Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është përballur sot me cilësimet “Hajn” e “Mashtrues” nga një grup i vogël studentësh të UP-së, gjatë vizitës që u bëri në kuadër të parafushatës së tij, të pashpallur, edhe për një mandat në krye të qeverisë së vendit.
Kjo i ndodhi kryeministrit pasi drekoi bashkë me studentët në Mensën e tyre. Kur pas drekimit doli nga Mensa, aty ku më 1981 ndodhën demonstratat studentore, që u paraprinë përplasjeve të shqiptarëve me pushtetin e instaluar nga Beogradi deri sa u çlirua vendi më 1999, kur pesë studentë të organizatës “Studim Kritikë Veprim” e pritën më “Hajn” e “Mashtrues”, ndaj të cilëve ndërhynë truprojat e tij, duke i izoluar.
Kryeministri ndërkaq u rikthye sërish në Mensë për të pritur “deri sa të qetësohen”, siç do të shprehej ai ndërkohë.
Pastaj ai iu drejtua gazetarëve duke rikujtuar kohën kur ai kishte qenë studentë dhe duke përsëritur premtimet të cilat “do t’i respektoj në plotni”, siç është shprehur ai.
“Iu riktheva kohës kur isha student. Premtimet që kam dhënë për përgjysmimin e pagesave për regjistrim semestrash do ta respektoj. Madje, prej vitit të ardhshëm studentor ata që regjistrohen në vitin e parë do të lirohen plotësisht nga pagesa”, ka deklaruar kryeministri.
Ai po ashtu ka përsëritur se do të përgjysmohen edhe pagesat për konvikt e ushqim.