Kur mbeten vetëm dy ditë larg vizitës së kryeministrit Rama në Beograd, mediet serbe vazhdojnë të provokojnë. Këtë herë agjencia “Kurir”, sjell në vëmendje intervistën e kreut të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, duke e cilësuar deklaratën e tij si skandal.
Ragmi Mustafa, kryetari i komunës së Preshevës, tha se banorët e rajonit të Preshevës do të mirëpresin kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, në shesh si kryeministrin e tyre të dytë, shkruan “Kurir” duke cituar deklaratën e Mustafës.
“Vizita e kryeministrit Rama në Preshevë do të jetë e hapur dhe do të jetë e drejtpërdrejtë me popullin, sepse krerët e vendit janë takuar me qindra herë, por populli është i interesuar që të prekë kryeministrin dhe të presë mesazhet që do t’i japë në sheshin kryesor para qytetarëve, që do të dalin me një entuziazëm të madh, duke e konsideruar Edi Ramën si kryeministrin e tyre”.
Mustafa tha se Beogradi zyrtar po bën përpjekje që të pengojë vizitën e kryeministrit shqiptar në Preshevë, duke e treguar qartë urrejtjen edhe në incidentin në stadium, thekson më tej “Kurir”, transmeton Shekulli.
Por, Mustafa nuk është i vetmi nga liderët shqiptarë, që shihet si provokator për Serbinë. “Kurir” shkruan se edhe lideri i LPD-së Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit të Bujanovcit, ka deklaruar vazhdimisht se qeveria e Serbisë duhet të njohë statusin e anëtarëve luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit.
“Kurir” kujton se Mysliu kishte deklaruar më herët se qeveria serbe duhet të njohë referendumin e vitit 1992, e cila i jep të drejtë komunave në jug të Serbisë të bashkohen me Kosovën, kërkesë të cilën e ka përsëritur edhe kohët e fundit. “Kjo do të ishte një zgjedhje e kënaqshme”, ka deklaruar ai.
Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën dhe Metohinë në Kuvendin e Serbisë, tha për “Kurir” se deklaratat ekstreme të politikanëve shqiptarë, janë të qëllimshme për të destabilizuar situatën, në një mjedis që ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj gjërave të tilla.