Telegrafi ju risjell shkrimin e akademikut Fehmi Agani (1932-1999), të botuar në maj të vitit vitit 1991 në “Fjala”, me titullin: Si duhet të zgjidhet çështja shqiptare në Ballkan? Në këtë shkrim akademik Agani zbërthen sintagmën “Shqipëri e Madhe”, që gjithmonë është shfrytëzuar nga serbët kundër interesave shqiptare, për të mohuar Shqipërinë etnike. Kjo sintagmë, “Shqipëri e Madhe”, edhe sot keqpërdoret nga qarqet politike të Serbisë. Mendjemprehtësia dhe guximi i akademikut Agani, si një ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, bën që ky shkrim edhe sot mos ta humbas aktualitetin. Prandaj, nga ky artikull e sidomos nga personaliteti i Aganit, ne edhe sot duhet të nxjerrim mësime. Akademiku Fehmi Agani u vra afër Lipjanit nga forcat ushtarake e policore serbe, më 6 maj të vitit 1999. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët kryesorë të Ibrahim Rugovës dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Shkrimin do ta botojmë të plotë më poshtë.
Sintagmë e çuditshme dhe shumë e rrezikshme kjo: “Shqipëria e Madhe”!
U përdor dhe u keqpërdor si etiketë e diskualifikim, si kërcënim e njollosje, si dënim a e drejtë ankese! Ishte vokabular i pashmangshëm i politikanëve dhe i atyre që i pretendonin lartësisë e privilegjet, të cilat s’arrihen pa u ngjitur kokulur shkallëve të turpit. Ishte term shfrenimi e mallkimi, akuzë, dënim dhe ekzekutim i menjëhershëm! Dhe arritëm ta dëgjojmë këtë sintagmë edhe në skenë, si një përqeshje e parodizim, më duket fare i pasukses: “Gjithë bota do të bëhet një - Shqipëri e Madhe”.
Sa kush e ka pësuar, sa kush është dënuar, sa vite burgu janë vuajtur për shkak të akuzës për - Shqipëri të Madhe! Sa frikësime, sa denoncime, sa ndërprerje të zhvillimit normal jetësor nga kjo akuzë!
Mbi të gjitha “Shqipëria e Madhe” ishte një mashtrim, një mistifikim, një errësim i çështjeve. Shërbente për të mjegulluar, jo për të ndriçuar gjë. Pushtetit të hegjemonisë i shërbeu gjithmonë për të dekurajuar dhe për të pamundësuar kërkesat normale e legjitime të shqiptarëve përkëtej kufirit. E edhe për t’iu kërcënuar atyre përtej kufirit!
Dyzet vjet u grindën partitë komuniste të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë dhe akuza e kërcënimi më i rëndë që u bëhej udhëheqësve të komunistëve të Shqipërisë ishte akuza dhe kërcënimi se ata dëshirojnë - Shqipërinë e Madhe. Dhe, aq insistohej në këtë akuzë sa e detyruan prijësin e komunistëve të Shqipërisë (këtë e kam me të dëgjuar) të thotë diku pas vitit 1981: po na akuzojnë për Shqipëri të Madhe, sikur të donin të na detyronin të deklaronin se jemi për Shqipëri të Vogël!
Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe, për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe! Mendohej se kjo shprehje është mjaft e demonizuar dhe mund të arrijë bllokimin e plotë dhe ilegjitimimin e çdo kërkese të shqiptarëve.
Edhe kërkesa për subjektivitetin e shqiptarëve dhe konstituimin e barabartë, federal ose konfederal të Kosovës, për Republikën e Kosovës, e artikuluar qartë në diskutimet kushtetuese dhe veçanërisht në demonstratat e vitit 1968, e shprehur fuqishëm më 1981 dhe e kodifikuar si kërkesë gjithëpopullore më 1990, nga forcat e hegjemonisë u refuzua dhe u ndoq gjoja si kërkesë për Shqipëri të Madhe. Që edhe sot forcat e hegjemonisë e të dominimit përpiqen ta përdorin letrën e “Shqipërisë së Madhe” kundër kërkesave të shqiptarëve, dëshmohet qartë edhe me Informatën e Kryesisë së Jugosllavisë mbi gjendjen e sigurisë në vend, që iu dërgua këto ditë Kuvendit Federativ. Kosova trajtohet, “për nga pasojat e mundshme politike e të sigurisë”, si një ndër vatrat kryesore të krizës. Përmenden marrëdhëniet e ashpërsuara ndërnacionale, rezistenca ndaj masave të Serbisë - represioni serb është i bekuar, mallkohet rezistenca! - dhe internacionalizimi i gjendjes në Kosovë. Dhe, prapë: Shqipëria e Madhe.
