Më 1 dhe 2 mars shënohet 23 vjetori i Referendumit për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën. Para 23 vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të përgjakshëm të RSFJ – së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane. Nga distanca 23 vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjatë vitit 1991-1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Me 16 shkurt te vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegatëve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptarët e tri komunave : Medvegje, Bujanoc dhe Preshevë. Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Me 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptare nga Lugina e Preshevës për këto tri komunat të cekura me larte. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Sërbisë ishte pengesë e Referendumit. Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetareve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe. U hapen 75 vend votime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetareve ishin të mëdha për votime. Dolën mbi 46.000 votues. 98 % e popullsisë iu përgjigj versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i sukseshëm. Edhe pse me 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim dhe më 7 maj u mor vendimi për çmilitarizimin e UÇPMB-së dhe marrëveshja e paqes së Konçulit me 21 maj 2001 nuk u përmbushë në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe. Referendumi u mbajtë nënë kushte tejet të rënda , në një gjendje të jashtëzakonshme, ku pati shumë qytetarë shqiptarë që u morën në biseda informative. Pati edhe të malltretuar psiqikish dhe fizikisht, por edhe disa dhjetra persona të arrestuar nga ai pushtet i atëhershëm.
Çfarë u arritë që nga ajo kohë e deri më sot
Qeveria e Sërbisë, nuk e pati të lehtë që të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, lavida e UÇPMB-së dhe presioni ndërkombëtarë e detyruan atë që të ul kokën dhe të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale nën vëzhgimin e ndërkombëtarëve dhe pa dallaverat e mëparshme. Kështu më 28.07.20002 ku më shumë se 70 mijë zgjedhës morrën pjesë në votimet për kryetarë komune dhe këshilltarë komunal në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ato zgjedhje kishin për synim krijojnë organe të reja drejtuese demokratike dhe shumë etnike në rajonin e Luginës së Preshevës. Rreth 15 muaj me parë para mbajtjes së zgjedhjeve, NATO-ja kishte ndërmjetësuar në arritjen e një marrëveshjeje, që i dha fund konfliktit të armatosur midis forcave qeveritare të udhëhequra nga sërbët dhe UÇPMB-së, që luftonin për tu bashkuar me Kosovën. Kryengritësit shqiptarë dorëzuan armët dhe qeveria e Beogradit premtoi të përmirsojë të drejtat e shqiptarëve. Megjithatë, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe sërbëve në këtë rajon vazhdojnë të jenë jo të kënaqshme. Ende mungon liria e plotë e lëvizjes, mungon rregullimi me ligjë për përdorimin e simbolit tonë Komëtarë shqiptarë Flamurit, integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore është një realitet i cili nuk po gjen paqe tek pala serbe, dhe shum kërkesa tjera të cilat blloku politik shqiptarë i ka kërkuar nga qeveria e Sërbisë, gjatë bisedimeve me ndërmjetësim të OSBE-së. demilitarizimi i rajonit të Luginës edhe më tej mbetet njëra ndër çështjet më delikate, sepse ushtria serbe jo që nuk ka ndërmarë diç në këtë drejtim ajo po vazhdonë me më shumë presion. Ndërtimi i Lapidarit mbi fshatin Lluçan për ushtarët serb dhe largimi i Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, janë dy faktorë të cilët tregojnë se paqja në këtë rajon është e brishtë.
Në vazhdim ju sjellim dy dokumente, të cilat i përmbajnë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shprehura nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politik dhe ushtarak:
- Marrëveshja e Konçulit.
MARRËVESHJA VIJON SI ME POSHTË:
- Nënshkruesit pajtohen që pa kushte të respektojnë dhe të mbikëqyrin armëpushimin dhe do të përmbahen nga të gjitha aksionet ushtarake, dhunës dhe përdorimit të forcës kundër njëri-tjetrit dhe forcave të të tjerëve.
