Kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Belgzim Kamberi edhe zyrtarisht ia ka kthyer shpinën PVD-së duke u bërë pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje” të Albin Kurtit.
Kamberi këtë e ka publikuar më 13 prill të këtij viti, kur edhe zyrtarisht është radhitur në radhët e Vetëvendosjes. Kamberi inkuadrimin e tij në “Vetëvendosje” e ka konfirmuar përmes rrjetit social në Facebook, ku ka shkruar se: Të nderuar miq, ju njoftoj se që nga e diela, më 13 prill 2014, jam anëtarësuar në Lëvizjen “Vetëvendosje!”, duke u zgjedhur njëkohësisht nga delegatët e Këshillit të Përgjithshëm të saj, anëtar i kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, së bashku me Elvis Hoxhaj nga Tirana. Duke i falenderuar publikisht delegatët e KP për mbështetjen dhe besimin e tyre, e duke pasur parasysh, se angazhimi im politik në Kosovë ka krijuar konfuzitet, veçmas në Luginën e Preshevës; njoftoj të gjithë miqtë dhe opinionin publik, se vazhdoj që të qëndroj dhe që të jetoj në Luginën e Preshevës, si dhe vazhdoj aktivitetin tim profesional, në kuadër të Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; që nuk ka ndonjë ndërlidhje strukturore dhe aq më pak politike, me angazhimin tim personal politik jashtë rajonit të Luginës së Preshevës. Njëlloj, njoftoj opinionin se angazhimi im personal në Lëvizjen “Vetëvendosje” nuk nënkupton edhe shtrirjen, gjejgjësisht tendencë për themelimin e ndonjë strukture të Lëvizjes “Vetëvendosje!” në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Bashkë është e mundshme!
VV!