Partia Republikane, me seli në Sentë, të Vojvodinës, e ka përshëndetur nismën e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me disa vërejtje rreth metodologjisë së punës për numërimin e shqiptarëve, të cilët me shumicë e patën bojkotuar regjistrimin e popullsisë, në vitin 2011.
Vlerësimi i numrit të popullsisë me ekspertët ndërkombëtarë, qoftë edhe me metoda alternative, në momentin kur, ai, sot zhvillohet, do të jetë i mangët dhe me pasoja afatgjate për ata banorë shqiptarë, të cilët u zhvendosën nga zonat e brezit kufitar me Kosovën, gjatë vitit 1999-2000.
Fakti se Enti Republikan Statistikor i Republikës së Serbisë, në dokumentet zyrtare përdor të dhënat se në Preshevë jetojnë 416 shqiptarë dhe në Bujanoc 244 sish, iriton spektrin politik dhe institucional, të cilët në njëfarë mënyre edhe kanë kontribuar për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë për mungesë transparence, përkthim të formularëve në dy gjuhë dhe përfaqësim joadekuat të shqiptarëve në këto procese të rëndësishme shoqërore.
Që nga koha e regjistrimit të popullsisë e deri më sot ,kanë kaluar 4 vjet, gati gjysma e periudhës dhjetëvjeçare e mbajtjes së regjistrimit të rregullt, e që nga ajo kohë me mijëra shqiptarë janë shpërngulur në heshtje nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, thjesht, për motive politike dhe ekonomike.
Duke i pasur parasysh këto migrime dhe ato të para 15 vjetëve kur masivisht u zbrazën vise të tëra shqiptare, jashtë dëshirës së tyre, del se edhe ky numërim i shqiptarëve, nuk do të jetë i kënaqshëm për liderët politikë dhe institucionalë shqiptarë, për të thithur më shumë subvencione nga Qeveria e Serbisë.
Meqenëse në iniciativën e Trupit Koordinues për regjistrimin “interno” të shqiptarëve vetëm në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, po përjashtohet numërimi i shqiptarëve edhe nëpër qendrat e tjera të Serbisë, kur dihet se ka shqiptarë, që jetojnë edhe në Beograd e Novi Sad.
Partia Republikane do të ishte pajtuar plotësisht me këtë proces të rëndësishëm shoqëror, sikur të numëroheshin edhe shqiptarët e këtyre komunave, të cilët aktualisht jetojnë në Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë, të cilët në mënyrë arbitrare shlyhen nga regjistrat e gjendjes civile, nuk u vazhdohen dokumentet e identifikimit si dhe u pasivizohen vendbanimet.
Ç’është e vërteta, këta banorë të zhvendosur kanë qenë të paraparë me Planin dhe Programin e Trupit Koordinues, të kthehen në vatrat e tyre stërgjyshore, duke u kompenzuar dëmet e konflikteve të armatosura gjatë vitit 2000, tu rregullohet infrastruktura, ashtu siç po veprohet me refugjatët serbë në Komunën e Bujanocit, të cilëve tani po u ndërtohen edhe shtëpi montazhë, thuhet në kumtesën e nënshkruar nga nënkryetari i Partisë Republikane, Avdil Ramadani.