Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në parathënien e një libri, ka shkruar se, Kosova ka financuar rindërtimin e kishave të shkatërruara serbe, gjë të cilën Serbia nuk e ka bërë asnjëherë me xhamitë dhe objektet tjera fetare dhe kulturore, të shkatërruara gjatë regjimit të Millosheviqit. Në parathënien e librit "Shkatërrimi i trashëgimisë islame gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999", Thaçi ka thënë se ende shpreson një ditë në Serbi do të vijë në pushtet një qeveri e cila do të jetë në gjendje të shpreh keqardhje për shkatërrimet dhe dëmet tjera të shkaktuara në Kosovë.
Sipas tij, qeveria e Kosovës do të punojë në atë drejtim që "Plagët e luftës të shërohen”, dhe se të kontribuohet në këtë proces që Kosova dhe Serbia të mund të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore, të tilla sikur shqiptarët dhe serbët në Kosovë, gjithnjë e më shumë, janë duke gjetur mënyra për të jetuar së bashku, në bashkëpunim dhe miqësi.
“Ky libër, i cili ofron informacione në lidhje me shkatërrimin e trashëgimisë islame në Kosovë në vitet 1998-1999, nuk ka asnjë qëllim për të ndaluar procesin e rindërtimit dhe pajtimit, për të ngjallur armiqësinë e vjetër dhe zemërim. Ne shpresojmë se një ditë qeveria e Serbisë do të jetë në gjendje dhe e gatshme të njoh nivelin e shkatërrimit të kryer në emër të Serbisë, dhe të jenë në gjendje të shprehë keqardhje - ashtu siç bëri në rastin e Kroacisë dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”, citon Thaçin, gazeta serbe Danas.
Megjithatë, siç shprehet më tej Thaçi, procesi i pajtimit nuk mund të arrihet me anë të harresës dhe mohimin.
“Falja nuk mund të jetë e rëndësishme në qoftë se ajo mbështetet në errësirë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për trashëgiminë kulturore të një populli. Njerëzit nuk duhet të harrojnë rastet shkatërrimit të Varshavës ose Dresdenit, Urën e Vjetër të Mostarit në Bosnjë e Hecergovinë, e as dëmtimin e 35 kishave ortodokse serbe të dëmtuara në trazirat e marsit të vitit 2004”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.
Por sipas tij, gjithashtu nuk duhet harruar as faktin se gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar dhe dëmtuar 218 nga 560 xhamia në Kosovë, dhe dhuna sistematike e forcave serbe ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.
Kryeministri kujton se, në këtë fushatë të Serbisë, ishin shkatërruar xhamitë Defterdar, Kurshumli dhe Hamam në Pejë, të ndërtuara në shekullin e XVI, tregjet e vjetra në Gjakovë dhe Pejë, dhe hamami turk Haxhi Begu i shekullit XV në Pejë.
Ai thotë gjithashtu se si kryeministër i Kosovës është në krye të një qeverie shumë-etnike, multi-fetare dhe multi-gjuhësore.
“Edhe pse të vetëdijshëm për përpjekjet nacionaliste të para një dekade të Beogradit, Kosova ka një traditë të gjatë të bashkëjetesës dhe tolerancës ndër-etnike dhe ndër-fetare. Ne nuk duhet të harrojmë se manastiri ortodoks i Deçanit, me shekuj është ruajtur dhe mbrojtur nga familjet shqiptare të besimit Islam”.
Ai tha se Qeveria e Kosovës ka financuar rindërtimin e kishave të dëmtuara gjatë trazirave të vitit 2004, por në këtë mes ka një boshllëk, pasi nga ana e Serbisë nuk kemi pasur të njëjtin veprim për dëmet e shkaktuara objekteve kulturore dhe fetare të shqiptarëve në Kosovë.