Edhe kërkesat për realizimin e Kushtetutës së Kaçanikut, edhe kontaktet kaq të pakta dhe fare normale me subjekte politike të Shqipërisë, vlerësohen si të tilla që synojnë - “realizimin e qëllimit të përbashkët - krijimin e Shqipërisë së Madhe”.
Të mësuar me këtë shpërdorim, pakkush pyet: vërtet, nga erdhi, ç’është dhe ç’mund të jetë kjo Shqipëri e Madhe?
Në një përcaktim elementar, por në esencë të saktë, ky atribut i jepet një shteti që shtrihet përtej kufijve të zonës së tij të natyrshme etnike, zonës ku kombi përkatës përbën shumicën. Pra, Bullgaria e madhe do të ishte shtrirja ose pretendimi i shtetit bullgar për t’u shtrirë jashtë zonës ku bullgarët përbëjnë shumicën. Kështu do të mund të thuhej për Serbinë e Madhe, për Greqinë e Madhe etj. Ndodh që vende ose popuj të caktuar, në çaste euforie triumfaliste, të proklamojnë haptas madhësinë ose pretendimet e tyre për madhësi, sikundër ngjet sot kur flitet haptas për idenë dhe pretendimet për krijimin e Serbisë së Madhe, për Serbinë prej Horgoshi deri në Dragash etj.
Por, zakonisht, pikërisht pse projekte ose pretedimet e këtilla implikojnë aneksimin dhe pushtime të të tjerëve, bëhen përpjekje që ato të fshihen, flitet për ato me eufemizëm, në formë të kërkesave: të krijojmë Serbinë që të përfshijë të gjithë serbët! Kërkesa të këtilla, në dukje të parë, sikur gëzojnë legjitimitet.
Nisur nga përcaktimi i mësipërm, ç’është apo ç’do të ishte Shqipëria e Madhe?
Shprehja “Shqipëri e Madhe” fitoi një të drejtë publiku, hyri në përdorim pak më të gjerë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Pushtuesi italian, pas kapitullimit të Jugosllavisë, kishte shtrirë zonën e tij të okupimit edhe në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Nuk i kishte bashkuar të gjithë shqiptarët në Shqipërinë nën okupim italian, sepse në disa zona shqiptare kishin vënë dorë okupatorë të tjerë: Gjermania, Bullgaria. Sidoqoftë, Shqipëria nën okupimin italian u zgjerua dhe këtë Shqipëri, për arsye demagogjike, për qëllime të mashtrimit politik, okupatori e quante “Shqipëri të Madhe”.
Shqipëri të Madhe e quanin edhe qeveritë kuislinge. Donin në këtë mënyrë të arsyetonin shërbimin që i bënin pushtuesit, bënin sikur po flijoheshin për këtë Shqipëri të Madhe.
Sintagma “Shqipëri e Madhe” ishte e okupatorit dhe e kuislingëve! Ishte një demagogji, një mashtrim, një shfajësim.
Asnjëra nga forcat e tjera politike të Shqipërisë nuk fliste për Shqipëri të Madhe. Partia Komuniste nuk fliste për kufijtë e Shqipërisë së pasluftës. Kufijtë që i kishte caktuar okupatori i quante të papranueshëm, nuk donte që Kosova të bëhej mollë sherri ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe shpresonte në fjalët e Titos, ose bëhej se u besonte atyre. E, Tito shprehimisht kishte deklaruar se për kufijtë në mes të këtyre dy vendeve nuk duhet të flitet gjatë luftës, për këtë çështje do të vendosë populli i Kosovës pas luftës, në bazë të parimit të vetëvendosjes. Sa sinqeritet e sa mashtrim kishte në këto premtime nuk mund ta shqyrtojmë këtu. Mund të përmendim vetëm se në letrat e Titos për këtë çështje, si edhe në gati të gjitha dokumentet e Partisë Komuniste e të Lëvizjes Çlirimtare të Jugosllavisë të kohës së luftës, së paku deri nga mesi i vitit 1944, shqiptarët në Jugosllavi trajtohen si komb, kurse e drejta e tyre për vetëvendosje nuk kontestohet fare.
Partitë e tjera politike dhe grupe politikanësh, kur ishte çështja e kufijve të Shqipërisë së pasluftës, ose çështja e Kosovës, siç quhej ky problem që ishte një çështje e rëndësishme e cila përcaktonte në një masë të madhe orientimet dhe angazhimin politik të partive e të individëve, nuk flasin për Shqipëri të Madhe, por për Shqipëri etnike. Shqipëri që do të përfshinte tokat shqiptare, si thuhej, apo zonat ku shqiptarët përbëjnë shumicën. Shqipëria etnike ishte parulla, kërkesa, insistimi politik ndër më kryesorët. Përkundër seriozitetit të “Shqipërisë etnike”, “Shqipëria e Madhe” përdorej me tone përqeshëse dhe ironizimi.
