/ / Luginës i duhet një muze për ruajtjen e trashëgimisë, politika të bëjë më shumë për këtë ...!

Luginës i duhet një muze për ruajtjen e trashëgimisë, politika të bëjë më shumë për këtë ...!

“Në tekstet shkollore të historisë, lufta e fundit e Kosovës është përmendur vetëm kalimthi aty këtu, jo në mënyrë të detajuar dhe nuk është trajtuar si duhet, prandaj mendoj se tekstet e historisë duhet të rishkruhen edhe një herë, në mënyrë që të përfshihet më detajisht lufta heroike e UÇK-ës njëherit edhe lufta heroike e UÇPMB-së në tekstet shkollore të historisë”, ka thënë Prof.dr. Isuf Ahmeti, historian gjatë një intervistë dhënë gazetarit të Portalit Informativ Titulli.com.
Lidhur me gjendjen e arsimit shqip në Luginë të Preshevës ai thotë se relativisht është mirë deri diku, mirëpo ka ende vend për plotësime.
“Për të qenë shkollimi i të rinjve tanë më efikas, nxënësit si të fillores ashtu edhe të mesmes të jenë të pajisur me tekste shkollore adekuate të të gjitha profileve”, deklaroi Ahmeti.
Ai shprehet se kjo trevë është e pasur me vlera arkeologjike  dhe se i duhet patjetër një muze për ruajtjen e këtyre materialeve të trashëgimisë kulturore.
Në Luginën e Preshevës keni punuar një kohë në shkollat ku keni ligjëruar lëndën e historisë,  dhe në cilën masë tani është shkollimi në qytetet tona? 

Ahmeti: Po, kam punuar edhe në Luginën e Preshevës, në vitet 2002 dhe 2003, dy vite në Gjimnazin e shkollës së Mesme “Skënderbeu” në Preshevë dhe një vit në Gjimnazin e Bujanocit, e që ishte paralele e Gjimnazit të Preshevës. Në atë kohë kam dhënë lëndën e historisë nga viti i parë e gjerë në vitin e katërt.  Shpeshherë, mendoj se ndoshta edhe unë nga këndi im sadopak i vogël i kam kontribuar vendit tim, vendit ku kam lindur. E ndjej veten krenar me plotë kuptimin e fjalës kur them se jam nga Presheva, mirëpo nganjëherë ndjehem jo mirë, kur i shohë vendet tjera se si prosperojnë drejt suksesit, e vendi im stagnon dhe nuk hec me kohën.
Ndërsa, shkollimi në Luginë, sipas mendimit tim, relativisht është mirë deri diku, mirëpo ka ende vend për plotësime. Psh. për të qenë shkollimi i të rinjve tanë më efikas, pa dyshim duhet të përmbushen disa mekanizma, në radhë të parë nxënësit si të fillores ashtu edhe të mesmes të jenë të pajisur me tekste shkollore adekuate të të gjitha profileve, e jo të u jepen shënime nxënësve të shkollës së mesme, sepse kjo nuk përputhet me asnjë rregullore arsimore. Pastaj, çdo vit të hartohen planet e lëndëve sipas standardeve të kohës e jo vetëm të përshkruhen planet e vjetra me dekada.  Kështu që, me fjalë të tjera arsimit duhet kushtuar kujdes të veçantë, në përmbushjen e kushteve në mënyrë që të arrihet cilësia dhe saktësia.  E potencoj edhe këtë në Luginë përpos shkollave fillore dhe të mesme, është mirë të iniciohet edhe hapja e ndonjë shkollimi të lartë, siç është edhe Universiteti, sepse Lugina ka nevojë edhe për një Universitet shqip, në mënyrë që studentët, d.m.th. të rinjve t’iu jepet mundësia të studiojnë në vendin e tyre e jo të trokasin në dyert e Universiteteve të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës. E këtë, mendoj se liderët e subjekteve politike që veprojnë në Luginë munden ta bëjnë një gjë të tillë.