- Nënshkruesit pranojnë të mbajnë autoritetin dhe kontrollin mbi të gjitha elementet e tyre të armatosura dhe forcave paramilitare, kudo që janë të vendosura dhe të pranojnë përgjegjësinë e plotë për veprimet e tyre.
- Nënshkruesit njohin (pranojnë) dhe mbikëqyrin shtesën protokolare të Konventës së Gjenevës (Protokoll II), të 12 gushtit 1949, lidhur me mbrojtjen e viktimave nga konfliktet jondërkombëtare.
- Marrëveshja vlen për të gjitha forcat e armatosura dhe paramilitare, duke përfshirë policinë e vendosur brenda apo afër kufijve të Zonës së Sigurisë, të cilat janë të definuara në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Forcat e armatosura nënkuptojnë të gjitha palët, grupet dhe individët, të cilët e pranojnë autoritetin dhe komandën e nënshkruesve, duke përfshirë forcat e rregullta, forcat policore, grupet e civilëve të armatosur, paramilitarët, gardat kombëtare, milicinë, policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, policinë ushtarake, shërbimet e inteligjencës, ministrinë federale dhe serbe të Punëve të Brendshme, (trazirat) rebelimin special lokal dhe policinë anti-terroriste si dhe të gjitha forcat jo të rregullta. 6. Kushtet e Marrëveshjes do të hyjnë në fuqi pas këmbimit të kopjeve të nënshkruara, në prani të të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm dhe do të jenë efektive prej orës 00,01. 13 mars, 2001.
- MODALITETET:
- a) Palët pajtohen të mbajnë dhe respektojnë armëpushimin, i cili përfshinë të gjitha llojet e armatimit si dhe vendosjen e minave apo mjeteve të tjera të improvizuara eksplozive. b) Palët pajtohen të ndërmarrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes së cilitdo personel të kumunitetit ndërkombëtar në rajon. c) Palët pajtohen të ruajnë pozicionet e tanishme të forcave të tyre të armatosura, me përjashtim të armatimit të rëndë rreth Bujanocit, të cilat duhet të kthehen në kazerma, e jo të shfrytëzojnë armëpushimin për t`i ndryshuar pozicionet e veta.KUFIZIMET
- a) Palët pranojnë që KOMKFOR-i, në këtë fazë, të ruaj autoritetin nën kushtet e Marrëveshjes Tekniko Ushtarake mbi Zonën Tokësore të Sigurisë dhe Zonën Ajrore të Sigurisë. Ata pranojnë KOMKFOR-in si autoritet të vetëm, i cili vendos nëse, dhe nën çfarë kushte, forcat e RFJ-së lejohen të kontrollojnë dhe kthehen gradualisht në Zonën Tokësore të Sigurisë. Nëse ai vendos të lejojë një rihyrje të tillë, zonat në të cilat forcat e RFJ-së mund të hyjnë, do të jenë të definuara gjeografikisht dhe një definicion i tillë do t`i zëvendësojë referencat e mëparshme, të dhëna në këtë Marrëveshje mbi “lokacionet e tanishme”. Në të gjitha aspektet e tjera, kushtet e dhëna do të vazhdojnë të vlejnë.
- b) Pas rihyrjes nga policia do të kërkohet të veprojë në mënyra të paanshme dhe t`i zbatojë ligjet e RFJ-së /Serbisë, pa ndashmëri në baza etnike, fetare, apo racore. c) Asnjë kusht i kësaj Marrëveshje nuk mund të interpretohet si diçka që anulon të drejtën për vetëmbrojtje. Vetëmbrojtja nënkupton përdorimin e asaj force të domosdoshme dhe proporcionale, për ta mbrojtur veten, apo të tjerët nga një sulm, apo nga ndonjë sulm i mundshëm.
Secili përdorim i forcës duhet të kufizohet në shkallën, intensitetin dhe kohëzgjatjen e domosdoshme për vetëmbrojtje, e jo më shumë.
