/ / Dosja e plotë e FSHF për UEFA. Kërkohet hetimi i Serbisë për racizëm

Dosja e plotë e FSHF për UEFA. Kërkohet hetimi i Serbisë për racizëm

Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë detaje në lidhje me hapat që ka ndërmarrë për paraqitjen e dokumentave në Komisionin e Kontrollit të Etikës dhe të Disiplinës pranë UEFA-s, i cili do të mblidhet nesër në Zvicër. Tre zyra ligjore janë angazhuar në këtë proçes. Mbledhja e materialeve që do të shërbejnë si prova është bërë nën drejtimin e zyrës “Haxhia & Hajdari”, ndërsa përpilimi i argumentave juridikë të mbrojtjes dhe këshillimi ligjor në lidhje me çështjen i është besuar dy zyrave të mirënjohura ligjore në fushën e të drejtës sportive: Littleton Chambers në Londër dhe Levy Kaufmann-Kohler e bazuar në Gjenevë. 

Në materialin që i është dorëzuar UEFA -s një ditë më parë theksohet që në ndeshjen Serbi-Shqipëri të datës 14.10.2014 fubollistët e Shqipërisë kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale e shoqëruar me thirrje raciste. 

Në lidhje me thirrjet raciste, një kërkesë e veçantë i është dërguar UEFA-s ditën e hënë për përfshirjen e tyre në procedurën e hapur dhe zgjerimin e akuzave kundër Serbisë. 
“Të gjitha këto shkelje janë të provuara nëpërmjet pamjeve filmike dhe raporteve mjekësore të cilat janë depozituar pranë UEFA-s. Futbollistët e Shqipërisë nuk kanë refuzuar të luajnë, por vazhdimi i lojës ka qenë i pamundur si pasojë e drejtpërdrejtë e dëmtimeve fizike dhe psikologjike prej sulmeve të pakontrollueshme të tifozëve serbë, të punonjësve të sigurisë dhe, në disa raste të izoluara, edhe të vetë futbollistëve serbë”, -thuhet në njoftimin zyrtar të FSHF.

FSHF i kërkon UEFA -s jo vetëm të rrëzojë procedimet e nisura ndaj Shqipërisë, por që gjithashtu t’i japë fitoren në tavolinë. Shkeljet, sipas saj, janë të qarta, referuar edhe raportit të Delegatit të Sigurisë të UEFA-s.

1.Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës,
2.Sjellja shumë e keqe e tifozëve,
3.Menaxhimi i dobët i stadiumit dhe
4.Gjendja e tij e keqe deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe arbitrat”.

FSHF kërkon që të rrëzohet edhe akuza për shfaqjen e banerit të paligjshëm dhe për këtë ka parashtruar para UEFA -së këto arsye:

1.Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë përveç futbollistëve dhe delegacionit;
2.Si futbollistët ashtu edhe delagacioni janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e helikopterit;
3.Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë Serbë të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta si dhe një fuçi.
4.Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është Shqiptar (territori i hartës në baner është më i gjerë se territori i Republikës së Shqipërisë).

Komisioni i Disiplinës së UEFA -s do ta japë nesër vendimin. Nëse ai nuk do të përmbushë pritshmëritë e Shqipërisë, FSHF paralajmëron ta apelojë atë pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post