Sa është punuar që lënda e historisë të mësohet si e njësuar për të gjitha trevat shqiptare dhe a ka gjasa ndonjëherë të arrihet kjo? 
Ahmeti: Për këtë gjë, mendoj se është duke u punuar dhe ende është herët të flitet për një gjë të tillë. Shqipëria dhe Kosova, munden të dakordohen për një gjë të tillë, sepse nuk shohë ndonjë pengesë në këtë drejtim. Ndërsa, trevat tjera shqiptare siç janë Maqedonia, Malit i Zi dhe Lugina, mendoj se duhet ende kohë, për shkak të gjendjes aktuale politike në këto treva. Mirëpo, më mirë do të ishte që ti lihet kohës. 
Keni ndonjë botim të karakterit historiko- shkencor dhe çka trajtohet brenda lëndës ? 
Ahmeti: Mund të konkludoj se e kam përgatitur për botim librin tim monografik të tezës së doktoratës me titull “Qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII”, ku në këtë libër trajtohen qytetet e Kosovës në të gjitha aspektet si ato, politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore etj. Besoj, se ka ardhur koha që ky libër ta shohë dritën dhe mendoj se do ti hyjë në punë shumë studiuesve që merren me këtë fushë, njëherit edhe studentëve që studiojnë historinë osmane. Gjithashtu, jam koautor i librit (tekstit) të historisë së klasës 12-të të shkollës së mesme të gjimnazit në nivel të Kosovës. Më pastaj, kam të botuara edhe shumë botime të tjera të karakterit historiko-shkencor, e ato janë:
  1. Zhvillimi politik i qyteteve të Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII, “Kosova”, Instituti i Historisë, Prishitnë.
  2. Qytetet e Kosovës sipas Evlia Çelebiut, “Kosova” nr. 26, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2005.
  3. Kalaja e Shkodrës – qytet i mijëvjeçarit të fundit para erës sonë, “Kosova”, Nr. 22/23, Instituti i Historisë, Prishitnë, 2003.
  4. Masakrat serbo-çetnike në Preshevë e rrethinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Kosova”, nr. 27, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2005.
  5. Myfit Agush Synojmeri veteran i arsimit shqip, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, nr. 7, Prizren, 2008.
  6. Jeta dhe vepra atdhetare e Sylë Hotlës, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, nr. 5, Prizren, 2007.
  7. Durmish Presheva pjesëmarrës në kryengritjet e viteve 1910-1912 për çlirimin e Shqipërisë, “E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike”, nr. 6, Prizren, 2007.
8.               Zhvillimi i zejtarisë në qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVII” me moton “Kosova dhe Perandoria Osmane në dokumente arkivore” i mbajtur më 16 dhe 17 prill 2009, Në sallën e kongreseve të Hotelit Grand, organizuar nga Arkivi i Repubilkës së Kosovës dhe Agjencioni Turk për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (TIKA). 
Gjithashtu i kam të botuara edhe disa punime shkencore tanimë të publikuara mirëpo, të një karakteri tjetër, të orientuara në Lindje d.m.th., është fjala për kontaktet shqiptaro –arabe ndër shekuj, e ato janë:
  1. Shqiptarët në rrjedhat kulturore të Sirisë, “Vjetari” Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 2005.
  2. Pashko Vasa e Ismail Qemali në Siri dhe Liban, “Kosova” nr. 28, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2006.
  3. Vendosja e shqiptarëve në Siri deri në vitin 1920, Vjetari i Arkivit të Kosovës,  Prishtinë, 2006.
  4. Veprat e Muhamed Nasrudin Albanit, “revista shkencore Studime Orientale”, nr. 1, Prishtinë, 2001.
  5. Kontaktet shqiptaro-arabe ndër shekuj, “Kosova”, nr. 29, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2008.
Të drejtat tona kolektive janë të cenuar në Luginë si në përdorimin e teksteve mësimore, përdorimin e lirë të flamurit kombëtar, mungon edhe arsimi i lartë, çfarë mendoni do të ndryshohet kjo gjendje? 
