/ / Sërish viza për Ballkanin?

Sërish viza për Ballkanin?

Edhe nëse Gjermania rivendos regjimin e vizave, ata që do ta vujanë këtë në vendet e Ballkanit do të jenë sërish grupet shoqërore të margjinalizura – njerëzit e dobët.
Në partinë gjermane CSU po shtohen zërat për kufizimin e lirisë së lëvizjes nga Ballkani. Rivendosja e regjimit të vizave mendohet se mund t’i stepë azilkërkuesit në Gjermani. Një llogari naive, mendon Dragoslav Dedoviq.
Në politikë normalisht vlejnë vetëm faktet, me të cilat mund ta kesh pas vetes elektoratin. Joshja e zgjedhësve në kurriz të njerëzve të varfër, që vijnë në Gjermani si rrjedhojë e luftrave, përndjekjes dhe mjerimit, ndonëse është amorale, ka efikasitet. Kjo vlen veçanërisht për kristiansocialët bavarezë, të cilët qysh nga koha e ish-kryetarit të partisë Franz-Josef Strauss, që ndërkohë ka tendencë të konsiderohet si mit, nuk tolerojnë asnjë parti të legjitimuar në mënyrë demokratike “djathtas CSU-së”.
Për këtë arsye ata herë pas here dalin me deklarata radikale. Nuk duam “një shoqëri të përzier” (deklarim i ishkryetarit të CSU-së Edmund Steuber), thuhej dikur. Ne nuk jemi “zyra sociale për të gjithë botën” (kryetari aktual i CSU-së Horst Seehofer) thuhet një herë tjetër.
Kohët e fundit vendet e Ballkanit të mbetura jashtë BE-së kanë radhën të shërbejnë si tabelë projeksioni për populizimin tashmë rutinë të kistiansocialëve. “Unë madje jam, që të rivendoset regjimi i vizave për njerëzit nga Ballkani”, tha Horst Seehofer fundjavën e kalaur.

Shfuqizimi i udhëtimit pa viza
Si politikan me përvojë ai e di, që kërcënimi së paku pjesërisht duhet të jetë i besueshëm, sepse në rast të kundërt shumë shpejt ai mund të degradojë si fjalë boshe. Besueshmëria e Seehoferit konsiston në një dispozitë të vitit 2013 që shërben si instrument për rivendosjen e regjimit të vizave. Asokohe me insistimin e Gjermanisë kjo klauzolë u vendos në nivelin e BE-së. Një vend anëtar mund të kërkojë për një kohë të kufizuar rivendosjen e regjimit të vizave, në rast të rritjes së papritur të numrit të azilkërkuesve nga një vend me shanse të pakta për njohjen e azilit. Kjo do të thotë, që ideja e Seehoferit ndonëse është populiste, realizimi i saj është i mundur brenda kuadrit politik.
Ndoshta Berlini zyrtar këtë instrument ende vazhdon ta konsiderojë si ultima ratio – një mjet të fundit dhe nuk do ta përvetësojë menjëherë logjikën e Seehoferit. Kjo mund të ndryshojë shpejt, nëse çështja mund “të zbulohet” si temë e ndonjë fushate të ardhshme elektorale në Gjermani. Atëherë ata që duan të largohen nga Serbia, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen “dëmi kolateral” i atmosferës së politikës së brendëshme gjermane.
Por ka edhe arsye të forta, që Berlini nivelin më të ulët të populizmit të CSU-së sërish e mbyll në heshtje duke mos e rihapur më.

Shoqëri të brishta
Dihet që vendet e Ballkanit ende vuajnë pasojat e luftës, në to mbizotëron bllokimi i reformave dhe papunësia e lartë tek të rinjtë, është etabluar një demokraci e çalë dhe opinioni dominohet prej meideve gjysmë të lira. Perspektiva e BE-së pavarësisht veljes së Perëndimit nga pranimi i vendeve të reja dhe vështirësive të transformimit në vet këto vende është e vetmja ide jonacionaliste që ka mbetur në rajon. Dhe e vetmja gjurmë pozitive e BE-së që përjetohet në jetën e përditshme në këto vende është pikërisht liria e udhëtimit pa viza.
E ky filiz i brishtë i afrimit në BE nuk duhet helmuar me reagimet e ekzagjeruara nga Gjermania. Në Ballkan qarkullojnë “putinistët”, islamistët dhe të tjerë gjahtarë shpirtërash. Nëse Gjermania dhe BE-ja nuk paraqesin zgjidhje por një problem, atëherë pjesët e zhgënjyera të popullsisë sërish do t’i kundërvihen BE-së “si fuqia ndëshkuese”.
Kjo do të thoshte edhe më pak reforma dhe më shumë deficite demokracie në këto vende. Tek e fundit zbatimi i logjikës së Seehoferit do të nxiste që edhe më shumë njerëz të dëshpëruar nga vendet e brishta të Ballkanit të tentonin drejt zonë së mirëqenies.
Arsyeja e dytë, përse rivendosja e regjimit të vizave nuk do ta zgjidhte, por do ta ashpërsonte problemin është thjeshtë mosfikasiteti i një mase të tillë. E gjithë vala e azilkërkuesve nga Kosova – vendi, qytetarët e të cilit ende duhet të kenë një vizë për të ardhur në Gjermani – tregon se sa pa efikasitet janë të tilla instrumente.
Veç kësaj më të dobëtit e të dobtëve do të ishin ata që do ta vuanin më shumë këtë masë.

Vlerat europiane
Si duhet të reagojnë vendet e Ballkanit ndaj kërkesës për suspendimin e regjimit pa viza? A duhet që ato t’i pengojnë qytetarët e tyre gjatë udhëtimit jashtë vendit? Ndër azilkërkuesit siç dihet ka shumë romë. Mos vallë policët në rast dyshimi duhet t’i pyesin njerëzit që kanë pamje ndryshe nëpër stacionet e trenave? Apo duhet t’i zbresin ata nga autobusët? A është kjo në përputhje me bashkësinë europiane të vlerave?
Edhe nëse Gjermania vërtetë rivendos regjimin e vizave, ata që do ta vujanë këtë në vendet e Ballkanit do të jenë sërish grupet shoqërore të margjinalizura – njerëzit e dobët në aspektin social, minoritetet, romët, duke bërë që ata të largohen edhe më shumë prej standardeve sociale dhe bazarizisë së shanseve.
Nëse u beson disa politikanëve gjermanë, rritja e numrit të atyre që kërkojnë me ose pa të drejtë mbrojtje nga vendet e “sigurta” të Balkanit është arsye e mjaftueshme, për t’i izoluar këto vende sërish në karantinën europiane të udhëtimit. Çfarë mjeksie e thjeshtë. Të vjen të therrasësh: Medice, cura te ipsum. (Mjek, kuro vetveten!) / DW/ 

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post