Emisioni i njohur sportive në Itali, “Tiki Taka”, ka publikuar një pjesë të materialit që Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar UEFA-s, për të evituar humbjen në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë ndaj Serbisë.
Mbrëmjen e së hënës, një nga emisionet më të njohura sportive në Itali, “Tiki Taka” i kanalit “Italia Uno”, ka publikuar ekskluzivisht një pjesë të materialit që Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar UEFA-s, për të evituar humbjen për ndeshjen e ndërprerë ndaj Serbisë dhe për të marrë 3 pikët.
Një material i parë shumë herë nga të gjithë ne, vetëm nga UEFA jo, megjithatë opinioni publik italian, në prag të ndeshjes që do të luajë sot përfaqësuesja e tyre me Shqipërinë, duket të jetë akoma më i shokuar nga ajo që dëgjuan në gjuhën e tyre këtë herë, apo panë ekskluzivisht me fakte.
Mes shtangies së të ftuarve të këtij emisioni, ajo për të cilën vendoset theksi më tepër, pasi është ndjekur edhe një intervistë e Lorik Canës, është kërkesa që ka bërë gjyqtari për t’u rikthyer në fushën e lojës.
“Gjyqtari është cilësuar si jo koshient për atë çka ndodhi, me sa duket, dhe kjo është shumë e rrezikshme”.
Një tjetër publik i befasuar nga dhuna e egër në stadiumin e Beogradit, dhe kjo i ndodh italianëve, të cilët vetë ishin të befasuar nga ato fishekzjarrë që tifozët kroatë hodhën në fushën e “San Siros” të dielën në mbrëmje, në kualifikuesen e Europianit, por që mbi të gjitha, materiali ekskluziv i “Italia Uno”-s rezultoi shokues për të gjithë.
Ndërkohë, sa i përket çështjes, tashmë ajo ka kaluar në Apel dhe vendimi i tij, nga i cili nuk shpresojmë shumë, pritet të merret më 2 dhjetor.