Funksioni i këtij grupi doktorantësh shkon përtej ligjërimit dhe punës shkencore nëpër kabinete. Qëllimi i tyre është që të ndihmojnë dhe talentet nga Kosova dhe hapësirat tjera shqiptare.
Të studiosh në ETH (Universiteti Teknik i Cyrihut) ose në EPFL të Lozanës është një nder që nuk mund ta ketë secili. Në ETH, universitetin i cili rregullisht zë kreun e ranglistave të universiteteve evropiane, albinfo.ch ka takuar një grup doktorantësh shqiptarë dhe ka biseduar me ta për motivimin e bashkatdhetarëve të tjerë për të studiuar në këtë universitet dhe universitetet tjera elitare të Zvcrës.
Bledar Fazlija, me origjinë nga Drenica e Kosovës, kishte ardhur më 2006 nga Gjermania në Zvicër për të studiuar matematikën në njërin prej universiteteve më të mira të botës në Zvicër, në ETH. Bledari ka përfunduar masterin në matematikë më 2011, ndërsa po të njëjtin vit në muajin qershor kishte filluar zyrtarisht edhe doktoratën në lëmin e matematikës së pastër në ETH.
ETH e kishte tërhequr Bledarin që ta lërë Gjermaninë për Zvicrën. Në fillim e kishte tërhequr programi zviceran në fizikë që ka edhe shumë matematikë, gjë që e dallon nga universitetet e tjera në Gjermani dhe kuptohet, edhe që është një “top universitet”, thotë doktoranti shqiptar në Zvicër.
„Nuk ka universitet më të mirë se ETH-ja. Përparësi e ETH-së është se në vitin e parë programet e matematikës dhe fizikës janë të njëjtë, e mund të përcaktohesh nga viti i dytë për njërin prej tyre. Kjo ndikon për studentët që nuk janë përcaktuar se a të studiojnë matematikën apo fizikën“, thotë Bledari.
Kur e pyesim Bledarin se a ka lënë të martohet pasi të përfundojë doktoratën, ai qeshet dhe thotë se jeta private varet nga kushtet ekonomike të studentëve.
„Me ardh dikush për studime nga Kosova dhe Maqedonia, atëherë mund të ketë probleme për t’u shkolluar“, tha Bledari, duke mohuar se është ballafaquar me probleme financiare gjatë studimeve, ngase sipas tij, ka gjetur gjithmonë përkrahjen edhe të familjes, po edhe të shtetit me bursa.Pothuaj të gjithë studentët shqiptarë marrin bursa
Sidomos në Zvicër është një përparësi me bursa nëse familja nuk arrin të përkrahë fëmijët e tyre në studime, thotë në anën tjetër Meriton Ibrahimi, doktorant në matematikën financiare. Meritoni, me origjinë nga rrethina e Kumanovës, është i mendimit sikur kolegët tij, se nuk ka barriera nëse ekziston dëshira për të studiuar në Zvicër. Ka dallime nëpër kantone në Zvicër, por në asnjë rast nuk mund të mbetesh pa bursë studimi nëse familja nuk ka mundësi për financim.
Pesë doktorantët shqiptarë kanë përfituar bursa shtetërore të studimeve. Janë dy institucione ku mund të drejtohen për bursa studentët: kantoni dhe universiteti. Bursat janë të kufizuara në kohë, por nuk varen prej suksesit të treguar në studime dhe nuk duhen të kthehen.
Nga kjo bisedë me doktorantët kuptuam që nuk përfitojnë të gjithë bursa, por shqiptarët në të shumtën e rasteve i marrin, ngase të ardhurat e familjeve të tyre janë të ulëta. Disa studentë nuk janë të informuar se mund të përfitojnë bursa, thotë Meritoni.
Ndërsa për Bledarin dhe Arbrin rol të rëndësishëm në shkollimin e tyre kanë luajtur edhe prindërit e tyre. Prindërit e tyre kanë qenë të përkushtuar gjatë gjithë kohës së shkollimit deri në studime. „Më vonë zhvillohet vizioni se çka do të donim të studionim. Përkushtimi i prindërve ka shumë rëndësi në shkollimin e fëmijëve.
Prindërit nuk më kanë thënë se duhet të studioj matematikë ose të më thoshin se kjo është më e mirë se tjetra, por ata kanë qenë të përkushtuar se a po mësojmë sa duhet“, tregon Bledari.
