Këshilli organizativ i fshatit Muhoc të komunës së Bujanocit ka shënuar përvjetorin e 10-të të vrasjes misterioze të Muhamet Xhemailit, i njohur në popull si komandant Rebeli.
Në këtë manifestim përkujtimor, morën pjesë familjarë të dëshmorëve të kombit, veteranë të luftës UÇPMB-së, përfaqësues partiakë dhe nga fusha e shoqërisë civile, si dhe qytetarë nga komunat e rajonit.
Manifestimi përkujtimor filloi me Himnin Kombëtar dhe me një minutë heshtje kushtuar dëshmorëve të kombit dhe ishte i pasuruar me recital poezish nga poetja Rabije Bytyqi nga Prizreni dhe një grup nxënësish nga shkolla të ndryshme të Anamoravës, si dhe me një program kulturor SHKA “Shpëtimi”, nga Medvegja.
Për dallim nga vitet e kaluara në këtë përvjetor, nuk mori pjesë bashkëshortja e Komandan Rebelit, Enkelejd Xhemaili dhe tre fëmijët e saj, ngase ka qenë e shtrënguar për shkak presioneve ta lëshoj vendin dhe të kërkoj strehë shpëtimi në perëndim.
Jo vetëm banorët e Malësisë së Bujanocit, por edhe më gjerë Muhamet Xhemailin e njihnin për komandat të rreptë dhe atdhetar të flaktë.
Ai, ishte ndër komandantët e fundit, që i dorëzoi armët KFOR-it, në emër të paqes dhe stabilitetit rajonal.
Me të përfunduar konfliktet në Luginë të Preshevës, në vitin 2002, Muhamet Xhemaili zgjidhet këshilltar komunal në Bujanoc.
Tre vjet më vonë, pikërisht në vitin 2005, në Gjilan vritet në rrethana misterioze Muhamet Xhemaili, 47 vjeçar, i njohur si Komandant "Rebeli".
Për meritat luftarake dhe atdhetare, banorët e fshatit Muhoc, komandantit të tyre i kanë ngritur një lapidar me emrat e tre dëshmorëve të kombit, të cilët i përkujtojnë tradicionalisht për çdo vjet.
Muhoci, gjithashtu, në hyrje të Ambulancës së fshatit ka vënë pllakën përkujtimore për humanistin Doktor Ilazin, legjendën e Malësisë.
Për jetën dhe veprimtarinë e Muhamet Xhemailit dhe trimave të tjerë të lirë e prezantoi kryetari i Këshillit organizativ, Vesel Sabedini, për ta vazhduar pastaj fjalimet e ish ushtarëve dhe ushtarakëve të UÇPMB-së, familjarëve të dëshmorëve Arif Abazi nga Presheva, prindi i dëshmorit Artan Abazi, pastaj Milaim Elashani nga Malisheva e Kosovës, prindi i dëshmorit Agim Elshani, Gëzim Mazreku nga Gjilani, vëllai i dëshmorit Besim Mazreku, Haxhi Hyseni nga Tërnoci, prindi i dëshmorit Komandant Lleshi etj.
Me fjalimet komemorative u paraqitën edhe Avdil Ramadani, nënkryetar i Partisë Republikane, subjekt i vetëm politik, i cili mori pjesë aktive në organizimin e këtij përvjetori, pastaj Idriz Sinani, kryetar i Forumit Ndërkombëtar i të drejtave të Njeriut me karakter ballkanik nga Kumanova, Selami Bajrami, kryetar i Bashkësisë Lokale nga Zarbinca, Shaban Shaqiri nga Muhoci etj.
Në fund të këtij manifestimi përkujtimor u lexuan nga organizatori telegrame dhe u vunë kurora në lapidarin e dëshmorëve.
Këshilli Organizativ dhe disa nga organizatorët e këtij manifestimi përkujtimor, kritikuan pushtetin lokal në Gjilan dhe Bujanoc, të cilët pak kanë bërë për zbardhjen e vrasjes misterioze të Komandant Rebelit./Titulli.com/