Ahmeti: Po, siç e kam cekur edhe më lartë, jam shumë optimist se kjo gjendje do të ndryshojë, vetëm duhet një konsolidim më i theksueshëm i liderëve tanë dhe popullit në përgjithësi, pa dyshim edhe i atij ndërkombëtarë. Besoj se jam i qartë.
Në komunat tona ka trashëgimi kulturore dhe gjetje të tjera me vlerë arkeologjike, ndërsa nuk kemi muze, çka mund të na thoni për këtë? 
Ahmeti: Në fakt kjo trevë është e pasur me vlera arkeologjike, ndoshta edhe për shkak të pozitës së saj strategjike. Gëzohem, për këto hulumtime arkeologjike që janë bërë nga individ qëllim mirë dhe kanë arritur sukses për gjetjen e këtyre monumenteve, iu lumtë!. Mirëpo, mund të themi se ndoshta janë hulumtime sipërfaqësore, sepse shumë lokacione kanë mbetur ende të pa zbuluara, e që lypset një fond i veçantë, mirëpo edhe arkeolog të profesionalizuar, bile edhe paleograf që merren me shkrimin e dokumenteve të vjetra, sepse gjuhet e vjetra janë të vdekura, d.m.th. sot nuk përdoren, p.sh., e kemi gjuhën osmane, latine etj. Nuk është vetëm të zbulohen por edhe të deshifrohen, e si të deshifrohen kur ne nuk kemi njerëz që e njohin gjuhën osmane, kurse ne kemi shumë gurë të varrezave pothuajse në çdo fshat me të njëjtën gjuhë. Nga, kjo kuptojmë se duhet një angazhim më i thukët për zbardhjen e këtyre gjetjeve arkeologjike me vlerë. Por, edhe ato që konsiderohen të gjetura me doemos duhet të konservohen dhe të ruhen në muze. Konkludoj  se Luginës i duhet patjetër një muze për ruajtjen e këtyre materialeve të trashëgimisë kulturore edhe pse është dashur që kjo të bëhet më herët.
Na thuani sa është aktive Shoqata e Historianëve „ Ali Hadri“ në Preshevë, a keni organizuar ndonjë tribunë shkencore të karakterit historik dhe a keni bashkëpunim me Shoqatën e trashëgimisë kulturore në Preshevë ? 
Ahmeti: Ju falënderoj për këtë pyetje. Në këtë shoqatë janë bërë aktivitete të shumta, në mënyrë vullnetare nga disa aktivistë, historianë, e që edhe sot këta janë të gatshëm të bëjnë një gjë të tillë, me forca vetjake, pa donacione nga askush, Shoqatë pa ndonjë buxhet të vetin. Mirëpo, megjithatë, kjo shoqatë ka bërë disa aktivitete, p.sh. më 28 Nëntor në ditën e flamurit disa vite me radhë në bashkëpunim me Komunën e Preshevës dhe me Shtëpinë e Kulturës „Abdullah Krashnica“ në Preshevë. Ndërsa, organizim të ndonjë tribune shkencore, ka qenë shumë vështirë të realizohet, sepse për të sjellë studiues nga trevat shqiptare ka qenë e pamundur për shkak të mos ekzistimit të një buxheti sado simbolik, e që shoqata kurrë nuk e ka pasur një gjë të tillë. Ndërsa me shoqatën e trashëgimisë kulturore në Preshevë nuk ka pasur ndonjë aktivitet, sepse shoqata e historianëve e ka pushuar aktivitetin e saj para se të filloj aktivitetet e saja shoqata e trashëgimisë kulturore.
Sa është futur historia më e re e Kosovës bashkë me atë të UÇPMB-së në tekste të historisë ? 
Ahmeti: Në tekstet shkollore të historisë, lufta e fundit e Kosovës është përmendur vetëm kalimthi aty këtu, d.mth.  jo në mënyrë të detajuar, dhe nuk është trajtuar si duhet, prandaj mendoj se tekstet e historisë duhet të rishkruhen edhe një herë, në mënyrë që të përfshihet më detajisht lufta heroike e UÇK-ës njëherit edhe ajo e UÇPMB-së në tekstet shkollore të historisë.
