Në këto momente kur bota është mbërthyer nga paniku prej virusit të ebolës, në Hollandë shkencëtarët po ndihmojnë publikun të njihet nga afër mikrobe të ndryshme dhe me vlerën e tyre për jetën në tokë.
Kopshti zoologjik i Amsterdamit, një ndër istitucionet më të vjetra në botë për koleksionimin dhe prezantimin e larmisë së botës së gjallë, ka hapur këto ditë ekspozitën Micropia. Në stendat e ekspozitës mund të shohësh epruveta me substanca të ndryshme, të gjitha të populluara me mikro-organizma që shoqërojnë ekzistencën tonë të përditshme.
Marrëdhënia mes njeriut dhe mikrobeve është fokusi qendror i ekspozitës. Një nga elementët më interesantë të ekspozitës është një skaner i trupit që i ndihmon vizitorët të kuptojnë ku fshihen mikro-organizmat në trupin e njeriut dhe si ndihmojnë këto krijesa mikrospopike në mbarëvajtjen e proceseve fiziologjike të njeriut. Vizitorët mund të zgjedhin të analizojnë një pjesë të trupit dhe mësojnë se çfarë bakteries fshihen aty.
Në ekspozitë njerëzit mësojnë për produktet e përditshme që prodhohen falë mikro-organizmave, si kosi apo frutat e thara dhe për studime që po bëhen për ta shfrytëzuar potencialin e botës mikroskopike në të mirë të njeriut. Një ndër studimet më shpresëdhënëse është përdorimi i algave për të prodhuar karburant të pastër.