As apelet e politikanëve kosovarë se nuk do të mund të fitojnë azil, as rrëfimet për përjetimet e rënda nëpër kampe e qendra të strehimit në Hungari, Austri e gjetiu nëpër vende të Evropës, nuk kanë ndikuar që të ndërpritet vala ikjes masive të kosovarëve drejt vendeve të Evropës Perëndimore.
Rreth 150 qytetarë nga Ferizaj, Vushtrria, Gjilani e qytete të tjera të Kosovës janë duke pritur në stacionin e autobusit në Bujanoc të Luginës së Preshevës, për t’u nisur fillimisht drejt Nishit e më pas për të marrë rrugë drejt shteteve të ndryshme të Evropës, shkruan zëri.
Një lexues i “Zërit” i ka dërguar këto foto në e-mail të redaksisë ku ka treguar se në orën 22:15 është nisur një autobus për në Nish, ndërsa edhe dy të tjerë janë në pritje te nisjes.
Sipas tij, shumica janë të rinj, mirëpo ka edhe tri familje që janë me fëmijë.
Ky lexues tregon se një pamje e tillë është bërë përditshmëri në stacionin e autobusëve në Bujanoc, pasi që kështu është çdo natë.