/ / Presheva me Lëvizje të re: Po vijmë t’i shërbejmë popullit dhe jo ta sundojmë atë!

Presheva me Lëvizje të re: Po vijmë t’i shërbejmë popullit dhe jo ta sundojmë atë!

Skenës politike të Luginës së Preshevës do t’i shtohet edhe një subjekt i ri politik, i cili tashmë është në fazën e përpilimi të Statutit dhe programit të kësaj Lëvizje.
Njëri nga iniciatorët kryesor për themelimin e kësaj partie të re me seli në Preshevë, Shqiprim Arifi, ekskluzivisht për portalin informativ Kjo eshte Presheva Jone! deklaroi se deri te nisja për themelimin e subjektit të ri ka ndikuar situata e rëndë në vend.
“Politika aktuale e cila udhëhiqet për momentin nga qeverisja lokale nuk jep fare mundësi që qytetarët të mbajnë edhe një fije shprese për përmirësimin e situatës. Iniciativa për themelimin e një lëvizjeje të re politike vjen nga pakënaqësia e cila shprehet nga të gjithë, si dhe nga nevoja për reformim politik dhe për ndryshime aktuale në të gjitha fushat e politikëberjes”, shprehet Shqiprim Arifi, me profesion ekonomistë dhe biznesmen i suksesshëm në Gjermani.
Grupin nismëtar të kësaj Lëvizje politike sipas Arifit e përbëjnë individë profesionist, intelektual, te rinj entuziast, etj., të pakënaqur me keqqeverisjen lokale të pushtetit aktual dhe atyre të mëparshëm, të cilët kanë marrë përsiper barrën për ndryshime pozitive në qeverisjen lokale dhe me betimin që mos të përsëriten të njëjtat gabime në të ardhmen.
“Nga Qyteti i Preshevës por edhe i Bujanocit si dhe nga shumica e vendbanimeve, qytetarët  po i lajmërohen anëtarëve tanë të Këshillit nismëtar, për t’iu bashkangjitur një alternative të re me një qëllim të vetëm: Ti shërbejmë popullit dhe jo ta sundojmë atë!”, shprehet Shqiprim Arifi.
Lexo të plotë intervistën
Kjo eshte Presheva Jone!: Duke marrë parasysh se në Luginë të Preshevës vepron një numër i konsiderueshëm i subjekteve politike shqiptare, çka ju shtyri që të merrni iniciativën për themelimin e një lëvizjeje të re politike në Preshevë?
Shqiprim Arifi:   Në bisedë e sipër me shumë shokë, miq dhe qytetarë, madje edhe me politikan të ndryshëm mbizotëron bindja, se gjendja politike, sociale dhe ekonomike në Luginë të Preshevës ka arritur një nivel degradimi shumë të dëmshëm. Politika aktuale e cila udhëhiqet për momentin nga qeverisja lokale nuk jep fare mundësi që qytetarët të mbajnë edhe një fije shprese për përmirësimin e situatës. Iniciativa për themelimin e një lëvizjeje të re politike vjen nga pakënaqësia e cila shprehet nga të gjithë, si dhe nga nevoja për reformim politik dhe për ndryshime aktuale në të gjitha fushat e politikëberjes. Rezultatet negative të një politikëbërje shumëvjecare të gabueshme, tendencioze dhe familjare janë më se të dukshme në terren. Përvoja e deritanishme i themelimit të partive politike me qëllim përfitimesh personale, ineteresash individuale dhe klanore, formime të partive përmes shkëputjeve nga një parti ekezistuese gjithnjë për plotësimin e apetiteve karrieriste personale, kësaj rradhe do të anashkalohet përmes formimit të një lëvizjeje politike e cila vjen si rezultat i një nëvoje të natyrshme të kohes, pas një pakënaqesie shumëvjeqare ndaj klases Politike në Luginë.
Kjo eshte Presheva Jone!:  Cili do të jetë dallimi mes subjektit që ju si grup  me njerëz të ri keni iniciuar të formoni dhe partive politike të deritashme që veprojnë në Preshevë?
