Kur ju takoheni me miqtë dhe familjarët në ndonjë ngjarje, shkrepen shumë fotografi, por ju rrallë se i shihni ato. Për këtë Facebooku ka krijuar një aplikacion të quajtur “Moments”, që përdor teknologjinë e njohjes për të shpërndarë fotografitë.
Teknologjia e njohjes është zgjedhja e njëjtë që Facebooku përdori për të sugjeruar etiketimet. Facebooku sugjeron etiketimet te fytyra e personave në foto që kanë ngjashmëri me ndonjë mik tuajin.
“Ju mund të shpërndani privatisht ato fotografi me miqtë tuaj dhe ata mund të zgjedhin të shpërndajnë fotografitë me ju po ashtu. Tani, ju dhe miqtë tuaj keni të gjitha fotografitë që keni bërë bashkë”, ka shpjeguar Facebooku aplikacionin e ri.
Fotografitë do të shtohen te koleksioni i personit që i kishte ato, nëse e ka aplikacionin e ri. Nëse s’e kanë “Momentsin” e instaluar, do të marrë një njoftim në Messenger.
Aplikacioni, që u spekulua shtatorin e kaluar, është në dispozicion për t’u shkarkuar që nga sot, 15 qershor, për iOS dhe Android, por kjo vlen vetëm për Amerikë. Së shpejti do të shpërndahet në të gjithë botën.