 A jeni optimist se gjërat do të ndryshojnë në të mirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës? 
Ahmeti: Besoj se po, është e vërtetë se Lugina është lënë pak pas dore nga Prishtina dhe Tirana, mirëpo, nuk duhet humbur vullneti i popullatës, besoj se me një unifikim të subjekteve politike që veprojnë në këtë rajon dhe me një bashkëpunim të mirëfilltë me faktorin ndërkombëtar mundet të ndryshojnë gjërat në favor të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Prof.dr. Isuf Ahmeti- Gjatë ligjëratave me student
Një historik i shkurtër i  Prof.dr. Isuf Ahmeti 
Ka lindur në fshatin Bushtran të komunës së Preshevës më 25.08.1968. Studimet në degën e historisë dhe arkeologjisë i kam përfunduar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Jordanisë në Aman më 1992.
Në vitin shkollor 1995/96 , i regjistrova studimet pasuniversitare në degën e historisë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku mbarova me sukses dhe në afat të caktuar të gjitha provimet dhe seminaret e parapara. Që këtej, më 02.10.1999 mbrojta tezën e magjistraturës dhe fitova gradën Magjistër i Shkencave Historike. Pastaj, kam vazhduar me studimet e doktoratës në Degën e Historisë të fakultetit Filozofik në Prishtinë dhe në nëntor 2008 me sukses kam mbrojtur temën e doktoratës me titull: “Qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII” përpara komisionit: Prof. Dr. Jahja Drançolli, mentor, Prof. Dr. Selim Daci, anëtar, dhe Prof. Dr. Gazmend Rizaj, anëtar.
Prej vitit 2001 e deri më sot kam trajtuar çështjen e qyteteve të Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII, tezë kjo pothuajse e paprekur në lëmin e Trashëgimisë Kulturore dhe të Historiografisë sonë. Për realizimin e tezës në fjalë të doktoratës, duke qenë historian, kam përdorur burime origjinale në gjuhën osmane. Nga viti 2003-2008 kam punuar si hulumtues i shkencave historike në periudhën Osmane shek. XVI-XVIII, në Institutin e Historisë në Prishtinë. Ndërsa, aktualisht nga 15.03.2009 jam mësimdhënës në Kolegjin “Fama”.
Kam botuar edhe dhjetëra punime profesionale dhe publicistike në gazeta dhe revista në Kosovë e më gjerë. Njëherit, edhe kam marrë pjesë në disa tribuna, sesione, konferenca dhe simpoziume shkencore për çështje të historisë dhe historiografisë.
Poashtu kam të botuar edhe librin e karakterit shkencor e historik me titull “Qytetet e Kosovës gjatë shekujve  XVI-XVII:, Prishtinë 2014.
 Nga viti 2009 jam angazhuar në Kolegjin “FAMA” në Prishtinë në Fakultetitn Juridik, ku punoj edhe sot e kësaj dite dhe aktiviteti im në këtë Kolegj ka qenë i shtrirë në tre kampuse në Gjilan, Mitrovicë, Prizren si dhe qendra në Prishtinë. Prej lëndëve që kamë ligjëruar pranë këtij fakulteti janë: Historia e shtetit dhe së drejtës, Historia dhe identiteti, Historia e diplomacisë shqiptare dhe Punimi i diplomës. Ndërsa, nga viti 2013, d.m.th. nga viti i kaluar jam angazhuar edhe në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, në Fakultetin Juridik ku ligjëroj dy lëndë: Historia e institucioneve shtetërore dhe juridike, Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare. Kurse, kushtet për punë janë relativisht të mira, mirëpo duhet ende punë në mënyrë që të arrihet cilësia dhe saktësia, e veçanërisht në Universitetin Publik të Gjilanit,  sepse ky është viti i parë, e normal çdo fillim është edhe i vështirë.  

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post