Shqiprim Arifi:   Dallimi mes subjektit tonë dhe partive politike të deritashme do të jetë esencial. Vetë themelimi i lëvizjes sonë ishte një proces shumë demokratik dhe transparent, me njerëz që kanë entuziazëm, kapacitete dhe potenciale profesionale për të zhvilluar një politikë adekuate dhe kualitative në të mirën e qytetarit të Luginës së Preshevës dhe më gjerë. Fenomeni i deritashëm i vënies së interesave personale dhe klanore mbi ato shoqërore, bashkëpunimi selektiv me shtresa të caktuara të shoqërisë për t’i siguruar vetëm një grupi të ngushtë të njerëzve pushtet dhe benefite financiare e benefite tjera, punësimi përmes partisë e jo përmes aftësisë profesionale, kriterëve dhe konkurseve transparente, projektet që sigurojnë të ardhura vetëm për kompani të caktuara të afërta me pushtetin lokal, dhënia e votës i shtyer nga skamja në shkëmbim të gjërave elementare ushqimore si: mielli, kripa, vaji etj., apo forma klasike e blerjesë votave dhe manipulimi me listat zgjedhore etj. etj., të gjitha këto fenomene negative marrë së bashku kanë shkaktuar me fjalë tjera “privatizimin e politikës”, privatizim ky i cili ka nxitur revoltën dhe reagimin  e qytetareve  per t’i thënë MJAFT këtij lloj sistemi të qeverisjes. Ne si Lëvizje  kemi gatishmërinë për t’i luftuar dukuritë e lartëpërmendura negative, duke ndërtuar standarde të qëndrueshme të politikëbërjes dhe pikërisht kjo është ajo e cila do të n’a dallojë esencialisht nga partitë ekzistuese, sepse jemi thellë të bindur se partive tjera iu mungon kjo gatishmëri. Te gjitha këto dukuri negative do të eliminohen duke e ndërtuar një strukturë të re udhëheqëse në shoqërinë (komunët) tonë,  e cila do të kishte si rezultat të saj një jetë më kualitative të vetë qytetarit.
Kjo eshte Presheva Jone!:  Në programin e subjektit, që tashmë publikisht po e paraqitni për herë të parë në opinion, cila do të jetë fusha kryesore të cilës do t’i kushtoni më shumë vëmendje?
Shqiprim Arifi:   Për shkak të politikbërjes së tillë të partiave aktuale në Luginë, shumë fusha të veprimit jane bërë kyçe. Për ne si Lëvizje është me rëndësi që të kthejmë, siç thash edhe më lart, së pari kualitetin e politikëbërjes në Luginë. Kur kthehet kualiteti i politikëbërjes dhe eliminohet interesi personal apo i klaneve, atëhere kjo do të reflektohet në një jetë më kualitative të qytetarëve. Ne kemi tubuar një grup të njerëzve entuziastë, të bazuar jo vetem në ideale, por edhe në aftësi profesionale. Lëvizja jonë në gjirin e sajë përfshin shumë ekspertë, nga vendi dhe jashtë, të fushave të ndryshme dhe të cilët e kanë dëshmuar veten në sfera të ndryshme shoqëroro-ekonomike. Ekspertët tanë janë në përpilim e sipër të një strategjie për të dalur nga situata e vështirë, së pari nga ajo politike, por për pasojë edhe nga ajo ekonomike. Investitorët por edhe partnerët ndërkombëtarë, e kanë stagnuar përkrahjen, bashkëpunimin dhe investimet e tyre në trevën tonë, pikërisht për shkak të qeverisjes së dobët të pushtetit lokal, dhe aktiviteteve joadekuate të partive në përgjithësi ndër vite. Gjithashtu edhe nismat për tërheqjen e investitorëve të mundshëm, janë ndalur, apo më mirë me thënë janë penguar, pasi që është vërejtur nga investitorët e jashtëm dhe partnerët ndërkombëtar të Luginës, se po ka më shumë apetite individuale dhe klanore, sesa shoqërore. Ne nuk dëshirojmë të ndajmë, një fushë nga tjetra, për shkak se kompleksiteti i problemeve i ndërlidhë të gjitha fushat e jetës, qofshin ato shoqërore, sociale apo ekonomike. Pra, Lëvizja jonë do të ketë një Plan i cili  do të përfshijë të gjitha çështjet dhe problematikat dhe në saje të angazhimit të stafit tonë vendor dhe jashtë vendit, do të  japim zgjidhje (per dikë ndoshta edhe të dhimbshme) për tejkalimin e situatës, një zgjidhje adekuate për të dalur sa më shpejt nga ky ngërç politik që na ka kapluar.

Kjo eshte Presheva Jone!:  Si e vlerësoni punën e udhëheqësisë së tanishme në Preshevë, por edhe të atyre që tashmë janë në opozitë?
Shqiprim Arifi:   Që në fillim duhet t’ia bëjmë të qartë opinionit se opozitë të mirëfilltë politike në Luginë të Preshevës në përgjithësi, nuk ka. Ne si Lëvizje do të jemi të parët të cilët do të përcjellim zërin e popullatës, duke marrë rolin e avokatit të tyre, gjegjësisht do të merremi në mënyrë aktive me problematikat të cilat janë akumuluar dhe janë duke e munduar popullatën tonë.
