Nga mesnata ka nisur zbatimi i Marrëveshjes Kosovë-Serbi për njohjen reciproke të policave të sigurimit kufitar midis dy vendeve.
Marrëveshja e arritur me 24 korrik, filloi së zbatuari sot, pas disa përpjekjeve që dështuan.
Tashmë drejtuesit e automjeteve nga Kosova mund të futen në Serbi me llojin e sigurimit “TPL plus”, i cili vlen edhe për shtetet tjera të rajonit.
Mirëpo, zbatimi i kësaj marrëveshje po has në pengesat e para. Automjetet me targa RKS të Kosovës do të mund të udhëtojnë në Serbi, por vetëm duke i zëvendësuar ato me targa të përkohshme “Prova”.
Ky vendim i Serbisë ka nxitur reagimin të zyrtarëve të Kosovës, nënshkruese të marrëveshjes për lëvizje të lirë, transmeton Titulli.com.
Udhëheqësi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatohet marrëveshja për lëvizje të lirë nga të dyja palët në përpikëri.
Pacolli ka thënë për Indeksonline se do të kërkoj që të vendosen targa "Prova" edhe në automjetet e serbëve, kur të hyjnë në Kosovë.
“Unë do të kërkoj nga Qeveria që edhe veturave nga Serbia t’iu kthehen prapa targat, pasi në Bruksel marrëveshja që është nënshkruar është reciproke. Edhe palës serbe t’iu vendosen tabela prova në vetura kur të hyjnë në Kosovë”, ka thënë Pacolli.
Sipas tij situata do të monitorohet dhe nëse nuk ka ndryshim deri në fillim të muajit shtator do të kërkohet reciprociteti, vendosjen e targave të përkohshme “Prova” edhe për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.
Nëse merren këto masa, ato do të prekin në masë qytetarët e Luginës së Preshevës, që me makinat e tyre sot drejt Kosovës kanë udhëtuar vetëm me kartonin e gjelbër të sigurimit.
Këta qytetarë shqiptarë, deri të martën kanë qenë të liruar nga pagesa e policës së sigurimit të Kosovës, përderisa në territorin e vendit fqinj kanë udhëtuar me targa të Serbisë, respektivisht të tre komunave të banuara me shqiptarë, që bartin targa me inicialet VR, BU dhe LE.