/ / Me shtrëngim duarsh të ushtarëve amerikan dhe serb, nisë projekti në Bujanoc

Me shtrëngim duarsh të ushtarëve amerikan dhe serb, nisë projekti në Bujanoc

Pas përgatitjeve të shumta, të hënën, ka filluar implementimi i projektit për rekonstruktimin e objektit të kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” dhe shkollës së Muzikës në Bujanoc.
Në përurim për fillimin e punimeve, kanë marrë pjesë përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi qendrorë i Ushtrisë së Serbisë, Ushtria e SHBA-së, Ambasada e SHBA-së në Beograd, Garda e Ohajos si dhe vetëqeverisja lokale.
Igor Avdiq, nënkolonel dhe përfaqësues i Ushtrisë së Serbisë, tha se kjo është një ditë e madhe për Bujanocin, Ushtrinë e Serbisë, ushtarët e të njërës dhe ushtrisë tjetër.
“Përmes kësaj punë ne më mirë do të njihemi, bisedojmë dhe ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku. Kjo është një ditë e madhe për Bujanocin, fëmijët tanë në rrethin e Pçinjës dhe tërë Serbinë”, është shprehur nënkoloneli Igor Avdiq, raporton Titulli.com.
Kory Shea, ushtaraku i deleguar nga Ambasada e SHBA-së në Beograd u shpreh se pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ohajos dhe kolegët e tyre nga aviacioni, janë shumë të gatshëm për të punuar së bashku me kolegët nga Ushtria e Serbisë.
“Kanë kënaqësinë që në njëfarë mënyre do të avancojnë jetën e fëmijëve të Bujanocit dhe do të kisha thënë se qyteti i Bujanocit është shumë me fat që në këtë projekt është angazhuar njësia “Kali i Kuq”, e njohur si ndër më të mirat në ushtrinë e SHBA-së”, theksoi Shea.
Shënimi i punimeve u bë me shtrëngim duarsh të pjesëtarëve të Gardës së Ohajës së Ushtrisë së SHBA-së dhe të Ushtrisë së Serbisë.
Me këtë rast nikoqiri, drejtori i kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë”, Milovan Aleksiq, tha se është i rëndësisë së veçantë projekti për rikonstruimin e objektit.
“Ky objekt do të jetë edhe më i mirë më 20 gusht kur edhe do të përfundojmë punimet, duke krijuar kështu kushte më të mira për punë në këtë institucion”, tha Aleksiq.
Bashkëpunimin e Ushtrisë së SHBA-së, me atë të Serbisë e përshëndeti edhe Nexhat Behluli, përfaqësues i vetëqeverisjes lokale në Bujanoc.
“I dëshirojmë qëndrim të mirë në komunën tonë dhe ta dinë se ne jemi të kënaqur që më në fund, një mënyrë të këtillë të realizimit të projektit e kemi edhe në këtë komunë”, u shpreh Behluli, duke nënvizuar se ky rajon është specifik, multietnik dhe në fazën e kthimit të besimit në mes të kombësive.
Pjesëtarët e Gardës së Ohajos paraprakisht sot kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ku ky i fundit i përgëzoi për angazhimin e tyre.
“Kur kemi pas takimin e parë kamë thënë se ushtritë nuk janë vetëm për lufta, për edhe bashkëpunim. Ju me këtë projekt keni qëlluar në shenjë”, i tha Arifi ushtarakëve të angazhuar në projekt.
Në këtë takim Kory Shea, ushtaraku i deleguar nga ambasada e SHBA-së tha se “para 20 viteve askush se ka menduar një punë të përbashkët mes Ushtrisë së Amerikës dhe Ushtrisë së Serbisë, sidomos në një rajon si Bujanoci, po ja që po ndodh tani”.
Garda e Ushtrisë Amerikane nga shteti i Ohajos, në projektin në fjalë, për renovimin e kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” dhe shkollën e muzikës në Bujanoc, ka angazhuar rreth 100 ushtarë, kurse do të investojë rreth 300 mijë euro, përmes Ambasadës së SHBA-së. Punimet do t’i kryejnë ushtarakët e dyja shteteve, ndërsa në implemtentimin e projektit janë të angazhuara ndërmarrjet lokale nga Bujanoci.
Punimet në rikonstruimin e kopshtit të fëmijëve “Gëzimi Ynë” pritet të përfundojnë më 20 gusht, ndërsa së bashku me ato në shkollën e Muzikës renovimi do të kushtojnë rreth 300 mijë euro.
Kopshtin “Gëzimi Ynë” e ndjekin rreth 600 fëmijë, ndërsa të punësuar janë rreth 90 edukatore dhe staf tjetër ndihmës.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post