Partitë në opozitë, apo më mirë të themi jashtë pozitës, janë duke u marrë më shumë me problemet e tyre interne, sesa me problemet reale të qytetarëve. Pseudo-reformat të cilat po përfliten në opinion kohëve të fundit, se do të ndodhin brenda partive atkuale, duhen te kuptohen si “makiazh” i strukturës së tyre të funksionimit intern, e jo reforma rrënjësore, që do të prodhonin një kualitet të dukshëm politik. Partitë aktuale në Luginë qofshin të pozitës apo ato të opozitës, ose janë prodhim i kohës së mentalitetit politik komunist të ish-Jugosllavisë ose janë “foshnje” apo “derivat” të ndonjë partie të mëhershme, të cilat parti kanë ,,lindur’’ për shkak se individë të caktuar nuk kanë mundur t’i plotësojnë interesat e tyre individuale dhe klanore aty ku kanë qenë dhe janë përçarë dhe kanë themeluar një parti tjetër. Ndoshta dikund ka pasur ndonjë qëllim të mirë, por në fund të fundit nuk kanë arritur që të përmirësojnë vertetë gjendjen socio-ekonomike të popullatës, por madje janë bërë vegla (letra) të partive të mëdha në “Pokerin” për koalicione të mundshme, për të siguruar minimumin e votave për pushtet lokal. Kurse, pushteti aktual, si në Preshevë poashtu edhe në Bujanoc, apo më mirë të themi ,,partitë e mëdha’’ në Luginë, janë ngulfatur në hasmëri ndaj njëra tjetrës, për shkak të lojërave dhe manipulimeve shumëvjeçare të aspektit politik dhe interesave individuale dhe klanore. Të gjitha këto aventura janë bërë në kurriz të popullatës dhe ajo që është më e keqja, gjoja në interes të saj.
Kjo situatë shumëvjeçare dhe raporti ndërpartiak i ndërtuar ndër decenie, ka sjellur deri te një menaxhim joprofesional dhe subjektivo-partiak të këtyre dy komunave. Pra, nuk është ndërtuar menaxhimi në baza objektive dhe profesionale dhe me aspirata të qëndrueshmërisë për qytetarin, por në aspektin e lidhjeve partiake dhe përfitimit partiak, klanor apo individual. Ky lloj menaxhimi i qeverisjes lokale reflektohet në shumë sfera të jetës shoqëroro-politike të Luginës si p.sh. në punësim, infrastrukturë, ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë, jetën sociale, humanitare etj. Këtë edhe vetë shteti Amë i yni, e ka dëshmuar përmes shumë deklaratave publike. Ne si Lëvizje konstatojmë se vetë populli i Luginës është peng i partive joprofesionale dhe “filozofisë” së tyre të veprimit të tillë politik. Lëvizja jonë kësaj “filozofie qeverisjeje” do t’i japë fund në  zgjedhjet e ardhshme lokale, zgjedhje të cilat konsiderojmë se do të jenë të një rëndësie jetike dhe historike për qytetarët e Luginës së Preshevës, që nga konflikti i vitit 2001 e këtej.
Kjo eshte Presheva Jone!:  Deri tani, në fazën e konstituimit të subjektit të ri, sa keni pas përkrahje dhe interesim të qytetarëve për t’iu bashkangjitur radhëve tuaja?
Shqiprim Arifi:   Jemi befasuar me interesimin e madh dhe entuziazmin shumë pozitiv të qytetarëve të Luginës të cilët kanë përkrahur idenë e themelimit të një Lëvizjeje NDRYSHE politike. Me shumicën e individëve me të cilët kemi biseduar lidhur me idenë tonë për një nismë, për një Lëvizje të re politike, kemi gjetur përkrahje dhe bashkangjitje pa hezitim, poashtu dhe kanë referuar njerëz profesionistë të sferave të ndryshme të cilët mund ta japin kontributin e tyre në këtë Lëvizje. Ndajmë konstatimin tonë me shumicën e qytetarëve të Luginës, se një nismë e tillë është dashur të ndërmirret shumë më herët. Populli ynë di ta kuptojë shumë mirë, kur gjërat nuk janë duke ecur në rrugën e duhur, si këtu poashtu edhe në diasporë dhe e kupton që ka ardhur koha të zgjohemi dhe të fillojmë të ndërtojmë një Fillim të Ri, duke marrë pjesë në një kthesë politike në një Alternativë të re, në një alternativë pozitive të cilën besojmë fort se e meriton ky popull që jeton në këto treva.
Grupin nismëtar e përbëjnë individë profesionist, intelektual, te rijn entuziast, etj., të pakënaqur me keqqeverisjen lokale të pushtetit aktual dhe atyre të mëparshëm, të cilët kanë marrë përsiper barrën për ndryshime pozitive në qeverisjen lokale dhe me betimin që mos të përsëriten të njëjtat gabime në të ardhmen.  Nga Qyteti i Preshevës por edhe i Bujanocit si dhe nga shumica e vendbanimeve, qytetarët  po i lajmërohen anëtarëve tanë të Këshillit nismëtar, për t’iu bashkangjitur një Alternative të Re me një qëllim të vetëm: Ti shërbejmë popullit dhe jo ta sundojmë atë!
