Vënia e gurthemelit të saj kishte bërë bujë të madhe. Në vënien e një lopate beton, kishin marrë pjesë personalitetet me të larta shtetërore dhe përfaqësues të të gjithave bashkësive fetare në Kosovë. Gjithashtu ishte organizuar edhe një festë e madhe.
Por pas kësaj zhurme, pasoi heshtja. Kanë kaluar dy vjet dhe nuk ka asnjë lëvizje në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, e cila pritet të jetë më e madhja në vend, por edhe në rajon. Në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk e dinë se kur pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e saj. Por thonë se për këtë çështje do të diskutojnë së shpejti. Sabri Bajgora, kryeimam i BIK-tu, thotë se ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.
Sipas tij, në ditët e ardhshme pritet të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe ndër çështjet që do të diskutohet në këtë mbledhje do të jetë edhe ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë.
“Nuk ka ende diçka të re në këtë drejtim, mirëpo në ditët në vazhdim do të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe aty pritet të diskutohet edhe kjo çështje”, thotë Bajgora për Tribunën