Migrimet e fundit kanë provokuar edhe mendimin shkencor për të gjetur shkaqet edhe pasojat e këtij fenomeni. Për të diskutuar çështjen e migrimit të shqiptarëve ishin mbledhur studiues të shumtë në sesionin shkencor me temë “ Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat 1912/2015”, të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Islame, në të cilën pritet të prezantohen 15 kumtesa.
Arratisja e fundit si pasojë e krizës morale e kulturore dhe si mjet për ta imponuar disiplinimin e ri të shqiptarëve” është kumtesa që do të prezantoi studiuesi Milazim Krasniqi.
E gjithë kjo çështje, sipas Krasniqit, është si një provokim i Shërbimeve Sekrete Serbe me disa akterë ndërkombëtarë dhe krimin e organizuar të brendshëm.
“Jam mundu të shoh disa prej faktorëve që e shkaktojnë. Mua më ka rezultu që është një provokim i Shërbimeve Sekrete Serbe me disa akterë ndërkombëtarë dhe krimin e organizuar të brendshëm, me disa struktura të ndryshme politike, mediale që po ashtu provokojnë këtë arratisje dhe e gjitha kjo bëhet me një qëllim. Bëhet për të disiplinuar shqiptarët, për t’u luftu nacionalizmi shqiptar, për t’u luftu disa fenomene siç është i ashtuquajturi islami radikal. Pra, qëllimi është një lloj disiplinimi i ri i shqiptarëve dhe kjo është arsye pse është provoku gjithë kjo, që në fakt ka rezultu me një poshtërim spektakular të shqiptarëve… Kjo që po ndodhë është me qëllime afatshkurta, por qëllimi është me i kriju disa kushte për krijimin e Gjykatës Speciale për disiplinimin e shqiptarëve dhe pastaj kjo do të hyjë në binarë”, shprehet Krasniqi.
Sesionin e ka shpallur të hapur dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Fahrush Rexhepi, duke vlerësuar se braktisja e vendlindjes është një nga rrugët më të shkurtra të shfarosjes së një kombi dhe tjetërsimit kulturor të tij.
Rexhepi referuar burimeve, që ai i quan të sakta, thotë se vetëm në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 më shumë se 173 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil nëpër vendet e Bashkimit Evropian.
“Sipas burimeve të sakta, vetëm nga fundi i vitit 2014 dhe nga fillimi i vitit 2015 më se 173 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil politik në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian. Për migrimin e qytetarëve nga Kosova shumë mirë ka funksionuar edhe plani mafioz përfshirë këtu edhe shërbimet me përfitime të mëdha që po ofron Serbia. Në këtë projekt janë të implikuar edhe Serbia por edhe qarqet tjera antishqiptare dhe atë për shkaqe më tepër politike për të dëshmuar para botës dhe Evropës se shqiptarët edhe pas pavarësisë nuk mund të mbajnë shtet, nuk mund të krijojnë stabilitet politik dhe ekonomik”, shprehet Rexhepi.
Sipas tij, fenomeni i migrimit të shqiptarëve daton që nga viti 1941 dhe në atë kohë kishin migruar 240 mijë shqiptarë. “Në vitet 1950-1961 thonë se rreth 400 mijë shqiptarë kishin lëshuar vendin për shkak të dhunës, pushtimeve e politikës. Kurse vetëm gjatë luftës rreth 1 milionë shqiptarë kishin lëshuar vendin dhe shumë prej tyre ishin kthyer me çlirimin e vendit”.
Në emër të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Halimi përgëzoi organizatorët për mbajtjen e sesionit shkencor me një temë, që sipas tij, aq sa është aktuale dhe reale në të njëjtën kohë është edhe urgjente.
“Po zbrazet Kosova e po realizohen synimet e qëllimet djallëzore të armiqve tanë shekullor”, tha Halimi.
Sesioni shkencor për migrimin vazhdon edhe sot me paraqitjen e kumtesave nga pejsëmarrësit.