/ / A janë të dinjitetshëm liderët e Luginës në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të popullatës së Luginës së Preshevës?

A janë të dinjitetshëm liderët e Luginës në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të popullatës së Luginës së Preshevës?

Në të gjitha kohërat ka pasur prijës e liderë që i kanë përfaqësuar dhe i përfaqësojnë qytetarët e tyre, liderë të dinjitetshëm dhe të pa dinjitetshëm. 
Kohëve të fundit u përsëritën dhe dolën në opinion disa fakte që paraqesin vështirësitë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, vuajtjet e tyre nga pushteti serb. Popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës në të gjitha aspektet, vazhdon të mbetet pakica më e diskriminuar në mbarë Evropën. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se ato vështirësi dhe vuajtje janë të instaluara me qëllime të caktuara nga pushteti serb, të ri dizajnuara që nga koha e viteve 1878. 
Për t’i ndaluar këto vështirësi dhe padrejtësi është e vërtetë se popullsia e Luginës së Preshevës ka nevojë për liderë të dinjitetshëm që i mbrojnë interesat dhe të drejtat e tyre. Dinjiteti qëndron, kur i zoti shtëpisë i fillon punët mbarë dhe në interes të familjes së vet. Gjatë rrugëtimit në rast të pengesave, duhet ta kërkojë ndihmën e vëllait, mikut, etj. Por, duhet kuptuar se nëse i zoti i shtëpisë nuk është i interesuar t’i fillojë punët mbarë, atëherë edhe vëllai apo miku me vështirësi i del në ndihmë. 
Shtrohet pyetja: A janë të dinjitetshëm liderët e Luginës së Preshevës në mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të popullatës që e përfaqësojnë? 
Nëse i krahasojmë zanafillat e organizimeve politike në tri komunat ku jetojnë dhe veprojnë sot shqiptarët e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë) me organizimet dhe aktualitetet politike, sociale, ekonomike dhe të sigurisë, që nga viti 1992 e deri më sot, mund të shohim rrjedhën reale se në Luginën e Preshevës nuk ka ndryshuar asgjë për të mirë të atyre qytetarëve, por veç sa ju ka vështirësuar jeta më shumë. E gjithë kjo, siç duket, ka ardhur si pasojë se ata që u vunë në krye të proceseve, janë vënë vetëm pas interesave të ngushta personale, grupore e partiake, duke i harruar interesat dhe preokupimet më elementare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët i përfaqësojnë. 
Edhe përkundër arritjes së Marrëveshjes së Paqes (Marrëveshjes së Konçulit, 13.2.2001), me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, për përfundimin e luftës së armatosur ndërmjet UÇPMB-së dhe forcave të kombinuara serbe, me të cilën parashihej arritja të paktën e disa të drejtave për popullatën shqiptare të Luginës së Preshevës, liderët e kësaj pjese e shfrytëzuan mos implementimin e kësaj marrëveshjeje dhe krijuan terren të favorshëm për rrugën e tyre politike, duke kërkuar përkrahje në sigurim të votave të shqiptarëve dhe serbëve për marrjen e posteve udhëheqëse në nivelin komunal dhe republikan. Realiteti objektiv flet për formimin e panevojshëm të një numri të madh të partive politike (të mëhallëve), krijimi i Këshillit Nacional, që shfrytëzohet për nevoja partiake, duke përçarë dhe duke krijuar edhe më tutje pasiguri dhe padrejtësi tek popullata shqiptare në çdo nivel të jetës. 
Ky rrugëtim i gjatë i faktorit politik shqiptar të Luginës është një realitet i hidhur, që është krijuar nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, dhe që reflekton në një përçarje të planifikuar deri në një urrejtje dhe njollosje të ndërsjellë. 
Në ditët e sotme vërehet se popullata e Luginës së Preshevës ka një lidership të hutuar brenda vetvetes, të shantazhuar me dijeni apo pa dijeni, aktorë, si dhe demagogë profesionistë. 
