Edhe 15 vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët e Kosovës, veçmas ata nga diaspora, vazhdojnë të keqtrajtohen nga organet e sigurisë së Serbisë.
Kësaj here ishte Naim Kaqandolli ai që duke u kthyer në Francë – ku edhe jeton, u arrestua nga policia e Serbisë nën dyshimin për veprën penale të terrorizmit, tregon miku i tij Nysret Rastelica.
Sipas Rastelicës, Naimi vazhdon të mbahet në paraburgim në Nish të Serbisë.
Për të njëjtën vepër Kaqandolli ishte arrestuar edhe në vitin 1999 për t’u liruar si rrjedhojë e mungesës së provave pas disa ditësh, rrëfen miku i tij.
Rastelica thotë se që nga paslufta e deri më tani, miku i tij së bashku me familje të paktën 10 herë ka kaluar përmes kufirit Kosovë-Serbi.
Rastelica thotë se më 1 maj 1999 bashkë me Naim Kaqandollin nën dyshime për veprën penale të terrorizimit u patën arrestuar edhe 6 shqiptarë të Kosovës, për t`u liruar pas pak ditësh. Ai u bën thirrje atyre të kenë kujdes meqë mund ta pësojnë edhe ata nga policia e Serbisë.
Ndërkaq, shpresa e tij e vetme tani është tek instancat shtetërore të Republikës së Kosovës.
E më të dëgjuar për rastin, ka reaguar Ministria e Diasporës.
Udhëheqësi i divizionit për komunikim në këtë ministri, Lorik Pustina, thotë se ministria e Diasporës ka përgjegjësi të kufizuara ligjore sa i përket intervenimit në raste të arrestimit të shtetasve të Kosovës.
Mirëpo, siç tha Pustina, ky dikaster do t’i përdorë të gjitha mekanizmat në dispozicion duke njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme, Zyrën e BE-së, Zyrën ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, për t`u siguruar se ndaj bashkatdhetarëve tanë do të respektohen të gjitha normat juridike dhe të drejtat e njeriut.
“Jemi njoftuar me rastin dhe është e palogjikshme në këtë rast që bashkatdhetari ynë të arrestohet për vepra të cilat janë ngritur padrejtësisht nga regjimi i asaj kohe”, ka thënë Pustina.