Në vendin kur para 15 viteve nga ushtria atëhershme Jugosllave ishin dëbuar dhe grumbulluar mbi 6.000 shqiptarë të fshatit më të madh në këtë rajon, sot është bërë përurimi i pllakës përkujtimore.
Shiu që binte nuk pengoi banorët e fshatit Tërnoc të komunës së Bujanocit që të shënojnë një datë të rëndësishme, e cila falë kujdesit të udhëheqësisë së fshatit por edhe banorëve nuk u shndërrua në një masakër të ngjashme me ato të Bosnjës e Kosovës.
“Pikërisht më 23 prill të vitit 1999, 15 vite më parë, në orën 16:50 minuta me ultimatumin e ish komandantit të kazermës së Bujanocit, Vidoje Millosheviq dhe gjeneralit të ushtrisë Jugosllave – Nikolliq, u dëbuan të gjithë banorët e Tërnoci nga shtëpitë e tyre, fëmijë, gra, pleq e burra”, tha para masës së grumbulluar iniciatori për ngritjen e kësaj pllake përkujtuese, Emrullah Lutfiu, raporton Titulli.
Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërnocit Agimi Haliti foli për ate se çfarë përjetuan tërnocasit para 15 viteve në dalje të këtij vendbanimi, buzë maleve kur u përzunë nga shtëpitë e tyre.
“Në ditën e sotme kujtojmë atë që përjetuan banorët e Tërnocit në kohën e pushtetit të atëhershëm. Ngjarja në fjalë nuk do të harrohet kurrë”, u shpreh mes tjerash kryetari Agim Haliti.
Në zbulimin e plakës përkujtimore gjithashtu u tha se qëllimi i vetëm i kësaj dhune dhe terrori ishte spastrimi i Luginës së Preshevës nga elementi shqiptar.
“Kjo dhunë ndaj popullatës shqiptare imponoi formimin e UÇPMB-së e cila mbrojti pragun e shtëpisë dhe identitetin kombëtar”, u tha në shënimin e 15 vjetorit të dëbimit.
Gjatë kësaj kohe tërnocasit përveç dëbimit u torturuan edhe në forma të ndryshme, si bastisje nga forcat speciale të policisë dhe ushtrisë ndërsa nuk munguan edhe ftesat dhe marrja e 145 qytetarëve të këtij vendbanimi për mobilizim në ushtrinë e atëhershme Jugosllave.
Këta të rinj u përdorën si mburojë njerëzore në vendet ku qëndronin forcat në fjalë, e ku pritej që të jenë shënjestra të bombardimeve të NATO-së.
Në këtë torturë nuk u lanë anash as objektet fetare, kur në minaren e xhamisë së Strukarëve u vendosë flamuri i Serbisë.
Pllaka përkujtimore e vendosur në shënim të kësaj date me rëndësi u mundësua nga Bashkësia Lokale e fshatit Tërnoc.