Një fjalë e urtë popullore këndej nga ne thotë: “Më mirë është t’i kesh të dy këmbët me këpucët e tua të vjetra dhe të ecësh kah të duash se sa t’i futësh të dy këmbët në një këpucë të kojshme e mos të mundesh fare të ecësh”. Këpucët e Nebojsha Çoviqit, të Zoran Stankoviqit, Ivica Daçiqit si dhe të disa të tjerëve gjatë verës mund të jenë të mira, por për sezonin e dimrit ato nuk ju bëjnë punë, ua lëshojnë ujin. Kështu që është mirë të përgatiteni t’i përdorni ato tuajat se janë më të qëndrueshme. 
Qytetarët e mjerë në këto vise shqiptare kanë besuar (apo kanë dashur të besojnë) se kanë liderë të dinjitetshëm, “liderë” që i mbrojnë interesat e tyre, ”liderë” që punojnë për t’u ofruar një jetë më të mirë në aspektin social-ekonomik, ”liderë” që bëjnë më shumë në nivelin kulturor, arsimor e shëndetësor, “liderë” që i lënë anash interesat individuale dhe partiake për interesat e përgjithshme, ”liderë” që mbrojnë dinjitetin e çdo shqiptari në Luginë të Preshevës, “liderë” që paraqesin unitet nacional! Por, JO! Realiteti i deritanishëm është tjetër. Shqetësimet e tilla të popullsisë, liderët aktualë i përdorin vetëm si fjali gjatë fushatave të ndryshme elektorale për interesa shumë të ngushta të personale, grupore e partiake, pastaj gjatë takimeve me faktorin politik në Kosovë dhe në Shqipëri dhe para qytetarëve të tyre për t’ua shitur demagogjitë. 
Pas shumë retorikave dhe demagogjive të tyre të paskrupullta, kohëve të fundit, siç duket, qytetarët e Luginës së Preshevës e kanë kuptuar se deri më tani, paskan qenë të mashtruar nga ”liderët” e tyre, se qenkan gënjyer me demagogjitë e retorikat e tyre profesionale, me plot gojën nacionalizëm, me retorikat e tyre për një jetë më të mirë, me reflektimin e skajshëm të përçarjeve të tyre tek popullata e Luginës së Preshevës. Kjo është fatkeqësia, e cila është ngulitur thellë në ideologjitë dhe programet e sotme qeverisëse në Luginën e Preshevës. 
Qe 22 vite, përsëriten këto retorika fjalish nga secili lider i Luginës së Preshevës, duke u nisur nga niveli komunal e deri te ai republikan, por në realitet në gjendjen faktike, nuk vërehet as një e mirë që të jetë bërë me ndikimin e këtyre “liderëve politikë” të Luginës së Preshevës. 
Liderët e vetëquajtur të Luginës së Preshevës, edhe më tej të ndarë e të përçarë, kanë ndikuar dhe në mënyrë ekstreme e kanë ndarë e përçarë edhe popullsinë shqiptare të kësaj treve. Këta vazhdojnë të kërkojnë, dikush më shumë e dikush më pak, lëmoshë nga njëri-tjetri për një karrige në parti, për një karrige në asambletë komunale, për një karrige në parlamentin e Serbisë, për një karrige në Këshillin Nacional, apo për një takim të thjeshtë me një politikan nga Kosova apo nga Shqipëria dhe atë jo pa kamera televizive, për t’u kthyer pastaj me vrap në Luginën e Preshevës, duke proklamuar para popullatës, se si akëcili prej tyre, si një njeri me rëndësi ka pasë takime me qeveritarë apo politikanë nga Kosova apo Shqipëria, ku bile edhe i përgënjeshtrojnë bisedat e zhvilluara tek opinioni qytetar në atë pjesë. 
Sot ata përbëjnë një grumbull politikanësh, të cilët skajshmërisht janë të amortizuar dhe të bastarduar nga politikat afatgjata serbe. Është e kuptueshme se janë nën autoritetin e kushtetutës së Serbisë, por nuk është e kuptueshme, fakti se pse edhe ato pak të drejta që vet kushtetuta dhe ligjet e Serbisë i lejojnë, këta nuk i shfrytëzojnë. 
