/ / Fshati pa asnjë të punësuar

Fshati pa asnjë të punësuar

Dikur e kishin problem sigurinë, pastaj mbajtjen e banorëve në fshat, ngase shumë prej tyre ia mësynë qytetit në kërkim të jetës më të mirë. Mirëpo, tash, edhe pse më nuk provokohen nga xhandarmëria serbe dhe familjet, pothuaj, e kanë ndarë mendjen që të mos i lëshojnë trojet e tyre (ndoshta pse nuk kanë kah t’ia mbajnë), banorët e fshatrave të brezit kufitar vazhdojnë të bëjnë jetë të vështirë.
Në Muçibabë, fshat që shtrihet skaj kufirit me Serbinë, vazhdojnë të jetojnë 16 familje me 113 banorë. Vehid Ibrahimi, udhëheqës i fshatit, tregon se asnjëri prej këtyre banorëve nuk është i punësuar. “Jetojmë në kushte të vështira. Papunësia ka arritur kulmin, ngase asnjë anëtar i fshatit nuk është i punësuar. Pesë familje janë pa shtëpi të veta, jetojnë nëpër shtëpi të vjetra e të boshatisura, pa dritare, e pa dyer”, thotë ai. Kryetari i fshatit tregon se muçibabasit kryesisht jetojnë nga shitja e ndonjë metri dru, të cilat i transportojnë me kuaj e gomarë.


Vehid Ibrahimi thotë se po bën gjithçka që ta parandalojë ikjen e familjeve të mbetura. Për ta arritur këtë, banorëve do të duhej t’u ndërtohej ndonjë shtëpi, sado të vogla të jenë. Mjafton të jenë të reja. Por, kush ta bëjë këtë, duke e pasur parasysh faktin se të gjithë banorët kanë gjendje të rëndë ekonomike.



Një mundësi tjetër për ta penguar ikjen e banorëve është edhe punësimi i ndonjërit prej tyre në ndonjë institucion. Vehid Ibrahimi thotë se kjo do të ishte në të mirën e fshatit, i cili, sipas tij ka dhënë nxënës të mirë. Ai kujton se Muçibaba kishte dy studentë, njëri i Bujqësisë e tjetri i Mjekësisë, në Prishtinë, por ata i ndërprenë studimet shkaku i kushteve të vështira. Tash për tash, nga ky fshat është vetëm një student, i cili po studion ekonominë, në Gjilan.



Kryetari thotë se banorët nuk e sigurojnë bukën e gojës nga toka e tyre, e cila është e vështirë të punohet. Përveç kësaj, shumica i kanë do parcela të vogla, në të cilat mbjellin veç misër, sepse është kultura pothuaj e vetme që rritet. Por, edhe misrin nuk e kanë të sigurt që do ta fusin në hambar, sepse janë në hall nga derrat e egjër, të cilët shpesh i dëmtojnë të mbjellat.



Vehid Ibrahimi tregon se secila familje mban bagëti, por një e dy lopë, apo ndonjë dhi, të cilat nuk i shtojnë, sepse porsa t’i bëjnë tri a më tepër, e shesin menjëherë ndonjërën prej tyre, për të blerë gjëra të domosdoshme për familjen.



“Që nga vitet shtatëdhjeta në fshatin tonë nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim. Shumica e shtëpive janë vjetruar. Nuk është investuar në infrastrukturë dhe fshati i ynë gati është harruar tërësisht”, thotë Ibrahimi, i cili mban shpresa se pushteti i ri në Gjilan do ta nxjerrë këtë fshat nga harresa.

about author

Blogger Sens it website about blogger templates and blogger widgets you can find us on social media
Previous Post :Go to tne previous Post
Next Post:Go to tne Next Post