Hakmarrja, nuk është vetëmbrojtje dhe do të paraqesë shkelje të armëpushimit të Zonës Tokësore të Sigurisë. Kufizimit i shtohet edhe ky pasus:
Platforma politike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës:
16 janar 2006
Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës (Preshëve, Bujanoc dhe Medvegjë) në seancën e mbajtur më 14 janar, në Preshevë:
– Duke qenë të vetëdijshëm se popullata shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (Lugina e Preshevës), po përballet me çështjen e pazgjidhur të statusit të vet politik,
– Duke u angazhuar për ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar shqiptar,
– Duke u angazhuar për format e integrimit gjithëshqiptar, në kuadër të trendeve për integrime evropiane dhe euroatlantike,
– Duke pasur parasysh se format e deritanishme të organizimit territorial nuk kanë ofruar mundësi adekuate për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve të Luginës,
– Duke u angazhuar për bashkimin dhe përqendrimin e fuqisë politike në zgjidhjen e këtyre çështjeve,
– Duke u bazuar në aktivitetin e deritanishëm politik dhe rezistencën e armatosur të shqiptarëve të këtij rajoni,
– Duke gjetur mbështetje të këtyre kërkesave në dokumentet ndërkombëtare (OKB, OSBE, KE), që garantojnë të drejtat e individuale dhe kolektive,
MIRATUAN KËTË:
PLATFORMË POLITIK
- PARIMET:
Në kohën kur Kosova ka hyrë në fazën më të rëndësishme të përcaktimit të subjektivitetit të saj politiko-juridik, kur tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor synon përshpejtimin e procesit në rrjedhat e integrimeve euroatlantike, subjektet shqiptare në Luginë të Preshevës shohin nevojën e ndërmarrjes së veprimeve konkrete dhe të koordinuara për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të këtij rajoni në frymën e proceseve integruese që po zhvillohen në Evropë;
Këshilltarët shqiptare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (në tekst të mëtejmë këshilltarët), konsiderojnë se derisa nuk bëhet një zgjidhje e drejtë e çështjes së shqiptarëve të Luginës, rajoni do të vazhdojë të mbetet vatër e krizës permanente dhe pengesë për integrime euroatlantike;
Këshilltarët kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve të Luginës të garantohen në kuadër të komuniteteve ku ato përbëjnë shumice absolute në rajon (Ballkan Perëndimor), duke u angazhuar për krijimin e lidhjeve speciale të Luginës së Preshevës me Kosovën;
Në frymën e këtyre vlerave duke gjetur mbështetje në dokumentet fundamentale që institucionalizojnë mbrojtjen e të drejtave individuale dhe kolektive, siç janë:
– Karta e OKB-së,
– Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut,
– Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike,
– Pakti ndërkombëtar për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore,
– Konventa kornizë evropiane për të drejtat e pakicave,
– Konventa evropiane për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,
– Karta evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave,
– Dokumentet e OSBE-së, prej të cilave veçojmë:
– Sugjerimet nga Lundi, Osllo dhe Haga,
– Aktin final të Helsinkit 1975
– Karta e Parisit për Evropën e re 1990,
– Dokumentin nga Kopenhaga- Dimensioni njerëzor,
- KËRKESAT E VEÇANTA
Zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes së Luginës së Preshevës nënkupton respektimin e plotë të të drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve përmes zgjidhjes së drejtë të çështjeve si:
Këshilltarët mbrojnë qëndrimin se Lugina e Preshevës duhet të ketë formën e organizimit administrativo-territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, ambientit ekologjik, resurseve natyrore, sferës së banimit, shërbimeve sociale;
