/ / Barnat ilegale në Kosovë hyjnë edhe nga Presheva

Barnat ilegale në Kosovë hyjnë edhe nga Presheva

Kontrabandimi me barna vazhdon të bëhet më së shumti prej Serbisë. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës ka kapur 11 raste ku tentohej të futeshin barna ilegalisht në Kosovë, nga shtete të ndryshme, por më së shumti nga Serbia.
Në këto raste bëjnë pjesë 10 mijë paketime të barnave të ndryshme e që kanë vlerë 50 mijë euro. Kurse, numri i farmacive që posedojnë barna ilegale në Kosovë vazhdon të jetë i madh.
Inspekoriati Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale vetëm nga janari deri në qershor ka ndëshkuar 23 subjekte për posedim të barnave ilegale dhe gjashtë subjekte të tjera për furnizim të subjekteve me barna ilegale.
Për Doganën e Kosovës, ka rënie të rasteve me kontrabandim të barnave. Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress se periudha janar-qershor 2015, shënon ulje të kontrabandës me barna.
Sipas tij, ky përmirësim vjen edhe si rezultat i bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe licencimit të disa kompanive në pjesën veriore të Kosovës.
“Kjo periudhë kohore, janar-qershor e karakterizon një ule e kontrabandës me barna. Ulja vjen si rezultat kryesisht edhe i diskutimeve të cilat janë zhvilluara në Bruksel, gjithashtu vjen edhe si rezultat i licencimit të disa kompanive në pjesën veriore të Kosovës të cilat tanimë e bëjnë importin me barna në mënyrë ligjore. Por, ka ende raste dhe ka ende individë që duan tentojnë të kontrabandojnë barna. Gjatë këtij gjysmë viti kemi kap afër 11 raste të cilat e kanënjë vlerë prej mbi 50 mijë euro…Kryesisht importi ilegal i këtyre barnave bëhet prej Serbisë”, thotë ai.
Stavileci thotë se barnat që konfiskohen janë kryesisht barna të cilat shiten më shpejt se barnat specifike.
Nga këto raste, tetë prej tyre kanë qenë operacione që janë zhvilluara brenda territorit të Kosovës, ku përveç doganës, bashkëpunuan edhe Policia e Kosovës dhe AKPM.
Por, rënie nuk po shënojnë edhe farmacitë të cilat posedojnë barna ilegale. Drejtoresha e Departamentit të Inspektoriatit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Remzie Thaçi, përmes postës elektronike, ka treguar nga janari deri në qershor të këtij viti IFPPM ka marrë masa ndëshkuese ndaj 41 subjekteve farmaceutike. 29 prej tyre, për barna ilegale.
“Nga Janari deri në fund të Qershorit të vitit 2015 Inspektorati Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje medicinale ka marrë masa ndëshkuese ndaj 41 subjekteve. Prej tyre 23 subjekte janë ndëshkuar për barna ilegale( të paautorizuara për tregun e Kosovës); 2 (dy )subjekte për veprimtari ilegale ; 8 (tetë) subjekte për mungesë të farmacistit; 2 (dy) subjekte për kushtet e ruajtjes së produkteve; dhe 6 (gjashtë) subjekte për furnizim të subjekteve ilegale me barna”, tha Thaçi përmes postës elektronike.
Për të inspektuar të gjitha barnatoret në Kosovë, IFPPM ka në dispozicion një numër të inspektorëve që sillet rreth nëntë deri dhjetë sosh.
Anëtarë të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se ky numër i inspektorëve nuk mjafton për të gjitha veprimtaritë farmaceu tike në Kosovë. Sipas tyre, ky numër i vogël i stafit po ndikon në mos-përmirësimin e gjendjes në terren.
Madje, anëtarja e këtij komisioni, Besa Baftiu thotë për KosovaPress se edhe inspektorët aktual nuk po e kryejnë punën ashtu siç e kanë për obligim.
“Në tregon tonë kemi barna në të zezën, kemi barna pa banderola që na hyjnë prej pjesës veriore, në Mitrovicën e Veriut, po ashtu një treg i tillë shihet edhe në regjionin e Gjilanit ku e kemi kufirin me Preshevë, pra, me Kosovën lindore. Këto janë të dukshme, janë të prekshme sepse qytetarët vet i shohin… Ky numër i vogël, edhe pse i ka kompetencat të inspektojë, qoftë institucionet publike kudo që janë dhe ato private, nuk po bënë punën e vet ashtu siç duhet”, thotë ajo.
Për deputeten e “Vetëvendosjes” , dëshmi se nuk po inspektohet siç duhet janë “aferat korruptive” të cilat po ndodhin në këtë sektor.
Se me nëntë inspektorë nuk mund të punohet, mendon edhe anëtarja tjetër e Komisionit për Shëndetësi, Time Kadrijaj.
“Ne shpesh herë i kemi bërë kërkesa edhe ministrit të shëndetësisë që është pamundur t’i mbulojnë nëntë inspektorë të gjitha këto barnatore që funksionojnë në Kosovë, dhe me nëntë inspektorë të menaxhohet e tërë kjo infrastrukturë e madhe e shtrirjes së farmacive private në Kosovë”, thotë ajo.
E arsyetimi i Ministrisë së Shëndetësisë për këtë numër të vogël të inspektorëve shpesh herë ka qenë se buxheti është i limituar. Sipas MSh-së, pa-mundësia e pagesës së inspektorëve shtesë ka lënë IFPPM-në me vetëm nëntë inspektorë.
Se sa kanë vështirësi të kryejnë punët në terren me vetëm nëntë inspektorë, KosovaPress nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje në Drejtorinë e Inspektoriatit Farmaceutik për Produkte dhe Pajisje Medicinale.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post