Fatkeqësisht, i mashtruar gjatë gjithë këtyre ngjarjeve gjendet qytetari i thjeshtë, i cili po e paguan çmimin e lartë, duke u bërë spektator i kësaj shfaqjeje të pashpresë. Sot ata paguajnë çmimin e zhvendosjes se heshtur, çmimin e cenimit të sigurisë së tyre elementare, çmimin e mospërdorimit të dy gjuhësisë, çmimin e mos arsimimit adekuat, të shëndetësisë dhe të të drejtave të tjera elementare njerëzore e kombëtare. 
Duke parë zgjedhjet e fundit për Këshillin Nacional, nuk mund të nxjerrim asnjë përfundim tjetër, përveç se janë bërë për përmbylljen e një mozaiku të vizatuar dhe të komponuar nga ata të cilët tanimë janë të njohur për kësi lloj mozaikësh. 
Në fund të fundit, si është e mundur që secili lider politik në Luginë është vendosur dhe mori nga një pozitë institucionale brenda jetës politike? A është ky rezultat i vullnetit të qytetarëve shqiptarë, i qytetarëve serbë apo i pushtetit serb?! 
Shumë shpesh i dëgjojmë britmat dhe thirrjet e këtyre liderëve për interesim më të madh të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare. Kërkojnë mbështetje, por është e çuditshme se këta bërtasin dhe kërkojnë mbështetjen e tyre vetëm për konsum media te popullata e Luginës së Preshevës dhe për asgjë tjetër. 
Sa herë i dëgjojmë këto thirrje të rrejshme, gjithnjë e më shumë bindemi se u ngjajnë thirrjeve të atij bariut të përrallës tragjike, që bërtiste “ujku”, “ujku” dhe të gjithë e dimë se si përfunduan delet e qengjat e pafajshëm. 
Ky angazhim nuk e la pa i zbardhur fytyrat e vërteta të këtyre personave në raport me thirrjet e rrejshme dhe nuk e la pa e identifikuar nivelin e lartë të zhytjes së këtyre personave në raport me ndikimet e Beogradit. 
Sot qytetari i Luginës reflekton një jetim të vërtetë në raport me partitë politike shqiptare dhe një individ pa shpresë dhe pa të ardhme, duke iu falënderuar këtyre liderëve të vetëquajtur të Luginës së Preshevës. 
Kujtojmë se këta individ mund të jenë kushdo apo çfarëdo, por veprimtaria e tyre nuk përkon me politikat strategjike nacionale, të cilat obligativisht reflektojnë diçka tjetër e jo ndarje, përçarje, gënjeshtra, shantazhe të ndërsjella, pasiguri, zhvendosje të heshtur, asimilim. Sot shqiptarit i duhet një dorë e fortë e bashkimit dhe e unifikimit dhe jo shuarje e epsheve të sëmura për pushtet, para e servilizëm. 
Sot shqiptarëve të pashpresë të këtyre viseve, u duhet e drejta e siguruar elementare për jetë, e drejta për shprehje të mendimit të lirë, e drejta për arsimim dhe edukim në gjuhën amtare, e drejta për punë dhe mundësi të barabarta, e drejta për një të drejtë të pamohueshme në drejtim të të qenit të lirë dhe sovranë ndaj vetvetes dhe kornizës së kundërligjshme të planifikuar nga Beogradi zyrtar. 
Krejt në fund shtrohet vetëm një pyetje: Kush mund t’i ndihmojë këta shqiptarë të lënë në mëshirë të fatit dhe të Zotit, të humbur dhe të çorientuar, të lënë në këtë gjendje të tmerrshme që u është shkaktuar pa dëshirën e tyre?! Një pjesë e përgjigjes në pyetjen e mësipërme mund të jetë vizita e Kryeministrit Shqiptar, Edi Rama, në Luginën e Preshevës, që i dha pak shpresë dhe motiv për jetë popullatës shqiptare të kësaj treve. U vërejt se për këtë popullatë, kryeministri Rama, ishte shumë i mirëseardhur, por u vërejt se edhe në pritje të kësaj vizite ka pasë zëra të përçarjes së liderëve të Luginës së Preshevës në mes veti, ku disa prej tyre nuk kanë shprehur gatishmëri për pritjen e tij, disa të tjerë gjatë fjalimit të mbajtur nga z. Rama në Shtëpinë e Kulturës në Preshevë përtonin edhe të duartrokisnin! Pra, këta janë të vetëquajturit liderë që i përfaqësojnë interesat e popullatës së mjere të Luginës së Preshevës! 


Hasan Hyseni Prishtinë, Nëntor 2014 

(Autori është njohës i rrjedhave të Luginës së Preshevës) 

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post