Të bëhet decentralizimi i pushtetit dhe transferimi i kompetencave prej nivelit qendror në nivelin e veatadministrimit lokal dhe rajonal, institucioneve tjera shtetërore e posaçërisht në sistemin gjyqësor ku duhet krijuar Gjykatën e Qarkut, Gjykatën Tregtare, Këshillin për kundërvajtje me kompetencë territoriale për këtë rajon;
Të bëhet çmilitarizimi i plotë i Luginës së Preshevës dhe largimi i bazave militante ekzistuese si dhe atyre në ndërtim;
Çështja e sigurisë publike të jetë në kompetencë ekskluzive të policisë multietnike dhe strukturave të saj komanduese;
Zhvillimi ekonomik i rajonit përmes krijimit të kushteve lehtësuese të kreditimit të ndërmarrjeve të vogla apo të mesme, tërheqjes së kapitalit të huaj, krijimit të qendrave të biznesit me krijimin e Zonës së Lirë Tregtare, bashkëpunim ndërkufitar në kuadër të projekteve me donatorët ndërkombëtarë;
Privatizimi i ndërmarrjeve ekzistuese shoqërore të bëhet me krijimin e kushteve të barabarta të pjesëmarrjes;
Sistemi arsimor në Luginë të Preshevës të harmonizohet me sistemin arsimor të Kosovës, konform standardeve evropiane për arsim,
Integrimi proporcional i shqiptarëve në strukturat e pushtetit lokal dhe rajonal në të gjitha institucionet shtetërore e publike të të gjitha niveleve;
Aplikimi zyrtar i gjuhës shqipe në institucionet e vetadministrimit lokal, institucionet shtetërore dhe ato publike të të gjitha niveleve;
Përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare të shqiptarëve, si dhe e drejta e shënimit publik të datave të rëndësishme nga historia kombëtare;
Themelimi i institucioneve për shprehjen, ruajtjen, avancimin e vlerave kulturore, informative, fetare dhe tradicionale, specifike për shqiptarët;
Krijimi i institucioneve të veçanta për mbrojtje sociale të shtresës së rrezikuar të popullatës;
Zhvillimi i institucioneve ekzistuese shëndetësore për mbrojtje primare të popullatës dhe krijimi i mundësisë për mbrojtje sekondare shëndetësore të popullatës së Luginës së Preshevës përmes ndërtimit të një spitali për këto komuna;
Kthimi i qëndrueshëm i popullatës së zhvendosur përmes kompensimit të dëmeve në pasuritë e tyre, zhvillimit të infrastrukturës rrugore, shëndetësore dhe arsimore;
Të bëhet respektimi i plotë i Ligjit për Amnistinë (Fl.zyrtare e RFJ-së 37/2002 të 3.07.2001) e ish- pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe ndërprerja e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve, lirimi i të burgosurve politikë;
Ndërprerja e fushatës së frikësimit me dërgimin e ftesave për shërbim ushtarak të të rinjve shqiptarë;
Ndriçimi i vrasjeve të civilëve në periudhën 1999-2001;
Trajtim adekuat të diasporës shqiptare të këtij rajoni nga institucionet vendore përmes ruajtjes së lidhjeve të saj me vendlindjen, me jetën, me zakonet, me gjuhën dhe kulturën e tyre si dhe të inkurajimit për investimin e kapitalit të tyre në rajon;
Për realizimin e qëllimeve të sipërshënuara këshilltarët shqiptarë shtrojnë nevojën e krijimit sa më të shpejtë të organit të përbashkët reprezentues – Këshillin Nacional.
III. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Duke rikonfirmuar vullnetin e popullatës të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, për definimin e Luginës së Preshevës si rajon të posaçëm politik-territorial-kushtetues, këshilltarët, në përkrahje të parimeve të Grupit të Kontaktit lidhur me statusin e Kosovës, obligohen që, në rast të mosrespektimit të këtyre parimeve dhe ndryshimit eventual të kufijve të saj, do të angazhohen për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën.
(Këshilltarët shqiptarë të Luginës së Preshevës (Preshëve, Bujanoc dhe Medvegjë) në seancën e mbajtur më 14 janar, në Preshevë miratuan këtë platformë politike të cilën e botojmë të plotë).