Kryeministri i Serbisë Aleksander Vuçiq, të premten ka dënuar furinë e sulmeve ndaj bizneseve në pronësi të shqiptare në tri ditët e fundit si pasojë e incidenteve që ndodhën në ndeshjen në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, por ka theksuar se ende nuk kanë vendosur nëse do ta lejojnë vizitën e homologut të tij shqiptar, Edi Rama, në Beograd gjatë javës së ardhshme.
Rama të enjten ka thënë se është “shumë i përkushtuar” që ta realizojë vizitën e tij të planifikuar për 22 tetor, vizitë kjo e para e një lideri shqiptar që nga vizita e fundit e ish-diktatorit stalinist, Enver Hoxha, në vitin 1947.
Por, kryeministri serb, Vuçiq, i ka thënë të premten Reutersit se nuk do të marrë vendim deri në fundjavë “nëse ata do të jenë apo jo mysafirët tanë”.
“Nuk u frikësohemi bisedimeve, por më duket mua se dikush nuk po dëshiron të flasë, por dëshiron ta kërcënojë Serbinë dhe të nxis paqëndrueshmëri rajonale”, ka thënë ai. “Mund ta shoh atë dhe këdo tjetër në sy”, transmeton Koha.net.
Ministria e jashtme e Shqipërisë i ka dënuar sulmet duke i cilësuar ato si “zgjerim dhe shprehje e qëllimshme e një fushate anti-shqiptare”.
Vuçiq ka thënë për Reuters se përgjegjësit do të ndëshkohen me “dënime maksimale”.
“U bëj thirrje serbëve... të mos veprojnë në mënyrë të papërgjegjshme”, ka thënë ai. “Është obligim i yni që të shfaqim dallimet mes nesh dhe atyre, të tregojmë se jemi më seriozë, më përgjegjës dhe se i respektojmë të drejtat e pakicave kombëtare dhe të drejtat e të gjithëve në vendin tonë”.