Rasti i Meritoni Ibrahimit, doktorant në matematikën financiare në Universitetin e Cyrihut, është më specifik kur flasim për motivimin gjatë shkollimit të tij. Ai me dy shokë të tjerë të ngushtë që para shkollimit të mesëm ishin përcaktuar për të vazhduar bashkë gjimnazin. „Ne kemi shtyrë njëri-tjetrin deri sot dhe që të tretë kemi vazhduar studimet. Kuptohet, më vonë përkrahjen e kishim edhe të familjes“, tregon Meritoni.
Gjimnazi t`i çelë dyert e secilit universitet
Kurse Meriton Mihovci me origjinë nga Gjilani, thotë të ketë pasur përkrahjen pa rezervë të familjes. „E mbaj mend që në klasën e shtatë më thoshte babai se nuk dua zanat, por dua shkollë. Nëse ke plan të vazhdosh studimet, të duhet edhe gjimnazi“, tha doktoranti në matematikën financiare në EPFL në Lausanne. Gjimnazi t‘i çelë dyert, pa provim pranues në cilindo universitet në Zvicër. „Nëse e përfundon maturën, mund të studiosh në cilindo top- universitet në Zvicër pas asnjë provim pranues“, thotë Meritoni. Ndërsa të huajt nga vendet e tjera duhet t‘i nënshtrohen provimit pranues.
Bledari është këmbëngulës se ky duhet të jetë motivimi për shqiptarët në Zvicër, ngase mund t‘i qasen edhe ETH-së nëse e kryejnë gjimnazin, e këtë përparësi nuk e kanë as amerikanët në universitetet e tyre.
Kur pyeten se sa studentë shqiptarë po i shfrytëzojnë këto përparësi në universitetet zvicerane, për Bledarin trendi është pozitiv, por nuk është i kënaqshëm me potencialin e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Në ETH, edhe me zanat
„Ne jemi gjenerata zero e studentëve dhe prej këtu është pikënisja. Ndihmë nga prindërit tanë nuk kemi pritur më shumë, duke i ditur rrethanat e migrimit të tyre“, tha Amir Muharemi.
14 vjeç kishte migruar në Zvicër, dhe problemin më të madh në fillim e kishte ballafaqimin për ta mësuar gjuhën gjermane. „E mira ka qenë se unë kam gëzuar lirinë absolute nga prindërit. Gjithmonë e kisha një person si motivim për të vazhduar tutje me shkollimin, si në gjimnaz, ashtu edhe në fakultet“, flet për rrugëtimin e tij Amiri. Ai nuk kishte kryer gjimnazin, por shkollën e mesme, drejtimin e informatikës, për të vazhduar bachelorin në një shkollë të lartë të elektroteknikës.
„Vetë emri i ETH-s na ka motivuar të vijmë këtu në Cyrih për studime postdiplomike. Por, edhe aty ku kam kryer bachelorin, profesorët më kanë treguar për të mirat e këtij top-universiteti“.
Edhe ne si doktorantë shqiptarë të ETH-së kemi për qëllim t’i motivojmë të gjithë ata që ia mësyjnë këtij universiteti prestigjioz. „Ka aplikantë shqiptarë nga Kosova që janë pranuar në ETH për master apo bachelor, në shkencat kompjuterike, elektro etj., me vullnet dhe me punë mund ta kryejnë ETH-në“, thotë Amiri.
Ata si grup për çdo ditë takojnë doktorantë të rinj në Universitetin e Cyrihut.
Grupi i doktorantëve shqiptarë në ETH thotë se i njohin disa doktorantë shqiptarë të tjerë në Cyrih dhe Lozanë, por besojnë se ka edhe të tjerë që nuk i njohin. Ndërkohë e pranojnë se ishte shoqata „Studenti“ që i kishte bërë bashkë ata në Cyrih dhe tashmë ata vazhdojnë të takohen gati se për çdo ditë.
Amiri, mentor i një doktoranti
„Fakti se ne jemi grup, na bën më të organizuar, ngase ne edhe ashtu kemi punë për çdo ditë me njëri-tjetrin. Lëndët i kemi të ndryshme, por e ndihmojmë njëri-tjetrin. Nuk na bën bashkë fakti se vetëm jemi doktorantë, porse jemi edhe një grup i mirë i shokëve”, thotë Bledari.
“Pak a shumë jemi munduar që gati për çdo gjeneratë t’i motivojmë shqiptarët, duke u thënë se është mirë të bëhet edhe një doktorant. Ai ka përmendur si shembull Amirin, i cili tashmë është mentor i një doktoranti që po përgatit doktoratën.
