Dy gazetarë të gazetës serbe “Blic” e kanë realizuar një reportazh për të parë se cilat do të jenë reagimet e pronarëve të banesave në kryeqytetin serb nëse iu thuhet se qiramarrësi do të jetë shqiptar?
Në kuadër të reportazhit, gazetarët raportojnë se kryesisht pronarët e apartamenteve në Beograd kanë thënë se kurrë nuk do ia jepnin me qera banesën e tyre një shqiptari.
Beogradasit më të gatshëm kanë qenë që ta japin banesën e tyre me qira një çifti homoseksual se sa shqiptarëve, pasi autorët e tekstit kanë pasur rast kur janë paraqitur edhe si çift “gay” për të parë nëse ka paragjykime edhe ndaj pjesëtarëve të këtij komuniteti.
“Tua jap banesën shqiptarëve? Nuk ka shansë! Asnjë të huaji nuk do ia jepja, jo vetëm shqiptarëve” na ka porositur pronarja e një banese në Batajnicë të Beogradit shkruajnë gazetarët e “Blicit”.
Të njëjtit thonë se pronarja në fjalë para se ta merrte vesh që fjala është për një shqiptar, i kishte pranuar të gjitha kushtet e gazetarëve dhe ishte e gatshme ta lëshonte apartamentin e saj me qira.
“Shikoni se çfarë po ndodhë, e kam parë në televizion, të gjitha ato provokime...Thjeshtë nuk do të ndjehesha e sigurt me ta...”, ka thënë pronarja e këtij apartamenti.
Autorët e këtij teksti shkruajnë se ishin gati të hiqnin dorë nga kërkesa për të gjetur banesë për një banor nga Shqipëria në Beograd, dhe krejt papritmas e gjejnë një të tillë.
Sidoqoftë, pronari i një apartamenti në “Prvojmajskoj” ka pasur porositë e veta nëse shqiptarët duan të jetojnë në banesën e tij:
“Ata vetëm të mos flasin shumë në hyrje, të mos i tregojnë emrat dhe të mos tregojnë nga janë...bën bën, pse jo. Nëse janë serioz dhe nuk bëjnë probleme, të vijnë fëmijët”, thotë pronari i vetëm që ka pranuar ta lëshojë banesën e tij për studentë nga Shqipëria.