/ / Si para dy dekadave, “Shota” çmalli shqiptarët e Luginës

Si para dy dekadave, “Shota” çmalli shqiptarët e Luginës

Në prani të qindra preshevarëve, në Shtëpinë e Kulturës "Abdulla Krashnica" në Preshevë, të premten u shfaq koncert madhështorë nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova.
Koncerti i cili u zhvillua në kuadër të shënimit të 50 vjetorit të themelimit të këtij ansambli, i begatur me valle dhe këngë nga repertori i “Shotës”, ngjalli interesim të lartë tek popullata shqiptare e Luginës së Preshevës. 
“Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj, para shqiptarëve të këtij rajoni tha se Presheva është e veçantë për shumë arsye.
“Në një kohë kur në Kosovë kishte masa të dhunshme, kur s’kishte hapësirë veprimi, preshevarët dhe kjo shtëpi e kulturës u gjet si strehë”, u shpreh drejtori i “Shotës” Gjocaj, i cili në shenjë kontributi në rritjen e “Shotës”, në zhvillimin e afirmimin e saj dhe zhvillimin e kulturës shqiptare, i ndau një dhuratë në shenjë mirënjohje drejtorit të shtëpisë së kulturës “Abdulla Krashnica”, Naser Nuridini, raporton portali informativ Titulli.com.
Ndërkaq, nikoqiri  u përkul para artistëve të këngës dhe valles së mirëfilltë shqipe.
“Gjithandej keni shpërndarë me decenie emocione më të zjarrta të çdo shqiptari. Ne ju jemi mirënjohës për të gjithë punën që bëni dhe sa herë vini këtu zemrat e tona do të jenë të hapura”, tha me këtë rast drejtori Nuredini, i cili, gjithashtu mysafirit nga Kosova i dorëzoi një dhuratë.
Organizimin e këtij koncerti e përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, i cili ishte në shoqëri edhe të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliut.
“Sonte, në saje të 50 vjetorit të shënimit të ansamblit kulturorë, “Shota” erdhi këtu në Preshevë që të kultivohet dhe mbillet përgjithmonë kultura e mirëfilltë kuqe zi me këta artistë të merituar”, tha mes tjerash Mustafa.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” si tre qendrat më të rëndësishme ku mendon ta mbajë koncertin e vet, pas atij në Prishtinës, kishte zgjedhë Preshevën, Tetovën dhe Ulqinin.
Drejtori i këtij ansambli Shefqet Gjocaj, në shënimin e këtij 50 vjetori, nuk harroi edhe veprimtarin e madh dhe të dalluar të kulturës, preshevarin e ndjerë Agron Boriçi, të cilit edhe i bëri homazh para të pranishmëve në sallë.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve "Shota" është themeluar në vitin 1948 si njëri ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë.
Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë ky ansambël ka funksionuar si shoqëri amatore dhe më pastaj si ansambël gjysmë-profesional.
“Shota”, për herë të fundit në Preshevë kishte qëndruar para rreth dy dekadave./Titulli.com/

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post