Ka 15 vjet që në Mitrovicë një bukë është bërë metaforë e rrëfimit të luftës për një familje në këtë qytet. Ajo bukë, marsin që shkoi ka bërë 15 vite që është gatuar dhe ende nuk është prishur, ndërsa ka kuptimin e mbijetesës për familjen Mehmeti në Mitrovicë.
Mihane Mehmeti, e zonja e shtëpisë, bukën e gatuar 15 vite më parë në kohë lufte, që ka mbijetuar, e mbanë në dollap të vendosur në një pjatë, me një ndjenjë të kujdesit të veçantë për të.
Buka e gatuar në marsin e vitit 1999 edhe tani ka formën e njëjtë, është shumë e fortë por nuk është prishur. Një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-së mbi forcat serbe, më 25 mars të vitit 1999, jeta kishte filluar të paralizohej, nuk punonte asnjë furrë.
Mihanja thotë se atë ditë kishte gatuar tre bukë. Sipas saj, në orët e mesditës banorët që jetonin në banesat afër stacionit të autobusëve, kishin filluar të dëboheshin me dhunë nga forcat serbe.
Edhe bashkëshortit të saj, KamerMehmeti, i kujtohet se ata ishin detyruar të dalin nga banesa nën tytat e armëve të forcave serbe.
"Kemi arritur të marrim me vete 2 bukë që ishin pjekur, njëra bukë k a mbetur në furrën e shporetit elektrik, të cilën vetëm e kemi ndalur", kujton ato momente Kameri.
Ai thotë se tre muajt e luftës kishin qenë të vështira edhe për këtë familje, sepse pas disa muajve të zhvendosjeve nëpër fshatrat e rrethinës së Mitrovicës, ishte marrë në burgun e Smrekonicës, e më vonë ishte deportuar në Shqipëri, ndërsa pjesa tjetër e familjes në Ulqin.
Përfundimi i luftës në qershorin e vitit 1999 e kishte bashkuar familjen sërish në banesën e tyre në Mitrovicë.
"Banesa ishte e demoluar, me dritare të thyera dhe të gjitha sendet e plaçkitura, ndërsa muret me mbishkrime serbe", rrëfen kthimin e tyre i zoti i shtëpisë Kameri.
Ndërkaq Mihanja ishte befasuar kur e kishte hapur furrën e shporetit që ishte paksa i vjetruar dhe kishte gjetur bukën që e kishin lënë ditën kur ishin dëbuar me dhunë nga banesa.
"Buka ishte e pjekur, ishte bërë shumë e fortë, por nuk ishte prishu r. Që atëherë kemi vendosur ta ruajmë këtë bukë", tha Mihanja.
Ndërkaq, Kameri përshkruan ato momente si ndjenjë që nuk mund të shpjegohet me fjalë, e cila vazhdon të jetë ende e lidhur me këtë bukë.
"Ajo bukë më ka dhënë vullnet për jetë. Zoti e ka lënë si dhuratë me e gjet", thotë ai.
Sipas qiftit bashkëshortor, qëndrueshmëria e kësaj buke për një dekadë për shumë veta duket diçka e pabesueshme, duke thënë se shpesh nuk u kanë besuar shumë njerëz kur nëpër biseda kanë dëgjuar rrëfimin e tyre.
Në anën tjetër, furrtarët në Mitrovicë, thonë se kjo është e mundshme, pasi që buka pjeket në temperaturë 180 gradë celzius dhe nëse mbetet ajo në furrë, duke rënë temperatura për një kohë të gjatë, buka piqet dhe forcohet shumë, duke u bërë si ashti, humb në peshë, por mbetet forma e njëjtë, nuk myket dhe nuk prishet. Ata pohojnë se buka e pjekur në atë mënyrë mund të qëndrojë dhjetëra vite.
Bashkëshortët Mehmeti thonë se edhe të afërmit e tyre, veçmas ata që gjenden në diasporë, interesohen për këtë bukë.
"Djemtë që gjenden në botën e jashtme, kur thërrasin në telefon, asnjëherë nuk harrojnë të pyesin për bukën", theksoi Mihanja.
Ajo shprehet se ndoshta një ditë kjo bukë do të hyjë në librin e Ginisit, por më e rëndësishmja për të është lidhshmëria, një ndjenjë e mbijetesës dhe ringjalljes që identifikohet me këtë bukë.