Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Shqipërinë më 14 maj, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, me fokus të veçantë ekonomik, njofton KTV.
Pjesë e agjendës së takimeve të Erdoganit në Tiranë, është edhe mbajtja e një fjale në Parlamentin shqiptar. Kjo vizitë e kreut të ekzekutivit turk në Tiranë, vjen pas dy takimeve të zhvilluara me kryeministrin Rama në Stamboll.
Rama deklaroi se takimi me kryeministrin Erdogan ishte vazhdimi i një bisede të filluar, për të vendosur së bashku piketat e një bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë, që do të jetë një bashkëpunim me një intensitet të panjohur më parë”.
Kryeministri turk pritet të mbërrijë në Tiranë i shoqëruar nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit tij. Nuk dihet ende nëse do të zhvillohet një mbledhje e përbashkët ndërmjet dy qeverive, për ta çuar më përpara atë që kryeministri Edi Rama e ka quajtur si ngritjen në nivele të panjohura më parë të marrëdhënieve me Turqinë.