Kosova ka 15 vite që lënë pas luftën, por qytetarët e saj, bashkë me ata nga Afganistani e Siria, përbëjnë numrin më të madh të imigrantëve ilegalë që Hungarinë e shfrytëzojnë si vend transit për të kërkuar më pas azil në ndonjërin nga vendet e Europës perendimore.
Hungaria është kthyer si vend kryesor i cili përdoret si transit për kalimin e kosovarëve, afganëve dhe sirianëve për të hyrë ilegalisht në BE, shkruan agjencia e lajmeve AP.
Në fshatin hungarezë Asotthalom, në kufi me Serbinë, thonë se prej rreth 3 viteve ajo pjesë është rruga nga ku emigarantët ilegal kalojnë për në Hungari, transmeton lajmi.net
Por këtë vit, situata “është bërë praktikisht e padurueshme”, ka thënë kryetari i fshatit, Laszlo Toroczkai.
Pjesët e territorit serb në kufi me Hungarinë vazhdimisht janë të mbushura me njerëz të cilët presin rastin për të kaluar kufirin që të kalojnë në vendet e BE-së.
Gazetarët e AP-së, kanë vizituar këto zona dhe kanë bërë fotografi, ku shumë të rinj shihen të mërdhijnë jashtë në një fushë, ku për t’u ngrohur ndezin zjarre, derisa t’u vijë koha që të nisen për të kaluar drejtë Hungarisë, sigurisht në shumicën e rasteve me ndihmën e trafikantëve.
Emigrantët përmes Hungarisë, kalojnë më pas në Italia, dhe prej aty nëpër vende tjera, si Gjermania, Suedia, Franca e të tjera.
Autoritetet në Hungari që merren me emigrantë, i kanë thënë gazetarëve të AP-së, se deri tani, në këtë vend kanë kërkuar azil rreth 35 mijë njerëz, por këtu duhet pasur parasysh faktin në këtë vend janë futur shumë më shumë emigrantë ilegal, pasi një pjesë e tyre, nuk janë paraqitur fare te autoritet, por vendin e kanë shfrytëzuar vetëm si transit drejtë vendeve tjera.
Ata kanë thënë se rreth gjysma e këtyre kërkesave për azil ishin emigrantë nga Kosova.
"Unë e kam vendin tim, sepse dua të kërkojë një jetë më të mirë”, ka thënë Albana Shabani 22 vjeçe, e cila është larguar nga Kosova bashkë me burrin e saj. Të dy të papunë, mendonin se nuk kishin mundësi të gjetjes së vendeve të punës në Kosovë, një nga vendet më të varfra në Europë.
Një person tjetër u ka thënë gazetarëve të AP-së, se i gjithë fshati prej nga ai vjen në Kosovë, 2500 deri në 3000 banorë, janë në rrugë për të braktisur Kosovën.
Ata udhëtuan me autobus për në Suboticë në veri të Serbisë. Pastaj, të udhëhequr nga GPS-i i telefonit të tyre, ata bënë një udhëtim tre-orësh në Hungari, derisa u kapën nga autoritetet e këtij vendi.
Ashtu si shumë kosovarë të tjerë, ata janë drejtuar për në Gjermani, një nga ekonomitë më të forta të Evropës.
Grupi i dytë më i madh azilkërkuesve në Hungari, që janë 7400 persona, vijnë nga Afganistani, e ndjekur nga 6600 nga Siria.
Ndërsa vendorët në zonat kufitare në Serbi dhe Hungari ankohen se emigrantët lënë prapa shumë plehra, furça të dhëmbëve, rroba të lagështa, këpucë të grisura - dhe zjarre nëpër pyjet përreth, të cilat i ndezin derisa presin gjatë natës që të ndihmohen nga kontrabanistët për në destinacionin e tyre.