/ / Serbët Marrin “Hisen” E Shqiptarëve

Serbët Marrin “Hisen” E Shqiptarëve

Që nga viti 2002, pas përfundimit të konfliktit të armatosur në Luginë të Preshevës dhe falë sistemit proporcional zgjedhor, i cili kishte mundësuar që partitë shqiptare, për herë të parë, që pas Luftës së Dytë Botërore të krijojnë një shumicë të mjaftueshme (23 nga 41 këshilltarë sa ka Kuvendi i Bujanocit) për të qeverisur këtë komunë me shumicë shqiptare, qeverisja në vazhdimësi e Bujanocit ka qenë multietnike.
Ashtu ka qenë në mandatin e parë 2002 – 2006, ashtu në të dytin, 2006 – 2008, sikurse edhe në të tretin 2008 – 2012. Ky mandat aktual (2012-?) i katërti me radhë, edhe pse është multietnik dallon nga tre mandatet e qeverisjeve në periudhën pas konfliktit të armatosur të viteve 2000 – 2001.


Derisa në tre mandatet e para, partitë shqiptare kishin marrë në bashkëqeverisje disa nga partitë lokale serbe, por, duke mos e varur shumicën në kuvend nga votat e tyre, në këtë të katërtin, partia e cila kishte marrë shumicën në zgjedhjet lokale (PD e Nagip Arifit) dhe 12 këshilltarë, kishte lënë në opozitë tri partitë tjera shqiptare (PVD, LPD dhe UDSH) me 18 këshilltarë sa kishin ato bashkërisht, për të krijuar një koalicion të gjerë me të gjitha partitë dhe grupacionet politike serbe. Në këtë mënyrë 12 këshilltarët shqiptarë të PD-së kishin bërë një shumicë të re në qeverisje, fillimisht me 9 e mandej edhe me dy këshilltarët tjerë serbë (SNS). Shtatë muaj më vonë, kësaj shumice i ishte bashkuar edhe LPD e Jonuz Musliut.



Nën moton se “Ka ardhur koha që disa parti shqiptare të mbeten në opozitë”, arsyetimi që ishte dhënë për opinionin lidhur me këtë koalicion jonatyral, kishte të bënte me gjoja garancitë se “një koalicion i këtillë do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të Bujanocit” dhe do të “ndihmonte integrimin e shqiptarëve nëpër institucione shtetërore”, se “Bujanoci do të ketë më shumë para”.



Partia e cila kishte marrë shumicën në zgjedhje, PD e kryetarit aktual të Bujanocit, me premtimin se do të hapë mbi “dymijë vende pune” e vetëdijshme se vështirë ta përmbushë këtë premtim, ndoshta edhe sinqerisht, ka besuar – apo së paku udhëheqësia e saj ka besuar- se bashkëqeverisja me serbët do të ndihmojë realizimin e premtimeve parazgjedhore.



Nga perspektiva, gati tri vjet pas fillimit të këtij mandati qeverisës, rezultatet janë më se zhgënjyese nga multietniciteti në qeverisje të Bujanocit. Jo që Bujanoci nuk u zhvillua ekonomikisht, jo që nuk u realizua integrimi në organet shtetërore i shqiptarëve, jo që s’doli asgjë nga 2 mijë vende pune, por qeverisja e bazuar në parimin e “nënshtrimit” ndaj kërkesave të serbëve, nuk ka arritur të punësojë asnjë shqiptar nëpër institucionet shtetërore, të cilat vazhdojnë të jenë me dominim serb apo edhe etnikisht të pastruara nga shqiptarët. Biznesi lokal, përveç pak subvencioneve të cilat ndahen për tajkunat e pushtetit, nuk është stimuluar as edhe me një program masash të veçanta për ta zbutur papunësinë. Asnjë projekt i veçantë, veç mjeteve të rregullta të cilat nga viti 2001 jep Trupi koordinues, nuk është financuar në tërë territorin e komunës.



