Në Beograd, në kryeqendrën e Serbisë, Shaip Kamberit, deputet nga Lugina e Preshevës, i janë shtuar vizitat. Prejse është zgjedhur deputet popullor, pozicioni i tij po sforcohet çdo ditë e më shumë, ndonëse thotë se ndaj zërit të tij dhe të deputetëve të tjerë të pakicave në Serbi vazhdojnë paragjykimet. Ai thotë se, aktualisht, Serbia po e lufton Këshillin Nacional.
Tek zbret shkallëve të godinës së vjetër të ish-Kuvendit të Federatës Jugosllave, shqiptari nga Bujanoci, Shaip Kamberi, hedh hapa të ngadalshëm në drejtim të platesë me beton, përpara objektit të vjetër e përplot dekore të Kuvendit të Serbisë.
Në Beograd në kryeqendrën e Serbisë, Kamberit i janë shtuar vizitat. Prejse është zgjedhur deputet popullor, pozicioni i tij po sforcohet çdo ditë e më shumë, ndonëse thotë, se ndaj zërit të tij dhe deputetëve të tjerë të pakicave në Serbi vazhdojnë paragjykimet.
Çdo temë që prek pakicat në Serbi, sipas tij, heshtet. “Heshtja është një vazhdimësi e qeverive të Serbisë, që çështjet e shqiptarëve mundohen t’i trajtojnë si çështje të mbyllura”, thotë ai, në një intervistë për “Zërin” dhënë në objektin e Kuvendit të Serbisë, në Beograd.
MST: Serbia po defunksionalizon Këshillin Nacional të shqiptarëve
Ngritja e secilit problem që mund të kenë banorët shqiptarë në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, ai thotë se është sfidë në vete.
“Në vitin 2001 është hartuar një plan se cilat probleme duhet zgjidhur në Luginën e Preshevës. Ai program ka qenë ambiciozë dhe përveç investimeve në sferën e infrastrukturës, ku ka përparime, në sferat tjera përparimet janë shumë të mangëta. Por, në përpjestim me pjesën tjetër të Serbisë as investimet në infrastrukturë nuk janë në përputhje”, thotë Kamberi, sipas të cilit, Serbia jep shumë më shumë mjete për kokë banori për qytetarët e Serbisë sesa për ata shqiptarë të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
I veshur me kostume ngjyrë të kaltër të mbylltë, ku kollares së vënë me kujdes, mes vijash ngjyrë hiri i kombinohet jo vetëm për simbolikë e kuqja dhe e zeza, deputetit popullor të Serbisë, Shaip Kamberit, pas një takimi me sekretarin shtetëror të Ministrisë së Pushtetit Lokal, i është shtuar edhe një dilemë. Nëse, shqiptarët duhet të marrin apo jo pjesë në zgjedhjet e këshillave nacionale, që do të mbahen më 26 tetor të këtij viti.
“Ligji e lidh numrin e anëtarëve të Këshillit Nacional me numrin e banorëve që ka një pakicë. Meqenëse, ne kemi bojkotuar regjistrimin (janë vetëm pesë mijë shqiptar në Serbi që kanë marrë pjesë në regjistrim) për shkak të këtij fakti, tash numri i anëtarëve të Këshillit Nacional nga 29 sa është aktualisht do të ulet në 15”, ka thënë Kamberi.
Megjithatë, ai tha se janë skeptikë nëse situata do të ndryshojë. “Pro, ne si Parti për Veprim Demokratik do të shqyrtojmë daljen apo jo në zgjedhje”, ka thënë ai.
Duke folur për pasojat e këtij vendimi, Kamberi ka thënë se me këtë do të ulen investimet për shqiptarët, që edhe ashtu janë të vogla. “Pra, me këtë pritet të ulët 30 për qind investimi i mjeteve në Këshillin Nacional”, ka thënë ai për gazetën "Zëri", transmton Titulli.com.
Kamberi thotë, gjithashtu, se me këto veprime, Këshilli do të bëhet jofunksional, pasi nëse ai paguhet për pesë mijë banorë, sa kanë marrë pjesë në regjistrim, kurse do të kryejë punë edhe për 50 mijë të tjerë, atëherë automatikisht do të defunksionalizohet nga mbingarkesa.