Ideja e tyre është që të zgjerojnë rrjetin e këtij grupi. Meritoni është i mendimit se në Cyrih janë më mirë të organizuar, për faktin se ndoshta edhe numri i studentëve është më i madh. “Por, jo edhe aq mirë, ngase shoqata „Studenti“ ende nuk i ka zyrat e saj”, thotë Meritoni.
Bledar Fazlija, nga ana tjetër, thotë duhet të ketë të qartë vizionin çdo shoqatë e studentëve. Do të thotë të ketë një koncept të qartë dhe një rol më afirmativ në shoqëri. “Shoqata “Studenti” duhet të merret me aktivitete që do të tërheqë më shumë studentët e rinj. Kohët e fundit shoqata është më aktive”, thekson Meritoni, duke treguar shembuj të tjerë të shoqatave që secila prej tyre kanë një zyrë.
Meritoni, i cili doktoron në EPFL-në e Lozanës, thotë se në mesin tonë nuk ka as inat, as xhelozi, por gjithmonë gjen përkrahjen e shokëve.
“Vizioni i doktorantëve shqiptarë në ETH dhe Universitetin e Cyrihut është që t’i nxisin të gjithë ata që kanë potencial e që dëshirojnë të doktorojnë. Në fakt, të ngrisin vetëdijen për shkollim te shiptarët e këtushëm, por edhe në vendlindje.
Ndërkohë të gjithë po kryejnë rolin e asistentit të profesorit në ETH ose në Universitetin e Cyrihut, ashtu edhe Arbri. Arbër Fazlija, 27-vjeçar, është doktorant dhe asistent dhe punon me 130 studentë në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Cyrihut. Ai përgatit edhe ligjëratat e profesorit të tij. Zakonisht studentët drejtohen për pyetje te Arbri.
Secili doktorant punon edhe si asistent
Çdo doktorant ka kontratë me ETH-në dhe universitetin si asistent për të dhënë mësim për studentët. Por, kjo dallon prej institutit në institut. Amiri paguhet edhe për zbulimet që bën në institutin ku punon dhe në përgatitjen e doktoratës.
“Zvicra është vend i mirë për doktorantët se me rrogën e tyre mund të jetohet shumë mirë në krahasim me vendet e tjera, sidomos me Gjermaninë”, thotë Bledari.
Ndërkohë Meriton Ibrahimi është në fazën e përfundimit me temën e doktoratës. Meritoni në punimin e tij shkencor është marrë me krizën e fundit financiare dhe ka përgatitur një program simulues se si ka ndodhur bankrotimi i bankave, do të thotë se si ka evoluar kriza e fundit ekonomike.
Kurse Amiri ka bërë një zbulim tjetër. Zbulimi i tij është përfshirë me një projekt evropian, pjesë e të cilit janë edhe disa fakultete teknike dhe disa spitale. Amiri është marrë me anën teknike, duke përdorur telefonat e mençur “smartphone” dhe me një orë në dorë zbulon sëmundjet e ndryshme të pacientëve, sidomos të stresit. “Bëhet fjalë për analizë të sinjaleve bio-fiziologjike. Ne e bëjmë këtë në bashkëpunim me mjekët. Me këtë projekt ne reduktojmë shpenzimet nëpër spitalet zvicerane dhe qëllimi është që të gjithë personat e sëmurë të pajisen me këtë pajisje në shtëpi dhe të monitorohen 24 orë nga mjekët dhe nëse ndodh diçka e jashtëzakonshme, duhet të konsultohet mjeku”, tha Amiri.
Funksioni i këtij grupi doktorantësh shkon edhe përtej ligjërimit dhe zbulimit shkencor nëpër kabinetet e tyre. Qëllimi i tyre është që të ndihmojnë dhe talentet nga Kosova.
“Sipas përshkrimeve që vijnë nga Kosova, sistemi shkollor i atjeshëm është jo i mirë. Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare u duhet një rini e edukuar në mënyrë të mirëfilltë dhe kjo nuk arrihet pa reformim të sistemit shkollor”, thotë Bledari.
“Ne duhet t’i përkrahim talentet në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare”, është i vendosur Bledari.
Veç kësaj ata kanë shprehur gatishmërinë të jenë referencë për talentet e shkencave kompjuterike në Kosovë. Ata mund të ndihmojnë institutet në Kosovë.