Shkurt e shqip, koalicioni bashkëqeverisje multietnike nuk i ka shërbyer askujt tjetër veç se protagonistëve që e kanë krijuar. Shërbime këto që shpeshherë arrijnë në banalitet: Muret rrethuese nëpër varreza e kisha ortodokse, shërbime klienteliste vetëm për anëtarët e kastës sunduese, përjashtimi i shqiptarëve nga puna, apo dënimi selektiv i shqiptarëve në rroga, janë karakteristikat kryesore që po e përcjellin qeverisjen e Bujanocit nëpër këto tri vitet e shkuara. Anakronizmi i këtij koalicioni shihet edhe në “detyrimin” kryetarit të komunës, që krahas vetes, në mënyrë antiligjore, t’i japë për 30 për qind rrogë më të lartë ndihmësit të vet serb, i cili është një pensionist, dhe i cili në komunë kalon vetëm nga nja 2 orë në ditë. Koalicion ky që po funksionon në bazën e kushtëzimeve të përditshme.



Zyrtarët shtetërorë serbë të asaj kohe, kishin përshëndetur koalicionin për ndarjen e pushtetit në Bujanoc, të njëjtit zyrtarë, bile edhe ata para, e edhe këta pas tyre, për më tepër se një decenie po refuzojnë multietnicitetin në organet shtetërore. Një shtet i tërë, që nga viti 2001 po bën rezistencë në krijimin e mundësive për shqiptarë që, nëpër organet shtetërore, të jenë të përfaqësuar sipas standardeve vendore dhe ndërkombëtare.



Në këtë mënyrë, parulla krishtere se “Çdo gjë e imja është edhe e jotja”, në Bujanoc, me kohë është shndërruar në parullën lakmitare “Çdo gjë që është e jotja është edhe e imja”



Në të vërtetë, jo që në Bujanoc, serbët duhet të përjashtohen nga pushteti, jo se shqiptarët duhet të krijojnë monopolin e vet në këtë komunë në dëm të të tjerëve, qoftë edhe duke rrezikuar stabilitetin e komunës, por se, derisa nuk respektohet multietniciteti në të gjitha institucionet, edhe ato që janë shtetërore, respektimi i tij parcial mund të sjellë jo vetëm zhgënjime, por, edhe tensionim të situatës në mesin e shqiptarëve në këtë komunë.



Është e qartë se serbët, duhet kyçur në qeverisje, por, se në kushtet e një demokracie të brishtë serbe, assesi nuk duhet që, qeverisja në Bujanoc, të varet nga shumica, të cilën, do ta krijojnë ato grupacione politike të cilat edhe mes veti janë armiqësore. Aq më tepër, praktika në Bujanoc, shumë herë ka dëshmuar se deri sa Beogradit nuk i krijohet “problemi i serbëve”, atij, asnjëherë nuk i bëhet vonë as për shqiptarët e as për Bujanocin.



Prandaj, qoftë edhe i shkuar dëm, ky mandat është tregues i qartë se si duhet të sillen partitë shqiptare për ta nxitur apo edhe detyruar qeverinë në Beograd që më seriozisht të merret edhe me Bujanocin edhe më shqiptarët.



Sepse, në kushtet kur, sipas tyre, qetësia në Bujanoc është në nivel meqë edhe serbët edhe shqiptarët na qenkan në pushtet, dhe “kësaj mirëqenie” nuk ka çka t’i shtohet: “Ata të tjerët që nuk po pajtohen edhe po ikin drejt Evropës, nuk kanë qëllim tjetër veç t’i bëjnë dëm Serbisë në rrugën e integrimit të saj në BE”, prandaj edhe ata duhet injoruar, është rezonim i hapur i Beogradit.



Në këtë aspekt qeverisja lokale në Bujanoc duhet parë si një shërbim që po i bëhet Beogradit për “ta ruajtur qetësinë” e rrejshme në këtë komunë të varfër nga e cila, përditë, po ikin të rinjtë shqiptarë.



Po e përfundoj me pyetjen që është dashur ta shtroj në fillim: A ia vlejti multietniciteti në Bujanoc???



Shkruan: Shaip Kamberi

(Autori është deputet nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë)

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post