Dy të rinj shqiptarë, studentë të Fakultetit Ekonomik, Grigor Basha dhe Mikel Cuni, përfaqësojnë Shqipërinë në gjysmëfinalen e konkursit global të inovacionit, teknologjisë dhe shkencës. Ka qenë vetë Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar lajmin përmes një aplikacioni në rrjetin social “Facebook”, ku ftohet të votojnë të gjithë shqiptarët për të mbështetur të rinjtë që të arrijnë në fazën finalë të konkursit. Ata ia kanë dalë që të arrijnë deri në gjysmëfinale falë idesë së tyre novatore të përdorimit të energjisë diellore për karikimin e telefonave mobile në ambjente publike. “Ndër 792 aplikantë nga e gjithë bota, dy të rinj shqiptarë, studentë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Grigor Basha dhe Mikel Cuni, ia kanë dalë që të përfaqësojnë Shqipërinë në gjysmëfinalen e konkursit global të inovacionit, teknologjisë dhe shkencës Tech-I me idenë e tyre inovatore të përdorimit të energjisë diellore për karikimin e telefonave mobile në ambjente publike. Le t’i mbështesim me votën tonë duke klikuar në foton më poshtë dhe t’i japim një shans Shqipërisë të përfaqësohet me këta dy të rinj inovatorë në finalen e madhe të këtij konkursi, në Samitin Botëror të Sipërmarrjes 2015 në Kenia,” shprehet në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, kryeministri Rama.