/ / Më shumë tifozë e flamuj shqiptarë në lojën Zvicër-Lituani

Më shumë tifozë e flamuj shqiptarë në lojën Zvicër-Lituani

Shqiptarët në fushë dhe shqiptarët në stadium ishin të shumtë dhe aktivë, madje si asnjëherë më parë; shumë dhe ngado me flamuj e me duar të lidhura sa herë u drejtoheshin kamerave
Protagonisti i lojës, Xherdan Shaqiri vulosi fitoren e zviceranëve ndaj lituanezëve me dy asisitime dhe dy gola të rrallë të tij; njërin me kokë dhe tjetrin me thembër. Krahas Shaqirit, në këtë ndeshje në lojë që nga fillimi, trajneri Petkoviç kishte aktivizuar edhe tre shqiptarë të tjerë, Behramin që asistoi për golin e dytë, Xhemajlin dhe Mehmedin që ishte i pafat përballë portierit lituanez.
Me një dominim total në fushë dhe me katër gola të shënuar, "secondot" e Zvicrës fituan ndaj lituanezëve para më shumë se 17 mijë shikuesve në ndeshjen e katërt të  grupit E që u zhvillua në St. Gallen në kuadër të eliminatorëve Euro2016.
Me këtë fitore Zvicra ngjitet në vendin e dytë pas Anglisë me 6 pikë, e ndjekur nga Sllovenia dhe Lituania me po kaq pikë të tubuara.
Lojtarëve dhe tifozëve zviceranë  iu desh të durojnë deri në minutën 66-të për të përjetuar shijen e golit. Deri në ato momente, zviceranët nuk arrinin asessi të shënonin, ndonëse rastet ishin të njëpasnjëshme.
„Kështu, këta nuk do të japin gol edhe nëse luajnë deri nesër“, bërtiste një tifoz rreth të pesëdhjetave pas rastit të futbollistit shqiptar, Admir Mehmedi.
Shqiptarët në fushë dhe shqiptarët në stadium ishin të shumtë dhe aktivë, madje si asnjëherë më parë; shumë dhe ngado me flamuj e me duar të lidhura sa herë i drejtoheshin kamerave.
"E drejta për festim dhe e drejta për të bërë shqiponjën me duar, është një e drejtë demokratike që askush nuk duhet të ndjehet i provokuar me këtë gjest të shqiptarëve“ u shpreh Arsimi, i cili bashkë me shokun e tij zviceranin, Rafael, që mendonte të kundërtën prisnin të relaksuar me flamurin shqiptar e zviceran fillimin e lojës. „Jam kundër këtij gjesti, as ne nuk po i festojmë golat duke bërë kryqin me duar“, u shpreh Rafaeli.
Realiteti në fakt ishte se tifozët këtë e merrnin me humor dhe nuk dukej se vërtetë ndjeheshin të provokuar.
Kjo shihej kur ata imitonin me të qeshura e duar të lidhura tifozë shqiptarë të kombëtarës zvicerane deri sa fotografoheshin duke bërë shqiponjën.
Vetë prezenca e një numri të madh të tifozëve shqiptarë me flamuj kombëtarë mbi supe e me shumë syresh të varur anembanë stadiumit, nuk dukej se i shqetësonte ata.
Me rëndësi është që ne të luajmë mirë e të fitojmë, u shpreh Jetoni me duar të lidhura në formë të shqiponjës dhe me flamurin zviceran të lidhur për gjoksi.
Në anën tjetër të sektorit B, një familje e tërë kishte mësyer AFG-Arenën të veshur me bluza të flamurit shqiptar e me flamuj që tregonin haptas pakënaqësinë e tyre ndaj qëndrimit të Federatës së Futbollit Zviceran për të evituar festimin e golave me duar në formë të shqiponjës nga ana e lojtarëve me prejardhje shqiptare .
Jemi shqiptarë të Zvicrës, e duam futbollin dhe do ta mbështesim ekipin zviceran kështu nëpër shi pa e fshehur që jemi shqiptarë, tha njëri që mbante flamurin kombëtar mbi kokë në formë mburoje nga shiu që s’kishte të ndalur.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post