Në panelin e diskutimit të organizuar të premten nga subjekti më i ri në Luginë të Preshevës – Alternativa për Ndryshim, me rastin e prezantimit të sondazhit lidhur me situatën e përgjithshme politike, ekonomike, sociale, të sigurisë etj., me theks të veçantë rininë, morën pjesë përfaqësues të këtij subjekti dhe personalitete publike nga Lugina e Preshevës.
Temat kryesore, mbi të cilat është zhvilluar sondazhi, kanë qenë “liria e të shprehurit dhe lëvizja e lirë”.
Në kuadër të sondazhit të Alternativës për Ndryshim janë anketuar 500 të rinj nga komuna e Preshevës, të moshës 18-26 vjeç, si grup qëllimor që mund të marrin pjesë aktive në jetën publike dhe të japin kontributin e tyre për avancimin e pozitës së të rinjve në shoqërinë tonë.
Prezantimin e sondazhit e bënë kryetari i Forumit rinor Altin Boriçi dhe Shkëlzen Limani – moderator, ku të pranishmit u njoftuan me shifra mbi rezultatet e sondazhit.
Në bazë të rezultateve të prezantuara u dëshmua qartë edhe një herë se për të rinjtë e Preshevës në përgjithësi është punuar shumë pak dhe se politika lokale, sic u tha në këtë prezantim “i ka manipuluar ata në forma e kohë të ndryshme”.Kjo dëshmohet nga të dhënat e hulumtimit të prezantuar si në vijim:
- më tepër se 40 % e të rinjve brenda familjeve të tyre jetojnë me më pak se 200 euro në muaj;
- 61 % e të rinjve kanë theksuar se problem kryesor me të cilin ballafaqohen është punësimi;
- lidhjet partiake ndikojnë më së shumti për punësimin e të rinjve që është deklaruar nga 28 % e të anketuarave;
- 31 % janë shprehur se nepotizmi është më i shprehur në çështjen e punësimit;
- 49 % e të rinjve mendojnë se nuk janë të përfaqësuar aspak në proceset e vendimmarrjes në pushtetin lokal;
- 63 % e të anketuarve kanë thënë se e vlerësojnë si nivel të ulët përfaqësimin e tyre në jetën publike.
Në pyetjet drejtuar të anketuarve: Si e vlerësoni lirinë e shprehjes në komunën tuaj?, dhe si e vlerësoni lirinë e lëvizjes? - 64 % e tyre kanë deklaruar se e vlerësojnë si të ulët.
Ndërsa, 53 % e të anketuarve janë përgjigjur se aspak të suksesshme nuk e shohin punën e udhëheqjes lokale.
Fakt tjetër me rëndësi sipas subjektit Alternativa për Ndryshim është e dhëna që ka dalë nga pyetja se a mendoni se ka perspektivë për të rinjtë në komunën e Preshevës?58 % e tyre janë deklaruar me JO, ndërsa kur janë pyetur se a mendoni të largoheni jashtë vendit, 59 % e tyre janë deklaruar se mendojnë shpesh për këtë gjë, e 40 % e të anketuarve e shohin veten në vendet perëndimore, e nxjerr kjo nga pyetja se ku do ta shihni të ardhmen tuaj?
“Pikat e lartpërmendura pothuajse janë tema kryesore të përditshmërisë së shoqërisë preshevare, por studimi dhe analiza përmes metodave bashkëkohore të sondazhit dhe intervistimit të të rinjve në mënyrë direkte të cilin e ka realizuar Alternativa për Ndryshim, paraqet një risi dhe mënyrë të avancuar dhe profesionale të shqyrtimit të fenomeneve në shoqërinë tonë. Kjo gjë u pohua nga panelistët dhe të gjithë të pranishmit në këtë aktivitet”, thuhet në kumtesën e subjektit organizues.
Nga panelistët pjesëmarrës në aktivitete, Belgzim Kamberi, Nexhat Behluli, Ridvan Bilalli dhe Shqiprim Arifi u diskutua në mënyrë pragmatike dhe më gjerësisht, lidhur me këto të dhëna të dala nga sondazhi.
Nexhat Behluli, ka theksuar se duhet të largohen nga skena politike të gjithë liderët politik aktual, tashmë të konsumuar dhe të dëshmuar si të pasuksesshëm, në mungesë të ideve dhe vizionit për të udhëhequr me popullatën tonë, duke u çliruar të rinjtë nga ndikimin e tyre negativ.
Nismën e anketimin të të rinjve e ka përshëndetur Ridvan Bilalli, duke vlerësuar se rinia është e vetmja shpresë për të ardhmen e Luginës dhe se të rinjve duhet kushtuar kujdes më të madh.
Shqiprim Arifi – kryetar i Alternativës për Ndryshim theksoi se është shqetësues fakti që rinia jonë aktualisht përballet me një situatë të vështirë, por edhe më shqetësues është fakti që rinia jonë nuk sheh perspektivë në vendin e tyre.“Kjo situatë kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe të mençur për shkak të kompleksitetit të problemeve që ballafaqohet shoqëria jonë, veçanërisht të rinjtë”, ka thënë Arifi.
Belgzim Kamberi – kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, theksoi që përmes këtij sondazhi është konstatuar gjendja e vërtetë e rinisë preshevare, si dhe cënimi real i shprehjes së mendimit të lirë, kryesisht nga politika aktuale; si dhe lëvizjes së lirë, për shkak të prezencës së afërsisë së kufinjëve dhe mungesës së vendkalimeve adekuate për një qarkullim më të lirë të të rinjëve.
Në bazë të analizës së anketës dhe diskutimeve të të pranishmëve, Alterantiva për Ndryshim ka nxjerrë këto konkluzione:
- Të merren masa për parandalimin e shpërnguljes së të rinjve tanë
- Të krijohen kushte të favorshme ekonomike që i siguron të rinjve perspektivë të qartë në vendin e tyre
- Të hapen mundësi më të mëdha të pjesëmarrjes së të rinjve në zhvillimet politike e shoqërore
- Të sensibilizohet më tepër klasa politike dhe shoqëria në përgjithësi me nevojat reale të të rinjve dhe të punohet konkretisht në plotësimin e nevojave të tyre.
Në bazë të rezultateve të anketës dhe konkluzave të diskutimit, Alternativa për Ndryshim do të integrojë konceptin mbi rininë, ku do të zhvillojë politika konstruktive dhe integruese në politikëbërjen e saj, thuhet në fund të kumtesës.