilnim e takonim njerëz të fshatrave për rreth, e tash, nuk sheh. Me plot halle, papunës e besa edhe me probleme të tjera që dihen. Kam edhe shumë për të thënë, por e përsëris, se edhe nëse vdes, ndasht, se kam me vdek një ditë, e flamuri ma ka kënaq shpirtin. Ju lumtë edhe shoqatës «Medvegja» në Zvicër, që nuk po ndalen, gjithandej botës po e dërgojnë zërin e Medvegjës».
Plaku në fjalë, deshti të mbetet anonim, mundesh të më fotografosh, por të lutem bacit mos më përmend me emër, më tha ndër të tjera, i cili ishte prej njërit nga fshatrat e Medvegjës. Kishin ardhur medvegjas nga e gjithë Kosova, me vetura e autobusa për të marrur pjesë në këtë manifestim. E sipas burimeve tona, në pikën kufitare nëmes Medvegjës e Kosovës, nuk kanë pasur asnjë problem. E nga diaspora, si edhe herave tjera, kishte ardhur ditë më parë, për të bashkëorganizuar këtë manifestim kryetari i Shoqatës Humanitare «Medvegja» Zenel Neziri, sekretari Fadil Selmani, dhe ish kryetari e veprimtari Ismet Selmani, por shiheshin edhe shumë të tjerë, nga kryesia e kësaj shoqate, e anëtarë të saj, por edhe veprimtarë të tjerë. E në oborrin e shkollës ku pritej që të filloj ky manifestim, ishte përplot me bashkëkombas, llogaritej se ishin mbi 800 persona.
Prapa skenës që ishte përgaditur, shihej edhe flamuri ynë kombëtarë, i cili pas 32 vjetëve qëndronte përballë gjithë bashkëkombasve tanë. E në rendin e parë të të ftuarëve ishin deputeti i parlamentit të Serbisë z.Riza Halimi, kryetari i Medvegjës Sllobodan Drashkoviq, deputeti i Parlamentit të Kosovës Jeton Svirca, kryetari i Bujanocit Nagip Arifi, zëvendëskyetari i komunës z.Florim Sahiti, nënkryetari i Kuvendit z.Femi Beha, etj. Organizimi ishte madhështor e siç dihet u organizua në bashkëpunim me SH.H «Medvegja» me seli në Fully të Zvicrës, UDSH dhe PVD. Këto takime, mbahen çdo vitë më 1 maj në fshatin Tupallë, që nga viti 1961. Programi, ashtu siç ishte paralajmëruar, filloi në orën 12.00. Moderator ishte, Burim Uka, mësimdhënës i shkollës në Tupallë.
Manifestimin e përshëndetën: nënkryetari i Kuvendit z.Femi Beha, Zenel Neziri në emër të SHH «Medvegja», deputeti i Parlamentit të Kosovës z. Jeton Svirca, Riza Halimi deputet i Parlamentit të Serbisë, Nagip Arifi kryetari i komunës së Bujanocit, Galip Beqiri kryetar i KKSH-së, si dhe kryetari i Medvegjës Sllobodan Drashkoviq.
Rreth e rreth ambientit, ku mbahej ky manifestim, shiheshin edhe policë lokal të serbisë, si dhe një veturë ambulante e mjekëve. Me një fjalë, organizimi ishte i shkëlqyer. Me një program të pasur, me këngë e valle, u përkujdesë këngëtari nga Kosova Naim Abazi, Remzi Jakupi-Remi nga Medvegja, SH.K.A “Shqiponjat e Medvegjës”, e rapsodë nga Medvegja e Kosova. Si zakonisht i pranishëm në këtë manifestim ishte edhe aktivisti i prof. Rexhep Abazi, i shoqëruar edhe me disa profesorë të tjerë medvegjas të cilët kishin ardhur nga Kosova, si Jonuz Fetahu etj. Një telegram përshëndetës të Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, e lexoi profesor Jonuz Fetahu, i cili përshëndetit të pranishmit, si dhe këshillin organzativ.
Ai kishte përshkruar edhe bukuritë e rralla, që i ka Medvegja me rrethinë, si dhe dëshirën e tij të madhe, që një ditë ta shoh Medvegjën, ashtu siç ishte dikur. Siç e theksova edhe në fillim të shkrimit, si asnjëherë më parë, ishte një bashkëpunim i shkëlqyer i gjithë intelektualëve e veprimtarëve medvegjas rreth këtij manifestimi dhe shihet, se bashkëpunimi do të jetë edhe në të ardhmen me plot kuptimin e fjalës. Vlenë të përmendet, se si edhe herave të tjera, ndihmesë të madhe në organizim të këtij manifestimi dha edhe SHH «Medvegja» në Zvicër, si dhe veprimtarët e njohur vëllezërit Selmani, si Ismeti, Shabani dhe Fadili. Pas programit artistikë, u luajtën edhe ndeshjet e futbollit, që ishin të parapara në kuadër të këtij manifestimi, e diçka që na ra në sy, ishte, se kishte edhe ekipe me futbollistë serb, e të cilët, luajtën bashkë me moshatarët e tyre pa asnjë problem. Nuk munguan edhe foto kujtimi. E flamuri kombëtarë kuq e zi, qëndroi për disa orë, gjersa përfundoi ky manifestim dhe më pas, u hoq, ose është dashur të hiqet, por mbetet me shpresë, se do të valojë përgjithmonë edhe ate shumë shpejt. /presheva.com, Dialogplus.ch Dashnim HEBIBI, Medvegjë/