Trupat e pajetë të dy meshkujve-emigrantë, ende të paidentifikuar, që besohet se i përkasin besimit Islam dhe janë nga Lindja e Mesme, u varrosën të premten me namazin e xhumasë në varrezat e myslimanëve në qytetin e Bujanocit.
Në ceremoninë mortore morën pjesë qindra besimtarë nga Bujanoci dhe rrethina, ndërsa imami i xhamisë në këtë qytet të Luginës tha se “e kemi obligim për të kryer këtë ceremoni fetare”.
“Sot e kemi pas nderin dhe përgjegjësinë që na mu kon vëllaznit e tyne, kusheritë e tyne, të afërmit e tyne, kështu që e lus Zotin për këtë mundi që e keni bo, Allahu ju shpërbleftë”, tha imami Ulvi Fejzullahu, pas varrimit të dy trupave të paidentifikuar, që sipas zyrtarëve shtetëror, besohet se janë mysliman nga bota arabe, raporton Titulli.com.
Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Bujanoc, Sulejman Fejzulahu, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në varrimin e dy emigrantëve të cilët humbën jetën tragjikisht.
“Për fat të keq këta dy vëllezër humbën jetën në mënyrën më tragjike dhe ne shprehim keqardhjet tona si Këshillë i Bashkësisë Islame, imam, por edhe si xhemat i Bujanocit dhe i Luginës. Neve na vjen shumë keq që kjo ka ndodhë në vendin tonë. Lus Allahun xheleshanuhu që këta dy vëllezër tanë t’i mëshirojë dhe t’i shpërblejë me xhenetin më të mirë”, u shpreh kryetari Sulejman Fejzullahu.
Tashmë trupat e dy emigrantëve do të pushojnë në varrezat e shqiptarëve mysliman, derisa nuk dihet identiteti i tyre, varret e të ndjerëve do të identifikohen me shifra të lëshuar nga institucionet përkatëse.