Javën e kaluar janë realizuar një sërë udhëtimesh për në Mekke. Albinfo.ch mëson se këtë vit nga Zvicra kanë udhëtuar për në Haxh mbi 500 shqiptarë të besimit islam
Çmimet e larta vazhdojnë të mbeten preokupim i të gjithë udhëtarëve dhe atyre që mendojnë të udhëtojnë në vitet e ardhshme. Imami Bekim Alimi e arsyeton rritjen e çmimeve me ndërtimet dhe ndryshimet e përvitshme që ndodhin në dy qytetet e shenjta, Mekka dhe Medina.
Mekka dhe Medina janë këto dy qytete në Arabinë Saudite, të cilat konsiderohen të shenjta për myslimanët dhe sipas Islamit obligohet çdo mysliman të vizitojë këto qytete një herë në jetë nëse ka mundësi shëndetësore dhe financiare.
Javën që lamë mbrapa janë realizuar një sërë udhëtimesh për në Mekke, qytetin e shenjtë në Arabinë Saudite. Albinfo.ch mëson se këtë vit nga Zvicra kanë udhëtuar për në Mekke mbi 500 shqiptarë të besimit islam.
Nga bisedat që realizuam me disa haxhilerë mësuam se një nga preokupimet e tyre ishte dhe rritja permanente e çmimeve nga viti në vit.
Nëse në vitin 2011 bileta dhe shpenzimet e tjera për në haxh kanë kushtuar 4900 franga, tanimë për këtë vit ajo shumë ka shkuar në 5700 franga. Këtë vit myslimanët nga Zvicra kanë pasur mundësi të udhëtojnë me çmime nga 4900 e deri më 7900 franga, varësisht nga luksi që dëshirojnë të kenë atje. Nëse kalkulojmë shumën e paguar nga të gjithë haxhilerët shqiptarë me një mesatare prej 6000 frangash, do të shohim se shuma e përgjithshme do të arrijë deri në 3 milionë franga.
Për të mësuar në detaje mënyrën e organizimit dhe çështjeve të tjera që ndodhin gjatë kësaj periudhe albinfo.ch bisedoi me imamin Bekim Alimi, i cili ishte në rolin e ndihmësorganizatorit në agjencinë „Shqiptari“, si dhe me dy udhëtarë haxhilerë, të cilët kishin vendosur këtë vit për të udhëtuar në Mekke dhe Medine.
Lidhur me risitë në rrugën e organizimit të haxhit që i sjell viti 2014, imami Bekim Alimi thotë: „Arabia Saudite dhe Ministria e Haxhit këtë vit kanë sjellë një vendim, përmes të cilit obligohen të gjitha kompanitë që realizojnë organizimin e haxhit që të pajisen me një aparaturë lexuesesh të pasaportave, e quajtur „Passreader“. Kjo thotë ai është vetëm një nga risitë që kemi këtë vit. Gjithashtu, vazhdon më tej Alimi, se nga novitetet e këtij viti mund të konsiderohet edhe çështja e pagesave dhe transfereve të parave. Një gjë e tillë tanimë nuk pranohet të bëhet si përpara, por gjithçka duhet të realizohet përmes bankave.
Alimi: “Organizimi i haxhit, po komplikohet”
„Organizimi i haxhit është duke u komplikuar dhe shpresojmë që ky komplikim të mos tejkalojë mundësitë e organizatorëve“, shton më tej Alimi.
Këtë vit me agjencinë „Shqiptari“, e cila tubon më së shumti vizitorë, kanë udhëtuar 290 persona. Rreth numrit të përgjithshëm të haxhilerëve shqiptarë që kanë udhëtuar nga Zvicra, Alimi zupozon të jetë në mes 450 deri në 500 persona.
Këtë vit është evidente dhe sëmundja e përhapur në kontinentin afrikan „Ebola“. Lidhur me këtë dukuri Alimi thotë se „rreziqe nga sëmundjet e ndryshme ngjitëse janë shumë evidente dhe ekziston çdoherë një potencial i madh i përhapjes së këtyre sëmundjeve në mesin e njerëzve. Ne si agjenci, thotë me tej Alimi, jemi angazhuar si më parë edhe këtë vit ta kemi me vete mjekun tonë, i cili do të kujdeset për klientët tanë. Gjithashtu si masë parandaluese kemi urdhëruar haxhilerët që të pajisen me vaksinat e quajtura „Meningakoken“. Vaksina është e paraparë të mbrojë klientët nga sëmundjet e ndryshme, të cilat mund të përhapen. Mendoj që edhe Qeveria e Arabisë Saudite ka marrë masa në këtë drejtim, nënvizon më tej Alimi.
Çmimet e larta vazhdojnë të mbeten preokupim i të gjithë udhëtarëve dhe atyre që mendojnë të udhëtojnë në vitet e ardhshme. Imami Bekim Alimi e arsyeton rritjen e çmimeve me ndërtimet dhe ndryshimet e përvitshme që ndodhin në dy qytetet e shenjta, Mekka dhe Medina.
„Ne jemi të kënaqur që këtë vit nuk kemi pasur rritje të çmimit. Pra, do të udhëtohet me të njëjtin çmim që kanë udhëtuar haxhilerët vitin e kaluar. Kjo është arritur falë punës së organizatorit tonë, Nebi ef. Rexhepi, i cili është angazhuar që edhe këtë vit të kemi të njëjtin çmim, diçka që nuk ka ndodhur edhe me agjencitë e tjera që veprojnë në Zvicër. Hotelet janë me pesë yje dhe janë shumë afër haremit të Qabes si dhe afër xhamisë së profetit në Medina“, thotë Alimi.
Me ndërtimet e reja, edhe çmimet e reja
Duke arsyetuar rritjen e çmimeve, Alimi pohon se “bashkë me ndërtimet e reja, rritet dhe kostoja e banimit në hotele gjatë periudhës së haxhit. Andaj edhe organizatorët obligohen me ngritjen e çmimeve, pasi çmimet në hotele ndryshojnë pothuajse çdo vit“.
Në fund të bisedës sonë imami Alimi, duke potencuar faktin që ai vetë është ndihmës i organizatorit Rexhepi, bëri një thirrje për të gjithë organizatorët që të jenë sa më korrektë dhe të përgjegjshëm në punën që bëjnë.
„Unë jam vetëm ndihmës i organizatorit Rexhepi, megjithatë shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirje të gjithë organizatorëve që ata me shumën e të hollave që marrin nga haxhilerët me përgjegjësinë më të madhe t’iu ofrojnë njëkohësisht dhe kushte të mira. Me një fjalë, t’ia kthejnë djersën haxhiut, duke i ofruar kushte sa më komode“, shprehet në fund imami Bekim Alimi, i cili shërben në xhaminë e qytetit Will.
Abdulmexhit Memishi është një nga personat e shumtë që kishin vendosur për të udhëtuar këtë vit për në Haxh. Brenga e Memishit ishte çmimi i lartë që duhej të paguante në udhëtimin e tij. „Megjithatë, nëse gjithçka do të jetë ashtu siç na kanë premtuar, unë do t’ua bëj hallall paratë që është dashur t’i jap për vete dhe bashkëshorten time“, thekson Memishi.
Ndryshe, grupet e para që do të kthehen nga haxhi pritet të vijnë diku pas 12 tetorit.
Irfan Agushi