Edhe në bisedat dhe në Marrëveshjen e Mukjes, ndërmjet PK ose Frontit Çlirimtar të Shqipërisë dhe të Ballit Kombëtar, një ndër pikat e marrëveshjes ishte lufta e përbashkët për Shqipëri etnike. Nën ndikimin apo presionin e Jugosllavisë, PK e Shqipërisë hoqi dorë nga kjo marrëveshje, ndërmjet PK e të Ballit Kombëtar u zhvillua konfrontimi më i madh politik dhe ushtarak, që solli thyerjen e Ballit. Megjithëkëtë, gati një gjysmë shekulli Jugosllavia nuk i ndërpreu akuzat kundër PK të Shqipërisë për “dobësinë nacionaliste” të shprehur në Mukje.
Por, në qoftë shprehja Shqipëri e Madhe shprehje që e përdornin vetëm okupatori dhe kuislingët, produkt manipulativ i tyre, si zuri rrënjë kaq të thella dhe si gjeti përdorim kaq të gjerë në Jugosllavi?
Pikërisht për shkak të karakterit mjegullues dhe manipulativ të saj. Sepse, mund të instrumentalizohej dhe keqpërdorej më lehtë, mund të formulohej edhe si përqeshje dhe si akuzë. Dhe, mbi të gjitha, kjo shprehje nuk e ka seriozitetin dhe legjitimitetin e një pretendimi real e të arsyeshëm. Të mos harrojmë edhe se në Jugosllavi shprehja Shqipëri e Madhe nuk përdoret në kuptimin e përcaktuar më lart, si shtrirje ose pretendim jashtë territoreve ku shqiptarët përbëjnë shumicën, por si një kërcënim kundër guximit që të shikohet jashtë kufijve të 1913-tës. Dhe, jashtë këtyre kufijve është gjysma e popullit shqiptar!
Po sot, ç’kuptim ka sot Shqipëria e Madhe?
Mjerisht, forcat e hegjemonisë e të dominimit ende shpresojnë në mundësitë e instrumentalizimit negativ të kësaj etikete. Ndonëse sot kjo duket punë e kotë. Kur proceset emancipuese e integruese në Evropë po shembin shumë marrëdhënie e standarde të vjetra, kur po ndryshojnë përmbajtje dhe karakter edhe kategoritë e tilla si kategoritë e shtetit, të kufirit shtetëror, të sovranitetit, s’arrihet gjë me etiketa të tilla. Veçanërisht kur e kanë humbur intensitetin kërcënues të dikurshëm.
Ç’është, pra, sot Shqipëria e Madhe?
Një gënjeshtër, një provokacion dhe një instrument i çinstrumentalizuar, i papërdorshëm. Shqipëri të Madhe s’ka dhe s’mund të ketë. Realisht ekziston një shtet shqiptar, sot me shumë vështirësi, por që shpresojmë t’i përballojë sa më shpejt. Ekziston në Jugosllavi, gjysma e popullit shqiptar që dëshiron të jetë e lirë dhe e barabartë me popujt e tjerë dhe kjo barazi të jetë e njëmendtë, e gjithanshme dhe e institucionalizuar. Popull që kërkon të afirmojë të drejtën që edhe të gjithë shqiptarët të kenë probleme të përbashkëta, interesa të përbashkëta, kërkesa të përbashkëta. Ekziston, nga ana tjetër, një Jugosllavi me hipoteka e pretendime të hegjemonisë e të dominimit brenda saj, e paaftë t’i pranojë shqiptarët si të barabartë. Këtë kundërshti nuk mund ta tejkalojnë kategoria obskurante, etiketa dhe kërcënimi - Shqipëri e Madhe.
Nëse nuk përballohet kjo kontradiktë, nëse Jugosllavia nuk gjen forcë të ngrihet aq sa t’i pranojë shqiptarët si të barabartë (dobësitë ndaj presioneve serbe janë dobësi të Jugosllavisë), ose nëse Jugosllavia shembet nën peshën e kontradiktave dhe të mëkateve të veta, a ka gjë më të natyrshme se të mendojnë edhe shqiptarët për bashkimin e natyrshëm të tyre në një shtet të përbashkët, as të madh, as të vogël, por shtet të të gjithë shqiptarëve, kudo ku përbëjnë shumicën, për të jetuar vetë të bashkuar e në miqësi me të gjithë të tjerët?