Numri i personave që kanë kërkuar azil në Gjermani gjatë muajit mars ka shënuar një rritje shumë të madhe në krahasim me muajin njëjtë të vitit 2013.
Kështu, në marsin e këtij viti në zyrat e azilit të Gjermanisë janë paraqitur 11.280 kërkesa dhe që është për 79.2 për qind më shumë se në marsin e një viti më parë.
Por, siç bën të ditur Enti Federal për Migracion, përmes një komunikate për shtyp, ky numër po u krahasua me atë të muajit shkurt shënon një rritje të papërfillshme, rreth 0.5%. Ndërkaq, në tre muajt e parë të këtij viti rritja e numrit të azilkërkuesve ka qenë për 75.7 për qind në krahasim me tremujorin e një viti më parë, duke mbërritur në shifrën e përgjithshme 37.820, raporton Shqiptarja.
Gjatë marsit më së shumti azilkërkues kanë ardhur nga Siria (1786), pastaj nga Serbia (1386), nga Shqipëria (710), nga Maqedonia (574) etj. Është simbolike rritja e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria. Ata, në statistikat e mëhershme nuk kanë figuruar në kreun e listave, ndërsa gjatë shkurtit (833) dhe marsit zënë vendin e tretë, menjëherë pas Sirisë dhe Serbisë.
Azilkërkuesit nga Kosova në këtë statistikë janë në vendin e nëntë. Gjatë marsit është shënuar një rënie e konsiderueshme e numrit të kosovarëve që kanë kërkuar azil në Gjermani. Kështu, në janar ishin 555, në shkurt 440 dhe në mars 382.