Për shkak të mungesës së kuorumit, të premten sërish nuk është mbajtur seanca e 25-të me radhë e Kuvendit Komunal të Medvegjës e cila ishte ndërprerë për arsye të njëjtë me datën 20 mars.
Siç raporton "MePress" në rend të ditës ndër të tjera ishin: ndërprerja dhe verifikimi i mandateve të këshilltarëve komunal, propozimi i vendimit për emërimin e avokatit publik të komunës, propozimi i vendimit për angazhimin e auditorit për auditim të jashtëm të buxhetit për vitin 2014, propozimi për emërimin e komandatit të Shtabit për situata të jashtëzakonshme etj.
Seanca është shtyrë për javën e ardhshme për datën 3 prill. Dështimet e seancës së këtij Kuvendi vien sidomos pas marrjes së drejtimit të komunës nga kryetari i ri, Dragisha Petroviq.
Titulli.com javën e kaluar raportoi për dorëheqjen e zëvendëskryetarit të Kuvendit, Fehmi Beha. Ish zëvendëskryetari dorëheqjen e kishte arsyetuar me punësimin e shumë personave nga një familje, ndërsa shumë të tjerë janë në kufi të ekzistencës.
Sipas Behës, situata ka shkuar më keq nga mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal ku u arrit një konsensus me zgjedhjen e kryetari të ri, që si qëllim kishte dhënien fund dukurive të tilla, mirëpo ai thekson se tani situata është më e rëndë se më parë dhe pa asnjë shpresë se diçka do të përmirësohet. /Titulli.com/