Ne shpresojmë se brenda një afati të shkurtër kohor, do të ndërtojmë rrjetin tonë nëpër të gjitha vendbanimet tona, si dhe në diaspor dhe do të fillojmë me grumbullimin e nënshkrimeve për të regjistruar subjektin tonë politik. Hapi i mëtejshëm do të jetë, mbajtja e Kuvendit themelues, në të cilin do të aprovohen Statuti dhe Programi politik, ku edhe do të zgjidhen organet e Partisë.
Kjo eshte Presheva Jone!:  Duke parë se interesimi për të qenë pjesë e këtij subjekti është i lartë, mendoni se edhe suksesi i lëvizjes do të jetë i tillë?
Shqiprim Arifi:   Dihet se në historinë e zgjedhjeve për pushtetin lokal të Presheves asnjëherë ndonjë parti si e vetme, nuk ka mundur të marrë pushtetin që në garën e parë zgjedhore të sajën. Edhe ne njohim këtë fakt, por siç e thamë më herët, ne nuk jemi parti që ka dalë si derivat i ndonjë subjekti tjetër politik, apo nga ndonjë shoqatë joqeveritare. Ne jemi Lëvizje popullore e Luginës dhe ky dallim e bënë të mundur që Lëvizja jonë të ketë sukses qysh në garën e sajë të parë politike. Pas marrjes së qeverisjes,  Programi jonë (reformues) i punës do të jetë çelësi i suksesit për ndërtimin dhe zhvillimin pozitiv të shoqërisë sonë. Pse të mos jemi të bindur për fitore, qysh në garën tonë të parë politike, kur qëllimet i kemi të sinqerta dhe synimi ynë është shoqëria e jo individi apo klani. Nëse deri më tani popullata jonë ka qenë mes dilemës se cilit subjekt t’ia besojë votën dhe gjithashtu ka qenë e zhgënjyer pas çdo proçesi zgjedhor, kësaj radhe Lëvizja jonë ofron opcionin praktik, që lidhet me nevojat e popullatës dhe të ardhmen pozitive të saj. Popullata jonë tash e tutje do të jetë e vëmendshme dhe e gatshme që këta pushtetarë t’i ndëshkoje me Voten e tyre.
Tek qytetarët pikërisht po e vërejmë një gatishmëri për një jetë me perspektivë pozitive, për t’u çliruar nga kjo gjendje, në të cilën na kanë katandisur pushtetet aktual dhe të mëparshmëm lokal, të cilët janë dëshmuar që nuk njohin tjetër veç interesave invdividuale dhe klanore. Për ne është më se e qartë se do të korrim sukses që në garën e parë zgjedhore.
Kjo eshte Presheva Jone!:  Cili do të jetë emërtimi i subjektit të ri dhe çfarë simbolike paraqet?
Shqiprim Arifi:   Emri, Programi dhe Statuti i Lëvizjes sonë do t’i prezentohen në kohën dhe në vendin e duhur qytetarëve të Luginës. Aktualisht jemi në fazën e përpilimit të statutit dhe programit të Lëvizjes sonë, dhe natyrisht në bazë të propozimeve të anëtarëve të Lëvizjes si dhe në bazë të vetë statutit dhe programit të Lëvizjes do të zgjedhim një emërtim adekuat, i cili do të simbolizojë iniciativën tonë. Por, personalisht ndaj mendimin se vetë emri nuk është ai i cili do t’i sjellë ndryshimet pozitive në këto treva, por do të jenë anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes ata, të cilët me angazhimin dhe veprimet e tyre në të ardhmen, do t’a jetësojn emrin e Lëvizjes dhe do të jenë krenarë për subjektin, si dhe për emrin e Lëvizjes politike që i takojnë.
Kjo eshte Presheva Jone!:  A mund të na jepni një biografi të shkurtër tuajën?
Shqiprim Arifi:   Kam lindur në Gjermani në vitin 1976, jam rritur dhe edukuar atje. Kam të mbaruar shkollën profesionale të ekonomisë dhe prej 15 vitesh kam biznesin tim në fushën e logjistikës internacionale (transport ndërkombëtar) në Gjermani. Gjithashtu jam edhe bashkëthemelues (deri para pak kohësh Sekretar i përgjithshëm) i Qendrës së Solidaritet dhe Avancimit, me 6 Qendra në gjithë Evropën. Në vitin 2013 jam kthyer në Luginë të Preshevës me familjen time, për të jetuar dhe vepruar në vendin ku ka jetuar dhe prej nga rrjedh dhe familja ime. Jam bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post