Në nderim të përvjetorit të largimit nga kjo botë të Rexhep Adilit, kryesia e Klubit Futbollistik Tërnoci ka vendosur të përkujtojnë njeriun i cili gjithë jetën ia kushtoi ngritjes dhe zhvillimit të futbollit.
Në njoftimin e klubit tërnocas dërguar portalit informativ Titulli thuhet se “kryesia e KF Tërnocit, lojtarët, bashkëvendësit dhe të gjithë sportdashësit, do të përkujtojnë njeriun i cili gjithë jetën ia kushtoi ngritjes dhe zhvillimit të futbollit”.
Me këtë rast, kryesia vendosi që pjesë e agjendës së ditës përkujtimore (17 prill 2014) të jetë vizita dhe vendosja e kurorave tek varri i të ndjerit dhe ndeshja miqësore tradicionale që do të zhvillohet prej orës 14:30 në stadiumin e KF Tërnocit. Mysafir i klubit do të jetë KF Dardana.
Organi drejtues i klubit tërnocas, në njoftim, thekson se pjesëmarrja e qytetarëve do të jetë një nder për familjen Adili, për KF Tërnocin dhe veprën e të ndjerit Rexhep Adilit./Titulli.com/