Lëvizja e Progresit Demokratik dhe lideri i saj Jonuz Musliu, njëherit kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, reagojnë ashpër me rastin e burgosjes së ish pjesëtarit të UÇPMB-së, Arbër Ibrahimi, nga policia serbe.
Arbër Ibrahimi, nga fshati Nesalcë komuna e Bujanocit, gjatë vitit 2006, akuzohet nga Gjykata serbe, kinse, ai, dhe një grup të rinjsh, me rastin e festave nacionale të 28 nëntorit jo ligjshëm e kanë ngritur Flamurin Kombëtar, në ndërtesën e Komunës së Bujanocit.
“Ndonëse i liruar nga Gjykata e Apelit, Arbëri ka jetuar një kohë të gjatë, jashtë vendit, kur sot, në Preshevë, arrestohet nga policia dhe me procedurë të shpejtë dërgohet në burgun e Vranjës”, thuhet në reagimin e LPD-së të nënshkruar nga kryetari Jonuz Musliu, të cilin e transmeton portali informativ Titulli.
LPD, arrestimin e Arbër Ibrahimit e konsideron si një akt provokativ dhe vazhdim i diskriminimit të shqiptarëve e posaçërisht të ish pjesëtarëve të UÇPMB-së.
Në rajonin e Luginës së Preshevës, nuk është e rregulluar me ligj përdorimi i simboleve kombëtare, mirëpo gjatë manifestimit të Ditës së Flamurit, këto simbole përdoren edhe nëpër institucione komunale.
Lëvizja e Progresit Demokratik kërkon lirimin e menjëhershëm të Arbër Ibrahimit dhe ndërprerjen e diskriminimit të mëtejmë të shqiptarëve nga Beogradi zyrtar, njofton Qendra për Informim e LPD-së./Titulli.com/