Kur prindërit e saj ishin larguar nga fshati Suharnë i komunës së Bujanocit, Vlora nuk ishte veçse gjashtë vjeçe.
Prindërit e saj mes jetës në fshat, paperspektivës e pasigurisë nga prania e përhershme e xhandarmërisë serbe, kishin qenë të detyruar të lënë vatrat shekullore dhe u vendosën në Gjilan. Vlora që ishte e vogël, asnjëherë nuk e kishte ditur se ç’do të thotë të jetosh pa asnjë dokument.
Ajo u regjistrua në klasë të parë në Gjilan si refugjate, u rrit, kreu filloren dhe shkollën e mesme dhe kur deshi të vazhdojë fakultetin, ngase tashmë ajo kishte zgjedhur profesionin e mësueses, ajo nuk ia arriti të regjistrohet, ngase nuk kishte as letërnjoftim të Serbisë e as të Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".
E thyer nga mosrealizimi i ëndrrës së saj jetësore, ajo u struk në shtëpi, pa shpresë për një të ardhme. Një ofertë për martesë në Gjermani edhe më tepër ia shtoi problemet, ngase asaj tashti i duhej edhe pasaporta, por ajo dhe të afërmit e saj tashti kishin këmbëngulur që deri në fund të kërkojnë të drejtën e tyre për t’u bërë me atdhe dhe pas disa muaj bredhjesh Gjilan – Prishtinë, qindra lutjesh e kërkesash përfundimisht ia arriti qëllimit.