Në korridorin me një plate tejet të lartë, me dritare harkore, që nuk i japin edhe aq ndriçim natyral Kuvendit Popullor të Serbisë, Kamberi përshëndetet nga të gjithë kolegët që mund të kalojnë skaj tij, refleksion ky i respektit që tregohet për të.
“Raportet ndërkolegiale janë të mira. Por, situata ndryshon kur bëhet fjalë për votime”, thotë ai.
Jo vetëm deputetët, por janë edhe qytetarët beogradas ata që shpesh ia thonë mendimin e tyre deputetit shqiptar. Madje, shpesh deputetët shqiptarë ndalohen edhe në rrugë, qoftë për t’u përshëndetur, qoftë për t’iu dhënë mbështetje për atë që ngrinin për pakicat në Serbi.
“Sidomos kjo më shpesh i ndodhë z.Riza Halimi, pasi atë e njohin më shumë, duke pasur parasysh se është deputet që disa mandate. Shpesh e ndalojnë dhe i thonë se ajo që kërkoni dhe e thoni ju është e vërteta e qëndrueshme”, tregon Kamberi.
Sipas tij, kjo është shumë e sinqertë nga ana e atyre qytetarëve të Serbisë. Por, thotë se jo të gjithë mendojnë kështu.
Të dhënat shqetësuese për jetën e pakicave në Serbi
Një raport i Komitetit Këshillëdhënës të Këshillit të Evropës ka treguar të dhëna shqetësuese, sa i përket trajtimit të pakicave në Serbi. Çdo i pesti qytetarë në Serbi, aprovon shkeljen e të drejtës, nëse ajo shkelje varet apo orientohet nga përkatësia nacionale e një pjesëtari konkret. “Pra, nëse një individit i shkelet e drejta pse është pjesëtarë i një pakice, çdo i pesti qytetarë e arsyeton atë shkelje”, thotë deputeti popullor Shaip Kamberi.
Sipas tij, raporti mbi 100 faqesh evidenton të gjitha shkeljet e të drejtave të pakicave që janë të garantuara me Konventën e Këshillit të Evropës e që mbron të drejtat e pakicave.
“Ky opinion që është një sugjerim i Komitetit Këshillëdhënës do të duhej aprovuar nga Komiteti i ministrave të këshillit të Evropës për të bërë një raport zyrtar dhe për të ta detyruar Serbinë që të sillet konform tij”, ka thënë ai.
Po ashtu, raporti , sa i përket çështjes së shqiptarëve, sugjeron autoritete në Beograd të dhënat e regjistrimit civil t’i trajtojë me fleksibilitet, pasi konsiderohen të pasakta. Dhe realizimi i të drejtave të pakicave të mos varet nga ato shifra që kanë të bëjnë me një pjesë të popullatës që është regjistruar.
Në Serbi, minoritetet sprovohen nga e drejta për shkollim
Ndërkohë, ky raport nuk anashkalon edhe problemet në arsimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për të cilën Kamberi ngriti zërin dhe ngjalli polemika në Kuvend.
“Ka një vendim të Qeverisë së Serbisë që të gjithë nxënësve nga klasa e parë deri në të katërtën tekstet shkollore iu jepen falas. Të shqiptarët kjo nuk po ndodhë, pasi ka mungesë të një pjese të teksteve, pastaj nuk janë të përkthyera, nuk lejohet përdorimi i atyre të Kosovës e as i atyre të Shqipërisë”, ka thënë Kamberi.
Kamberi tregon se në momentin që ka ngritur këtë çështje në Kuvendin Popullor të Serbisë, ka reaguar kryeministri, duke r detyruar ministrin e Arsimit që të shkojë në Bujanoc dhe t’i shpërndajë tekste falas për fëmijët shqiptarë.
“Por, janë shpërndarë në mënyrë të pjesshme. Sepse në lëndët, ku nuk ka tekste të përkthyera, nuk ka mundur t’i shpërndajë”, rrëfen ai./Titulli.com/