/ / Kush ia mori jetën foshnjës tre muajsh në Drenicë?

Kush ia mori jetën foshnjës tre muajsh në Drenicë?

Një vajzë tre muajsh, nga fshati Lubovec, Skënderaj,ka vdekur më 16 shtator. Binjakja e saj është nën mbrojtje të autoriteteve, pasi që Prokuroria po dyshon se atë e vranë prindërit. Familja nuk pranon të komentojë derisa hetuesia t’iu japë dokumente se pse po i mban në burg Ismjal Ramën e gruan e tij F. Ramën. Express ishte në vendin e ngjarjes dhe fqinjët, të cilët e mohojnë që çifti të ketë qenë i dhunshëm, orientojnë në një pistë tjetër: fëmijët janë kthyer të sëmurë nga QKUK’ja
Tri varre të fëmijëve të Ismajl Ramës në Lubovic të Skenderajt në fillim të bëjnë të mendosh se sa i pafat është ky 40 vjeçar në varfëri të tejskajshme nga Drenica. Por, Prokuroria po dyshon se ai pos i varfër e i pafat është edhe një kriminel. Varri i fëmijës së tij të tretë, një binjake tre muajsh e vdekur më 15 shtator 2014, që është i zhvarrosur me urdhër të Gjykatës, derisa me urdhër të po këtij institucioni binjakja tjetër po mbahet nën përkujdese dhe e fshehur.
Çifti Rama edhe vite më parë i kanë vdekur dy binjakë, të cilët janë të varrosur afër vajzës së tyre që vdiq javë më parë.
Tash, Ismjl Rama me gruan e tij F. Rama, siç ka raportuar Express, janë arrestuar dhe po mbahen nën dyshimin për vrasje në tentativë ndaj foshnjave të tyre.
Familjarët e tyre nuk pranojnë të flasin as pasi që Policia ka kumtuar këtë lajm, ku edhe kanë publikuar një skenar se si dyshojnë që u krye krimi nga Ismajl Rama.
Express ka vizituar Nuredin Ramën, baba i Ismjalit- gjyshi i binjakes tremuajshe tashmë të vdekur, por ai thotë se “do të flas veç pasi të marr ndonjë letër nga hetuesia se pse po mbahet djali dhe reja në burg”.
Por, fqinjët e tij pranuan të flasin në kushte anonimiteti. Ata kanë veç një shpjegim: fëmijët janë kthyer të sëmurë nga QKUK’ja.
“Kanë qenë çift që nuk kanë pasur probleme as mes vete e lëre më me fëmijët. Nga shtëpia e tyre nuk dëgjohet asnjë zhurmë, madje as e djalit të tyre që është në klasën e dytë në shkollë e as e vajzës së tyre të dytë, që ka tash 1 vjet e tetë muaj”, ka thënë një fqinj i Ismaj Ramës.
Ata ri-përsërisin fjalët e Ismajl Ramës se ai ka dyshuar vazhdimisht që mjekët nuk po kujdesni mjaftueshëm për vajzat e tij lindën para kohe- në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe u desh që të trajtohen në inkubator.
Dyshimin e fqinjëve e shton edhe më shumë fakti që denoncimi i qiftit Rama për dhunë ndaj fëmijëve nuk u bë nga fqinjët, por nga mjekët e QKUK’së. “Mjekët e QKUK’së i kanë thirrur Policinë në Skenderaj”, shprehet i bindur një tjetër fqinj i qiftit Rama.
Express ka provuar të marrë një koment nga QKUK’ja, por deri tash përgjegjësit për informim nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetës, sikurse nuk është përgjigjur as Policia se kush ishin mjekët që denoncuan këtë rast. Policia nuk ka pasur koment as nëse mjekët e kanë denoncuar këtë qift për sjellje të dhunshme edhe më herët.
Policia deri tash ka dhënë një version të tyre. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë për KosovaPress se arrestimi i qiftit Rama nën dyshimin për vrasje në tentativë ndaj foshnjave të tyre është bërë pas një hetimi intensiv nga Njësia e Krimeve të Rënda e cila kishte nisur hetimet që nga data 17 shtator, fillimisht si keqtrajtim, braktisje e fëmijës.
Sipas tij, më pas hetuesit policorë kishin siguruar informacion me dyshime bazike për vdekjen e një foshnje 3 muajsh të gjinisë femërore, e cila i përkiste çiftit në fjalë - bashkëshortit Ismjal Rama 40 vjeçar dhe gruas së tij, F. Rama, 29 vjeçare.
“Nga hetimet e para bëhet e ditur se e dyshuara para 3 muajve kishte lindur dy foshnje binjake të gjinisë femërore. Foshnjat për dy muaj ishin kuruar në Klinikën e gjinekologjisë dhe pediatrisë në QKUK, më pas ishin liruar për në shtëpi në mbikëqyrje të prindërve. Më datë 16 shtator 2014, qifti bashkëshortor e kishte dërguar njërën nga foshnjat binjake me gjendje jo të mirë shëndetësore në repartin e pediatrisë në QKUK, ku personeli mjekësor gjatë trajtimit të kësaj foshnje vëren shenja deformimi e dhune në trupin e saj, ku gjatë shqyrtimit të dosjes së foshnjës mësohet se foshnja ishte binjake, ndërsa prindërit kishin pohuar se foshnja tjetër binjake kishte vdekur me datën 15 shtator 2014, të cilën e kishin varrosur”, ka thënë Zahiti.
Ai shtoi se shenjat e dhunës së identifikuar tek foshnja që po kurohet në Klinikën e pediatrisë ishin element shtesë dyshimi për hetuesit policorë për të kërkuar dhe realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore, për të bërë zhvarrosjen e trupit të pajetë të foshnjës nga ana e mjekësisë ligjore.
“Pas ekzaminimit të trupit të pajetë të foshnjës patologët kanë konstatuar se në trupin e foshnjës kishte gjurmë evidente të dhunës fizike. Dëshmitë e siguruara nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe rrethanat tjera të rastit kanë përberë elemente për prokurorin e shtetit të klasifikojë rastin si ‘vrasje e rëndë’ dhe ‘vrasje në tentativë’, me të dyshuar çiftin bashkëshortor të apostrofuar lart”, sqaroi Zahiti, duke shtuar se me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post