/ / Varroset djaloshi nga Letovica që humbi jetën në pishinë

Varroset djaloshi nga Letovica që humbi jetën në pishinë

Qytetarë të shumtë të dielën i kanë dhënë përshëndetjen e fundit, Ibrahim Saqipit, 12 vjeçarit nga Letovica, i cili të shtunën ndërroi jetë në pishinën “Aqua Park” në fshatin Raincë.
Me përcjellje të qindra qytetarëve nga fshati Letovicë dhe më gjerë nga vendbanimet e Komunës së Bujanocit e Preshevës, Ibrahimi u varros pranë gjyshit të tij tashmë të ndjerë, në varrezat e fshatit.
Kortezhi mortor u nisë nga xhamia e fshatit pas faljes së namazit të drekës. Në varrin e të riut u vendosën kurora me lule, ndërsa nga shokët dhe shoqet nga shkolla “Ali Bektashi” në Letovicë u lexua edhe një letër lamtumirëse.
“Ibrahimi ishte nxënës i zellshëm, i dashur për të gjithë, për shok, shoqe dhe arsimtarë, dëshmi për këtë është suksesi që ka treguar gjatë shkollimit”, u tha në letrën e lexuar, e cila emocionoi masën prezente.
“Lajmi tragjik për vdekjen e Ibrahimit, jo vetëm që ka tronditur familjen e tij, por ka tronditur shokët dhe shoqet e klasës së tij”, thuhej mes tjerash në letër, ku u dëgjua edhe porosia se vendi i tij në bankën e shkollës do të jetë i lirë deri në mbarim të gjeneratës, raporton Titulli.com.
Edhe babai i Ibrahimit, Ekrem Saqipi, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në përshëndetjet e fundit për djalin e tij të madh.
Ibrahimi u varros pranë Ibrahimit, gjyshit të tij që kishte ndërruar jetë në vitin 2003, emrin e të cilit e trashëgoi. Teologët pjesëmarrës uruan që Zoti këtë vogëlush ta fus në Parajsë, ku një ditë, me shpresë të takohet me familjarët e tij.
Ata bënë apel tek familjarët dhe të afërmit që të përmbahen, të kenë durim, me porosinë se “Të Zotit jemi dhe tek Ai do të kthehemi”.
12 vjeçari nga Letovica, Ibrahim Saqipi ndërroi jetë të shtunën gjatë kohës që po lahej në pishinën “Aqua Park” në Raincë. /Titulli.com/

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post